Kumtesë

Ramadan Shkodra

Përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe*
(nisma, tradita dhe realizimi në gjuhën shqipe)

Hyrje

Kurani është burim kryesor i fesë, kulturës e qytetërimit islam dhe, si i tillë, është një nga faktorët themelorë që bashkon Botën Islame në të gjitha fushat e jetës, andaj nuk është e rastit që popuj të ndryshëm interesoheshin dhe vazhdojnë të interesohen për ta përkthyer në gjuhën e tyre.

Kurani është libri bazë fetar i myslimanëve, që i ka zbritur pejgamberit Muhamedit a.s. në gjuhën arabe në shekullin e 7, dhe paraqet shpalljen e fundit nga Zoti i Madhërishëm. Mirëpo, me përhapjen e fesë islame dhe pranimin e Islamit nga joarabët, do të shfaqej domosdoja e përkthimit të Kuranit në gjuhën e tyre.

Përderisa myslimanët përkthimit të Kuranit i hyjnë si të një li­b­ri fetar të zbritur nga Allahu xh.sh., me qëllim që të mësojnë nga ai në gjuhën e tyre, jomyslimanët përkthimit të Kuranit, të shum­tën, i hyjnë për qëllime tendencioze, dhe sidomos për qëllime misiona­riste.

Kurani deri më tani është përkthyer në më shumë se 100 gjuhë të ndryshme të botës, dhe, krahas Biblës, është libri më i kërkuar dhe më i përkthyer në botë.

Ndikimi i Kuranit në jetën e shqiptarëve është i pranishëm që nga shek. XV, atëherë kur zuri fill edhe përhapja e Islamit në vi­set shqiptare. Mirëpo, krahasuar me popujt e tjerë evropianë, Ku­ra­ni tek shqiptarët, ndonëse me shumicë myslimane dhe ndonëse nuk u kanë munguar njohësit e kësaj fushe, është përkthyer rela­tivisht vonë.

Për këtë ngecje, kujtojmë, kanë ndikuar disa faktorë, ndër të cilët më kryesorët janë:

– mungesa e traditës së përkthimeve;

– mungesa e një alfabeti të përbashkët;

– mungesa e institucioneve profesionale (arsimore, shkencore e fetare) në viset shqiptare për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në gjuhën shqipe deri në kohën e Rilindjes Kombëtare.

 

Nëse vështrojmë historikun e përkthimeve të Kuranit në Ev­ro­pë, do të shohim se evropianët, sikur u tha, kanë shfaqur herët interesim për përkthimin e Kuranit, ani pse interesimi i tyre kishte karakter misionarist që udhëhiqej nga priftërinj dhe qendra të po­saçme, që përkthimit të Kuranit i hynin për qëllime kishtare-misi­onare.

  

Nismat e para të përkthimit
të Kuranit në gjuhën shqipe

Tek shqiptarët idenë për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqi­pe e gjejmë që në kohën e Rilindjes Kombëtare. Punën e parë se­r­ioze në këtë drejtim e ndërmori Ilo Mitko Qafëzezi, i cili në Ploeshti të Rumanisë, më 1921[1] kishte botuar të përkthyera në shqip 6 suret e para të Kuranit.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, interesimi për përkthimin e Kuranit në gjuhën amtare u bë nevojë e domosdoshme. Me zgjerimin e arsimit në gjuhën shqipe domosdoshmëria për një përkthim të tillë u ndie dhe më tepër. Kësaj nevoje iu përgjigj në mënyrë të instituci­ona­li­zuar Kongresi i parë mysliman shqiptar.

Në këtë kohë nga nismëtarët për përkthimin e Kuranit do t’i gjejmë personalitetet më të shquara në fushën e islamogjisë, por dhe në fushën e atdhetarizmit: Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, të cilët ishin njohës të mirë të shkencave islame, po edhe të atyre laike.

Hfz. Ibrahim Dalliu, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Naltë të Sheriatit (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë) më 1929 në Shko­dër, kishte nisur të botonte në fashikuj përkthimin e Kuranit, me një titull mjaft sinjifikativ e domethënës “Ajka e kuptimeve të Kur’anit Qerim”[2].

Përkthimit të Kuranit me një seriozitet iu qas edhe studiuesi e alimi tjetër, hfz. Ali Korça[3], i cili në vitet ‘30 në Tiranë, e kishte të gatshëm për botim të përkthyer në shqip Kuranin me një kome­ntim të gjerë, që kapte 2.000 faqe, por fatkeqësisht mbeti dorësh­krim dhe për fatin e këtij dorëshkrimi nuk dihet as sot e kësaj dite.

Po ashtu, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nën mbikë­qyrjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, shënojmë dhe një nismë për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe. Më 1944 ishte bërë edhe një përkthim, dorëshkrimi i të cilit, sipas z. Ali Musa Bashës, ka përfunduar në Arkivin e Shtetit Shqiptar[4].

Përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, pas vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri, iu vu edhe dijetari shkodran, imam Vehbi Ismaili, në Nju-Xhersi të ShBA-së, por, fatkeqësisht, edhe ky dorëshkrim nuk arriti të botohej dhe i qe grabitur nga një keq­bërës rrugës për në shtypshkronjë[5].

Në Gjakovë më 1981, Kuranin nga gjuha serbe e përktheu Sheh Jahja Shehu, i cili, për mungesë të mjeteve financiare, nuk arriti ta botonte.

Është ky një vështrim i shkurtë i përpjekjeve të shqiptarëve për të pasur në gjuhën e tyre Kuranin, mirëpo për shkaqe që për­menden më lartë nuk u arrit që të realizohet apo nuk u arrit që të konkretizohen nismat e ndërmarra, në vazhdim do të japim një pasqyrë përmbledhëse me një përshkrim kronologjik për përkthi­met e Kuranit në shqip ngase tani veç Kuranin e kemi të përkth­yer disa here nga përkthyes të ndryshëm e në qendra të ndryshëm. Në këtë vështrim të shkurtë do të sjellin të dhënat bazë me qëllim që lexuesi të ketë një pasqyre retrospektive e kronologjike për historinë e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe.

Qershori i vitit 1985 ndërkaq, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës së shkruar islame në gjuhën shqipe, sepse për herë të parë në Prishtinë u botua Kurani i përkthyer në gjuhën shqipe.

Përkthimet komplete të Kuranit në shqip

Qershori i vitit 1985 ndërkaq, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës së shkruar islame në gjuhën shqipe, sepse për herë të parë në Prishtinë u botua Kurani i përkthyer në gjuhën shqipe.

Atë që nuk kishin arritur ta bënin më herët Qafëzezi, Dalliu, Korça, Ismaili…, më 1985 e arriti profesori i gjuhës arabe në Fa­kultetin e Filologjisë-dega e Orientalistikës, Feti Mehdiu, i cili, pas një pune të suksesshme për disa vjet, shqiptarëve u ofroi Ku­ra­nin në gjuhën e tyre, përkthimi i parë i Kuranit në gjuhen shqi­pe është:.

Kronologji e përkthimeve
të Kuranit në gjuhën shqipe

I) “KUR’AN-I”

(Përktheu, Feti Mehdiu, recenzentë: Bahri Aliu, Idriz Murati, Tefik Gashi; lektor: Jusuf Gashi, Elez Ismaili, Mehmet Halimi; korrektor: Hasan Emërllahu; redaktor teknik: Ali Govori; botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame për RSS, Prishtinë 1985, f. 878

Përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe është botua më 1985 në Prishtinë i përkthyer nga Feti Mehdiu, profesor i gjuhës arabe në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në botim të Kryesisë së RSS me seli në Prishtinë.

Përkthimit i paraprin, “Parathënia” e shkruar nga Jetish ef. Bajrami f. 3-8, pas së cilës vjen një studim i gjatë për Kuranin i Fazlur Rrahmanit me titull “Kur’an-i”, f. 9-27.

Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe fillon në f. 28 për të përfunduar në f. 882.

Përkthim i parë i Kuranit të botuar tërësisht (komplet) në gju­hën shqipe, nuk ka tekst origjinal, me përjashtim të sureve: “el-FATIHA”, f. 28, dhe tri suret e fundit “Ihlas”, “Felek” dhe “Nas” f. 823.

Përkthyesi, suret i ka shënuar me numra romakë, ndërsa ajetet me numra arabë. Ai në fillim të çdo sureje, së pari jep numrin e sures, emrin e sures, përkthimin e emrit të sures në shqip, vendin e zbritjes dhe numrin e ajeteve, p.sh.: Sureja I, Suretu “El-Fati­ha” (Hyrje), Mekkase, 7 ajete[6], apo Sureja IX, Suratun at-Tavba (Pendimi), medinase-129 ajete[7]

Ja përkthimi i sures fatiha:

 

Sureja I

Suratu al-Fatiha-Hyrje

Mekke-7 ajete

Në emër të All-llahut, të Gjiithmëshirshmit, Mëshirëplotit!

2 Lavdërimi është për All-llahun, Zot i botërave,

3 Të Gjithmëshirshmin, Mëshirëplotin,

4 Sunduesin e ditës së gjykimit

5 Vetëm Ty të adhurojmë, dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë,

6 Drejtona në rrugën e drejtë,

7 Në rrugën e atyre, të cilët i bekove, jo të atyre që kanë merituar hidhërimin, e as të atyre që e kanë humbur! (Kur’an-i, përktheu: Feti Mehdiu, Prishtinë 1985, f. 29).

 

Gjithashtu përkthimi nuk është i komentuar, por ka disa shë­nime përcjellëse, që janë dhënë menjëherë pas përkthimit të Kur­anit f. 825-848, të cilat janë dhënë në formën e fusnotave. Ja dy shembuj nga shënimet e dhëna në formë sqaruese: Shënimi-1: “Alif Lam Mim. Njëzetenëntë sure në Kur’an fillojnë me një ose me disa shkronja arabe. Këto shkronja në fillim të disa kaptinave janë verseti i parë ose pjesë e versetit të parë. Me anë të këtyre shkronjave u tërhiqet vëmendja atyre që lexojnë ose e dëgjojnë Kur’anin për përmbajtjen që pason. Gjithashtu, këto shkronja, përkatësisht shenjat e tyre, kanë edhe kuptim të veçant, por kanë edhe vlera simbolike[8], apo Shënimin-24: Arabët para shpalljes së Kur’anit ishin të dhënë shumë në besime të kota dhe gjatë ditëve të haxhit në shtëpitë e veta hynin kthyer me shpinë[9].

Përkthyesi në fillim të botimit në Shënimet bibliografike, thotë se shënimet i ka marrë nga Besim Korkuti.[10].

Në f. 849 është dhënë lista e ajeteve “Ku duhet të bëhet se­xh­de”, pastaj vijojnë: “Shpjegimi i disa termave specifike në Kur’­an”, f. 851-852.

Një kronologji e shkurtër e jetës së Muhamedit e titulluar “Ndihmesë për ta kuptuar Kur’anin. Disa njohuri nga jeta e Mu­hamedit a.s.”, f. 853-860; “Gratë e Profetit Muhamed” f. 861-864.

Fjala e përkthyesit, “Me rastin e botimit të parë”, f. 865-866 hedh dritë për historikun, nevojën dhe peripecitë e përkthimit në gjuhën shqipe, ku, përveç të tjerash, përkthyesi thotë: “Idenë për ta përkthyer Kur’anin, personalisht e kam ushqyer në vete që prej viteve 68-70 për ta filluar punën konkretisht në vitin 1978. Në fillim duke i zgjedhur disa kaptina, kurse që nga viti 1980 iu përvesha punës sistematikisht dhe i shtrova vetes si detyrë që Kur’anin ta përkthejë në tërësi[11].

Në fund të këtij botimi janë “Treguesi i emrave” që përme­nden në Kuran f. 867-874, dhe “Përmbajtja e lëndës”. f. 875-878.

Përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe e botoi në 10.000 ekzemplarë Kryesia e Bashkësisë Islame për RSS, me seli në Prishtinë, shtypi shtypshkronja OPGBG “Rilindja”- Prishtinë.

Është ribotuar me titull “KUR’ANI DHE HIJA E TIJ NË SHQIP”, botoi: “Logos-A”, Shkup dhe “IHH”, Stamboll, 1999.

Për dallim nga botimi i parë, ribotimi (botimi i dytë) është i pajisur me tekst origjinal, i cili (Kurani në gjuhën arabe) është dhënë në një faqe komplet (në faqen e djathtë) e përballë tij-ori­gjinalit, është vënë përkthimi në gjuhën shqipe. Kjo mënyrë e të renditurit e bën këtë përkthim më të përdorshëm për punë kraha­suese për qëllime të studimit, sidomos për njohësit e gjuhës arabe e më tepër për njohësit e mirë të shkencave kuranore.

Ky botim hapet me fjalën e përkthyesit të titulluar “Me rastin e botimit të dytë”, e menjëherë është dhënë fjala e përkthyesit me rastin e botimit të parë.

Surja el-Fatiha në origjinal dhe përballë saj përkthimi në shqip, shënojnë fillimin e Kur’anit me përkthim në gjuhën shqipe, por për arsye të panjohura, faqet e kësaj sureje si në origjinal ash­tu edhe në përkthim, është lënë pa faqëzuar. Faqëzimi fillon në suren e dytë el-Bekare dhe këtë duke filluar me numrin 1. Ajo që do veçuar në këtë rast është se faqëzimi është bërë ndaras për te­kst origjinal me numra të Kur’anit (1-603), dhe ndaras në për­kth­im me numra 1,2, 3 e kështu me radhë për të përfunduar në faqen 603, aq sa ka edhe përkthimi në gjuhën shqipe.

Në faqen 604 është dhënë duaja e hatmes vetëm në gjuhën ara­be, pasojnë shënimet përcjellëse: Fillimisht janë dhënë shëni­met sqaruese, gjithsej 258, të titulluara “Shënime”, për të cilat përkthyesi thotë se janë marrë nga Besim Korkuti (“Kur’an”, Ori­entalni Institut, Sarajevë, 1977[12]), pastaj lista e ajeteve “Ku duhet të bëhet sexhde”, f. 2-27, “Shpjegimi i disa termave specifikë në Kur’an”, fq. 2-29, “Treguesi i emrave”, fq. 2-31, “Treguesi alfa­betik i sureve”, fq. 2-31, “Përmbajtjen” e lëndës, e cila zë plotë tri faqe, është e pafaqëzuar. Botimi mbyllet me të dhënat biblio­grafike.

Duhet theksuar se shënimet e tjera që kanë qenë në botimin e parë, nuk janë dhënë në botimin e dytë, gjë që duhet parë si një hap pozitiv i përkthyesit, ngase konsiderojmë se ato shënime nuk e kanë pasur vendin as në botimin e parë më 1985. Fjalën e kemi për këto shënime: Studim i Fazlur Rrahmanit me titull “Kur’an-i”, f. 9-27; Një kronologji e shkurtër e jetës së Muhamedit e titu­lluar “Ndihmesë për ta kuptuar Kur’anin. Disa njohuri nga jeta e Muhamedit a.s.”, f. 853-860; “Gratë e Profetit Muhamed” (f. 861-864).

II) “KUR’ANI I MADHËRUAR”

(Përktheu Prof. Hasan I. Nahi; recenzentë: Adem Hoxha dhe Nuhi Hajrullahu; Redaktor: Nexhat H. Nahi; Lektorë: Mehmet Halimi dhe Nexhat H. Nahi; korrektor: Jusuf Humolli; u shtyp në shtypshkonjën “Ognjen Prica” – Zagreb; Tirazhi: 5.000 copë; botoi: Prof. Hasan Efendi Nahi, Prishtinë 1988, f. 612-XXXIV).

Tri vite më vonë, më 1988 po në Prishtinë në botim të për­kthyesit kemi përkthimin e Kur’anit të përkthyer nga alimi e my­derrizi i njohur Hasan ef. Nahi i titulluar Kur’ani i Madhëruar.

Përkthimit i paraprin parathënia e shkruar nga Sadri Prestre­shit, që mban datën tetor 1986, që jep të kuptohet se përkthimi ishte i gatshëm për botim atë vit, pas së cilës vjen fjala e për­kthy­esit e titulluar “Përkthimi i Kur’anit”, ku përkthyesi në pika të shkurtra flet për “detyrën e çdo dijetari për ta përkthyer Kur’anin në gjuhën e vet”, për mënyrën e përkthimit të Kur’anit (tekstua­li­sht, ose me koment), e në fund përmend disa nga përkthimet më kryesore të Kur’anit në gjuhët e Evropës. Pasojnë: “Jeta e hazreti Muhamedit a.s” f. VII-XV, “Përmbajtja e lëndës” f. XVI, Për­mbajtja e temave të sureve f. XVII-XXXI[13], “Shpjegimi i termave arabe dhe shkurticave” dhe në fund të kësaj faqeje lista e ajeteve, ku duhet bërë sexhde.

Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe është përfshirë f. 1-610. në faqen 611, është dhënë duaja e hatmes vetëm në gjuhën arabe.

Në dallim nga përkthimi i parë, ky botim ka edhe tekstin ori­gjinal.

Ja sureja Fatiha e përkthyer në shqip nga Hasan ef. Nahi:

 

Sureja e 1-El-Fatiha

Mekkase-7 ajete

Bismil-Lahir-Rahmani-Rahim!

Me emër të All-llahut, Mëshirues dhe përdëllimtar i Madh.

1. Çdo lavdërim i përket All-llahut (Perëndisë), Zotit të Gji­thësisë.

2. Mëshirues dhe Përdëllimtar i madh!

3. Sundues të Ditës së gjykimit.

4. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!

5. Udhëzona në rrugë të drejtë.

6. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.

7. E jo në (rrugën) e atyre që kanë shkaktuar pezmin (Tënd), as në rrugën e atyre që janë të humbur. (shih: Kur’ani i Madhëruar, përktheu prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë 1988).

Në fillim të çdo sureje përkthyesi ka dhënë e përgjithshme të sures numrin e sures, emrin e sures, vendin e zbritjes, numrin e ajeteve, si psh: Sureja e 1, El-fatiha, Mekase, 7 ajete[14] apo Sureja e 16 – En-nahl, Mekkase 128 ajete[15]. Në këtë përkthim janë shë­nuar edhe ndarja e Kur’anit në xhuza, ndërsa emrat e sureve fare nuk i ka përkthyer, janë lënë në origjinal veçse janë transkriptuar psh: El-fatiha, El-bekaretu, Ali Imran, Isra Ez-zuhruf (Zyhryf) El-hyxherat; e kështu me radhë.

Si edhe përkthimi i parë, edhe ky nuk është komentuar, por vende-vende përkthyesi, gjatë përkthimit, me qëllim sqarimi, ka futur fjalë brenda kllapave, si p.sh:

“Dhe (kujtonie), kur prej jush morëm premtimin dhe ngri­t­ëm Turin (malin) mbi ju; (e Na ju thamë): Merreni me seri­o­zitet atë që ua kemi dhënë juve (Tevratin) dhe kinie ndërme­nd atë që gjendet në të, për t’u ruajtur!” (Bekare-63)[16]

Kur të ndodhë Ngjarja (dita e kiametit)”. (El-Vakia:1)[17]

“…e cila i ulë të këqinjtë, i lartëson (të mirët)”. (El-Vakia: 3)[18]

(Ai) nuk ka lindur prej ndokujt, as nuk ka lindur kë”. (El-Ihlas:3)”[19]

 

Duke i qëndruar besnik origjinalit, këtu edhe teksti i përkthi­mit në gjuhën shqipe është faqëzuar sipas origjinalit, që do të thotë se teksti edhe në gjuhën shqipe fillon nga ana e djathtë. Në këtë botim është munduar që, krahas tekstit origjinal, të japë edhe tekstin e përkthyer në shqip.

Ajetet e përkthyera në gjuhën shqipe në këtë botim janë ra­dhitur njëri pas tjetrit në stilin e prozës, edhe në këtë rast duke ndjekur radhitjen e Kuranit në origjinal.Për ilustrim po japim:

1. Elif Lam Mim. 2. Perëndia është (një), s’ka zot tjetër për­veç tij, (i cili) jeton përgjithmonë dhe zotëron (mbi të gjitha krijesat). 3. Ai të ka shpallur librin Ty, të vërtetën e saktë duke vërtetuar ato të mëparshmet. Ai e ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin-4. Më parë udhërrëfyes për njerëzit, dhe ka zbritur Furkanin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta….” (Ali Imran:1-4)[20]

Këtë përkthim e botoi përkthyesi, Prof. Hasan Efendi Nahi në 5.000 copë, në shtypshkronjën “Ognjen Prica”, në Zagreb 1988.

Është ribotuar më 2000 në Prizren, nga Këshilli i xhamisë “Gazi Mehmet Pasha-Bajrakli”, nën përkujdesjen e Reshat Me­xhidit, i cili ka përgatitur edhe parathënien e botimit të dytë (shih: Kur’ani i Madhëruar; përktheu Hasan ef. Nahi, Prizren 2000, f. 7-12).

Ky botim është në format xhepi (10 x 16) dhe, në dallim nga botimi i vitit 1986, që kishte edhe tekstin origjinal, këtu është ve­tëm teksti i përkthimit në gjuhën shqipe. Përkthimi zë faqet 13-637, ndërsa me shënimet përcjellëse që janë ato të botimit të parë, ka 720 faqe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

III) “KUR’ANI, PËRKTHIM ME KOMENTIM”

(Përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, recensent: H. hfz. Mu­hamed Gashi-muderris dhe prof. Miftar Ajdini; Lektorë: Mehmet Halimi, Shefkije Islamaj dhe Ragip Mulaku; korrektorë: Avni Aliu dhe Rexhep Luma; Redaktura teknike: Ali Govori, shtypi: OPGBG-”Rilindja” – Prishtinë; botoi: Kryesia e Bashkësisë Isla­me për RSS, Prishtinë 1988, f. 904).

 

Po në vitin 1988 në Prishtinë, në botim të Kryesisë së Bash­kësisë Islame të Kosovës, botohet përkthimi i Kuranit nga doajeni e themeluesi i publicistikës islame në gjuhën shqipe pas Luftës së Dytë Botërore, myderrizi e alimi i njohur i medresesë së mesme “Alauddin” dhe i tërë Kosovës, h. Sherif Ahmeti, me titullin “KUR’AN-I PËRKTHIM ME KOMENTIM”.

Ky botim hapet me Përmbajtjen e lëndës f. 3-6, pas së cilës vjen fjala e botuesit, “Parathënia” e shkruar nga Jetish Bajrami f. 7-10, në vazhdim është dhënë një studim për Kur’anin i titulluar “Vështrim rreth Kur’anit” f. 11-23, i ndarë në disa nëntituj. Në këtë studim flitet për veçoritë e Kur’anit, për vahjin, për tema­ti­kën e Kur’anit, mrekullinë, ndarjen e Kur’anit, tubimin e Kur’anit etj.

Përkthimi në gjuhën shqipe fillon nga f. 26 e përfundon në f. 893, ku krahas përkthimit, në dallim nga dy botimet e para, është dhënë edhe një komentim i shkurtër.

Ja përkthimi i sures Fatiha:

 

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, mëshirëbërësit!

1. Falënderimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botëve!

2. Bamirësit të përgjithshëm, mëshirëbërësit!

3. Sunduesit në ditën e gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!

4. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndih­më!

5. Udhëzona (përforcona) për në rrugën e drejtë?

6. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira.

7. jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!

(shih: Kur’an-i përkthim me komentim, përktheu dhe ko­mentoi h. Sherif Ahmeti, Prishtinë 1988, f. 27).

Komentimi është dhënë në fund të faqeve, diku më gjatë e di­ku më shkurt, varësisht nga tema e komentuar. Do theksuar se nuk kemi një komentim sistematik por të herëpashershëm, të aty­re ajeteve që e ka parë të udhës përkthyesi dhe komentatori h. Sherif ef. Ahmeti, që në këtë rast janë shënuar me “yllz”[21]. Kome­ntimin kryesisht e përshkon sqarimi nga fryma e besimit, për se h. Sherifi është shprehur: “Kohë pas kohe, e sipas temati­kës së një numri të ajeteve kam shënuar një koment jo aq të gjerë, por sipas burimeve më të besueshme e tradicionale, e posaçërisht, kur është fjala për shkakun dhe motivin e shpalljes së ndonjë pjese të Kur’anit (Sebebi nuzul)”[22]

P.sh: për suren Fatiha, h. Sherifi ka dhënë një komentim me një tekst përafërsisht 2 faqesh, ku sqaron fjalët Hamd, pastaj Rabb, Rrahman, Rrahim, Hidajet dhe Amin, dhe për secilin term ka dhënë një sqarim të shkurtër e tematik.

P.sh:

“’Rabb’ do të thotë: Zoti, krijues i gjithësisë, Udhëheqësi, Rregulluesi, Komanduesi, i Gjthfuqishmi etj., Zot i atij që e beson si edhe i atij që nuk e beson dhe nuk e adhuron…..[23]”.

apo

“’Aminë!’ O zot pranoje lutjen tonë! Kjo shprehje nuk është pjesë e kësaj sure e as pjesë e Kur’anit, por një shprehje që thu­het në fund të lutjes[24].”

apo komenti i dhënë për 10 ajetet e para të sures El-En’am:

“Në vend që adhurimi, madhërimi dhe lavdërimi t’i bëhet ve­tëm Allahut, që krijoi tërë ekzistencën me të gjitha qeniet dhe ko­mandon me të gjitha ngjarjet e ndodhitë; atij që është i adhuruar prej gjallesave të qiejve e të tokës, idhujtarët mekas i përshkrua­n­in shok dhe i njihnin për zota idhujt e tyre të gdhendur me duart e tyre dhe nuk kuptonin se do t’i shkatërrojë Allahu sikurse i shka­tërroi ata para tyre, të cilët ishin edhe më të fuqishëm.

Nga kokëfortësia dhe inati, idhujtarët nuk deshën ta pranojnë Muhamedin si pejgamber, as Kur’anin si shpallje e Zotit. Kër­ku­an t’u vijë ndonjë melek e të vërtetojë për Muhamedin etj. Zoti e ngushëllon Muhamedin për talljet që bënin, duke i thënë se edhe me pejgamberët para teje bëheshin këso talljesh dhe se Zoti do t’u japë atyre dënimin e merituar.[25]

Ky përkthim i Kuranit ka edhe tekstin origjinal, që është te­ntuar të vihet përballë përkthimit shqip, por nuk është arritur gji­thherë, si p.sh. ajetet 6-13 të sures el-Bekare janë të faqëzuara në faqen 33, ndërsa origjinali vjen në faqen 34 (ajetet e përkthy­era 14-20), për të vazhduar në faqen vijuese, ku përball ajetit 18 të origjinalit, është dhënë përkthimi i ajetit 21, e kështu me radhë.

Si edhe te përkthimi i Hasan efendiut, edhe këtu teksti origji­nal përballë përkthimit në shqip, është i vogël (8×10 cm në faqen 17×23.50 apo përafësisht 1/4 e faqes). Edhe këtu e edhe tek për­kthimi i Hasan efendiut, teksti origjinal më tepër ka rol dekorativ sesa që mund të përdoret për qëllime krahasuese.

Në fillim të çdo sureje përkthyesi jep të dhënat e sures, si em­rin e sures, numrin, vendin e zbritjes, emrin e sures para­prake dhe numrin e ajeteve si p.sh: Suretu El-Bekaretu, Kaptina 2, E para sure e Zbritur në Medine, ajete 286; Suretu El Ahzabë, Kap­tina 33, e zbritur në Medinë, pas sures Ali Imran, ajete: 73; Su­retu El Furkanë, Kaptina 25, e zbritur në Mekë, pas sure Jasin, aje­te 77.

Pastaj, përkthyesi jep një përmbajtje të shkurtër të sureve dhe shpjegon shkaqet e emërtimit të tyre.

Si shembull po sjellim përmbajtjen e hyrjes, që është dhënë për suren Fatiha:

 

“Suretu El Fatiha

Kaptina 1

E zbritur në Mekke pas sures el-Mudeththir, ajete 7

Në këtë kaptinë të shkurtë prej shtatë ajetësh janë përmble­dhur e theksuar në mënyrë të përgjithshme qëllimet themelore për të cilat synon Kur’ani famëlartë, siç janë:

– besimi në një të vetmin Zot xh.sh., Krijues i përgjithshëm, i emëruar e i cilësuar me emra më të bukur,

– besimi në ringjallje, në jetën e pasosur në botën tjetër, në përgjithësi para Zotit, në ditën e gjykimit dhe në shpërblimin me të mira ose me ndëshkime për vepra e bëra në këtë jetë,

– besimi dhe bindja e patundshme se vetëm Zotit i takon adhu­rimi dhe se të gjitha të mirat duhet kërkuar vetëm prej Tij,

– besimi në ligjin e Zotit sipas të cilit të gjitha të mirat ua dhuroi atyre që ndoqën rrugën e drejtë dhe I ndëshkoi ata të cilët u larguan dhe humbën rrugën e drejtë.

Quhet: “Suretu el Fatiha”- kaptina e fillimit, e hyrjes, ngase hyrja në këtë libër të famshëm, në Kur’an fillon prej kësaj su­re, e cila në radhitje është e para, anipse nuk është shpallur e para.

Kjo sure është e emërtuar edhe me emra të tjerë si: ymmul ki­tab, Es seb-ul methanij, Esh shafije, el Vafije, el Kafije, el Esasë etj.

Për rëndësinë dhe vlerën e lartë të kësaj sureje Imami Ahmed shënon në Musnedin e vet: “Ubej ibni Ka’bi e lexon këtë sure pranë Pejgamberit, e ai thotë: Pasha Atë, në duart \e të cilit është shpirti im, sikur kjo sure nuk ka zbrit në Tevratë, as në Inxhil, as në Zebur, e as në Kur’an, kjo është Es Seb’ul me­thanij dhe Kur’ani madhështor, i cili më është dhënë mua”!

Buhariu shënon në sahihun e vet se Pejgamberi i paska thënë Ebi Seid ibni Mual-la-së: “do ta mësoj një sure që është më e madhja e sureve të Kur’anit: El hamdu lil-lahi rabbil ale­mi­në, kjo është Es Seb-ul Methanij dhe Kur’ani madhështor, që më është dhënë mua”![26]

Megjithëqë përkthimi është i komentuar pjesërisht, gjatë për­kthimit të ajeteve në disa vende me qëllime sqaruese, edhe këtu janë përdorur fjalë në kllapa, si p.sh:

“Sundues në ditën e gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)! (el-Fatiha: 3)[27]

“Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Por ata që u ruajtën (besimtarët) do të jenë më të lartë mbi ata (mosbesimtarët) në ditën e kiametit. Allahu i jep (shpërblim) pa masë atij që e do” (Bekare: 212)[28].

Petkat e tyre janë nga katrani (pezhgveja-zifti), kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë zjarri.

(dalin para Zotit) Për ta shpërblyer Allahu secilin njeri me atë që e fitoj. Vërtet, Allhu është llogaritar i shpejtë. (Ibra­him: 50-51)[29]

Përkthimi dhe komentimi i Kur’anit përfundon në faqen 893 pas së cilës në faqen 894 është dhënë Duaja e hatmes vetëm në gjuhë arabe

Shënimet historike janë dhënë në f. 895-899, ku është dhënë një kronologji e shkurtër historike e ngjarjeve kryesore gjatë shpalljes së Kur’anit dhe peripecive të përhapjes së fesë islame. Kjo kronologji është e ndarë në këta nëntituj: Periudha e hersh­me; Periudha kurejshitëve; Periudha e Muhamedit si pejgamber në Meke; Muhamedi pejgamber në Medine; Organizimi i jetës gjatë kohës së pejgamberit dhe Hulefai rashidinët.

Fjala e përkthyesit f. 901-903, që h. Sherifi e fillon me Falë­nderim Allahut, lavdërim profetit, pastaj në pika të shkurtra, për mrekullinë e Kur’anit e për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqi­pe thotë: “Edhe unë, i shtyrë nga përshtypjet e dome­thënieve të cilat i kuptova aq sa munda duke lexuar Kur’anin, iu përvesha një pune më shumë delikate, përkthimit dhe shpje­gimit të do­me­thënieve të tij, por i mbështetur në ndihmën e Zotit, e cila nuk mungon nëse qëllimi është i sinqertë dhe i bindur se mëshira e tij është më e madhe se çfarëdo gabimi në punë”[30].

Botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame për RSS – Prishtinë 1988. Nuk ka të dhëna në sa copë është botuar[31].

Ky përkthim, falë komentimit, ka arritur të depërtoj e të për­hapet më së shumti në masë, dhe është ndër librat që është botuar me numrin më të madh të ekzemplarëve në gjuhën shqipe. Është ribotuar në Kajro-Egjipt (1992), në Medinë të Arabisë Saudite (1993); të dy këto botime janë të sponsorizuara nga familja Mbre­tërore e Mbretërisë saudite Al-Saud, dedikuar shqiptarëve të besi­mit islam në Shqipëri. Vetëm botimi i Medinës është shtypur në 1 milion kopje dhe është shpërndarë falas në të gjitha viset shqip­tare.

Më 1994 u botua përsëri në Kajro nga Islamic Relief, shoqatë nga Anglia; është botuar edhe nga WAMY, pa vend e vit botimi (në Prishtinë më 1996).

IV) “KURANI I SHENJTË, përkthim e komentim”

(Përkthim e komentim e bëri Muhammed Zakaria Khan; u botua nën mbikqyrjen e Hazret Mirzah Tahir Ahmadit-Kalifai i katërt i Mesihut të Premtuar dhe kryetar suprem i Lëvizjes Ahmediane në Islam botoi: Islam International Publicition, L.T.D., Islamabad, Sheephatch Lane, Tilford, Surrey, GU10 2AQ, UK.- 1990, f. 893)

Në vitin 1990 kemi përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, të katërtin me radhë, komplet në një hark kohor vetëm prej 5 vje­tësh. Për dallim nga 3 përkthimet e para të botuara në Prishtinë, që janë përkthyer nga shqiptarët, dhe u botuan nga institucionet përkatëse (dy nga Kryesia e Bashkësisë Islame, ndërsa një nga përkthyesi), përkthimin e katërtë të Kuranit në gjuhën shqipe e ka bërë studiuesi i albanologjisë-pakistanezi Muhammad Zekarija Khan, që e botoi “Islam Internacional Publication LTD” në Isla­mabad, megjithëqë shqiptarët tani më kishin tre përkthime të Kuranit, (madje një i shoqëruar me një komentim të shkurtër) nga tre përkthyes të ndryshëm.

Këtij përkthimit i paraprinë “Parathënia” e botuesit[32] pas së cilës vjen: Fjala e përkthyesit, ku pos të tjerash ai thotë: “Kaherë kam pasur ndërmend ta përkthej Kuranin në gjuhën shqipe, por rrethanat të ndryshme objektive e subjektive nuk më lejuan ta re­alizoj dëshirën time. Sotë jam tepër i lumtur dhe i jam mirënjohës Zot tim që më mundësoi ta plotësoj këte dëshirë timen të kahe­rshme”[33]

Përmbajtja e lëndës, është dhënë në dy faqe tekst e titulluar “Renditja e sureve”[34]

Përkthimi i Kuranit fillon në faqen 1[35] ku në fillim është dhë­në vetëm Bismilahi në gjuhën arabe dhe përballë tij përkthimi në shqip si vijon:

“Në emër të Allahut të Mëshirshëm dhe të Dhembshueshëm”

Ndërsa në tërë faqen është dhënë një koment i gjerë për këtë duke e ndarë në çdo pjesë të fjalisë, p.sh. kështu e komenton për­kthyesi pjesëzën Bi, edhe pse shenja që sinjalizon komentin është te përkthimi në gjuhën shqipe në pjesëzën Në.

“Ba-ja është pjesëza që shpreh një numër të madh kuptimesh, fjala e përbërë “Bism”, pra do të thotë, në emër të… . Sipas për­dorimit të gjuhës arabe shprehja lexo, unë lexoj apo lexojmë nën­kuptohet, dhe kjo do të thotë lexo në emër të Allahut, unë lexoj në emër të Allahut apo ne lexojmë.”[36]

Në fund të kësaj faqeje përkthyesi për “Bismilahin” sqaron për lexuesit se: “Bismillah Al-Rrahman Al-Rrahim është ajeti (vers) i parë i Kuranit. Ibne Abassi rrëfen se kur zbritej ndonjë sure, bismillah zbritej si pjesë e saj. Pra, bismillah është pjesë e Kuranit dhe këtë e vërteton edhe e thëna e Profetit të shenjtë kur ai tha: ‘Bismillah është pjesë e sureve të Kuranit’ (Buhari). Pra­ndaj, ne e kemi numëruar atë në ajetet e asaj sureje së cilës vjen bismilah.”[37]

Ajetet 2, 3 dhe 4 të sures Fatiha janë dhënë në fillim të faqes 2 (pas të cilëve pason një koment për këto ajete në 7 pjesë), ajeti i 5-të është dhënë në faqen 3 (edhe këtu komenti zë pjesën tjetër të faqes), ndërsa dy ajetet e fundit (6 e 7) të sures Fatiha janë dhënë në faqen 4[38].

Përkthimi i Kur’anit me komentim në gjuhën shqipe i sho­që­ruar dhe me tekst origjinal është përfshirë në 893 (shih f. 1-893).

Për çdo ajet të përkthyer në shqip përball tij është dhënë teksti origjinal, pa marrë parasysh gjatësinë e ajetit që paraqet një për­pa­rësi dhe lehtësi të avancuar në përputhje me standardet bashkë­kohore. Ajetet në fillim janë shënua me numra përkatës dhe çdo ajet si në shqip ashtu edhe në arabisht fillon me kryerresht, që bo­timit ia shton vlerën e përgatitjes teknike, ja përkthimi komplet i Sures Fatiha:

 

1. Në emër të Allahut të Mëshirshëm dhe të dhembshueshëm

2. Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut që është Zot (Rabb) i botërave.

3. Ai është shumë i Mëshirshëm dhe i Dhembshueshëm.

4 Është Zoti i ditës së Gjykimit

5. O Zot! Vetëm Ty të adhurojmë ne dhe vetëm prej Teje po kërkojmë ndihëm.

6. Udhëheqna në rrugën e drejtë

7. Në rrugën e atyre, të cilët i bekove Ti e jo në rrugën e aty­re, të cilët u bënë pre e zemrimit Tënd e as të atyre të ci­lët u devijuan nga rruga e drejtë! (Sure Fatiha 1-7)[39]

 

Komentet janë dhënë në formë të fusnotave dhe në atë formë janë radhitur në fund të faqes, por ka raste kur komenti zë thuajse një faqe (shih: f. 1-3 etj), ndërsa në shumë faqe nuk ka fare ko­ment (f. 28, 120, 125, 127-128, 130-132, 157-159 etj.). Në tërë përkthimin janë dhënë 1424 komente. Numërimi i komenteve fi­llon në suren Fatiha dhe përfundon në suren Nas, pa marrë pa­ra­sysh ndarjen e sureve nuk është këputur vazhdimësia e numërimit të komenteve. Edhe këtu kemi komentim selektiv të ajeteve[40].

Ja komenti i dhënë për ajetin: 2 të sures en-Nexhm

“Naxhm do të thotë yll, por kur përdoret si emër veçues, e si­gnifikon Plejadën. Sipas disa dijetarëve kjo referon Profetin e Shenjtë. Mirëpo, kjo e referon atë paralajmërim të Profetit të Shenjtë: ‘Nëse do të shkoj imani nëpër yllin (Plejadë), një njeri nga familja persiane do ta sjellë prapë në botë’. Këtu është fjala për Mesihun e Premtuar, ardhjen e të cilit janë duke e pritur të gjithë.”[41]

Ky komentim si dhe të tjerët të kësaj natyre, që veçohen për liri të përkthyesit, dhe shënimi i dhënë në fillim të përkthimit “U botua nën mbikëqyrjen e HAZRET MIRZAH TAHIR AH­MA­DIT Kalifai i katërt i Mesihut të Premtuar dhe kryetar suprem i lëvizjes Ahmediane në islam”, të japin të kuptosh se ky përkthim është i përgatitur për qëllime misionare që të përhapet Lëvizja Ahmediane te shqiptarët.

Përkthimi i Kur’anit përfundon në faqen 893, pas së cilës në faqen vijuese 894 është dhënë ”Lutja e përfundimit të Kur’anit” një dua e shkurtë që është dhënë në gjuhën arabe dhe në gjuhën shqipe.

“Pasqyrën e lëndave” është dhënë në formë të shtojcës që zë 28 faqe. Kjo shtojcë fare nuk është faqëzuar.

Kjo shtojcë që më tepër i përngjan indeksit të emrave të për­veçëm është radhitur sipas rendit alfabetik.

Këtë përkthim e botoi: Islam International Publicition, L.T.D, Islamabad 1990.

Është ribotuar në vitin 2003 me titull “Kurani Kerim, përkth­im e komentim në gjuhën shqipe” nga Islam International Publi­ca­tion LTD.

Krahasuar me botimin e parë, ky botim teknikisht është shu­më më i përgatitur se botimi i parë, madje në shikim të parë ajo që bie në sy edhe gjuhësisht në nivel të lart, kjo mund të kuptohet edhe nga ky konstatim i përkthyesit në parathënie ku në fund thotë: “Së fundi falënderoj profesorët e mi të dashur e shumë të respektuar të Universitetit të Prishtinës e të Tiranës dhe shokët e mi të nderuar që më dhanë një përkrahje dhe impuls gjatë këtij përkthimi!”[42]

Ky botim hapet me një fjalë hyrës të përkthyesit i cili në formë sqarimi që në fillim thotë: “Së pari i falënderohem Allahut xh.sh. i cili më mundësoi ta rishikoj përkthimin e Kuranit në gju­hën shqipe, të cilin e kam përkthyer dhe e kam botuar gati para dhjetë viteve. Botimi i parë mban me vete shumë gabime tekniko-gjuhësore dhe në disa vende kishte nevojë për korrigjime. Prandaj kërkoj falje për ato gabime të rastit që kanë mbetur në të. Tashmë vite me radhë kam punuar që të përmirësoj këtë përkthim dhe të bëj më të mirë e më adekuat. Ky botim i dytë është një përkthim pothuajse i ri, me përmirësime nga ana tekniko-gjuhësore dhe me komente e shpjegime të reja”[43]

Në faqen V është dhënë Parathënie e botuesit, ndërsa në atë të IX Fjala e përkthyesit. Tabela Renditja e sureve është dhënë në faqen XI, pas së cilës nga faqja XIII deri LII është dhënë Pasqyra e lëndave. Kurani me përkthim në shqip fillon në faqen 1, ku është dhënë në origjinal dhe përkthimi në shqip i bismilahit, që këtu është llogaritur si ajet. Për kuptimin e bismilahit në gjuhën shqipe në formë fusnotash përkthyesi e në këtë rast edhe kome­ntuesi ka dhënë 4 shpjegime që zënë tërë faqen.[44]

Kurani me përkthim e komentim në gjuhën shqipe ka 1202 faqe (1-1202), ndërsa në faqen 1203 është dhënë: Lutja e përfu­ndimit të Kuranit në arabish e në shqip. Ky botim përmbyllet me adresat e qendrave të ahmedive në Tiranë, Prishtinë, Londër dhe Frankfurt.

V) SHPJEGIM I KUPTIMEVE TË KUR’ANIT
TË LARTË NË GJUHËN SHQIPE

(Versioni i përmbledhur i At-Tabari, Al-Kurtubi dhe Ibn-Kethir me komente nga Sahih Al-Bukhari, përmbledhur në një vëllim, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam, Riad, 2000)

Është përkthimi i gjashtë me radhë i Kuranit në gjuhën shqipe i botuar komplet në gjuhën shqipe. Që në fillim do thënë se ky përkthim i Kuranit ka për karakteristikë se përkthyesit e tij në gjuhën shqipe janë anonimë dhe se e tërë puna, duke përfshirë këtu edhe iniciativën për përkthim, janë marrë në Riad të Arabisë Saudite.

Ky përkthim është i botuar në dy formate, në format xhepi 8 x 11.50 cm dhe në format standard (A/5 15 x 22 cm).

Formati standard A/5, për dallim nga ai i xhepit është i pa­ji­sur edhe me tekst origjinal, dhe si duket për këtë radhitja dhe fa­qëzim i përkthimit në gjuhën shqipe është bërë sipas modelit të origjinalit nga e djathta në të majtën.

Pas të dhënave bibliografike, botuesi për lexuesin ka dhënë këtë sqarim:

“Ky botim është i korrigjuar nga një ekip i kualifikuar pranë Shtëpisë Botuese dhe shpërndarëse Darussalam nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të dr. Muhamed Muhsin Khan. Janë bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur çdo gabim te botimet e mëparshme. Gjithashtu, janë përfshirë sugjerimet që na janë bërë nga të gjitha anët e botës. Megjithatë, për çdo gabim që mund të ndeshë lexuesi, ju lutemi të na vini në dijeni, në mënyrë që ta ndreqim në botimet e ardhshme.”[45]

“Përmbajte” e lëndës është dhënë në faqen 4, ndërsa në fa­qen 5 është dhënë fjala e botuesit e titulluar “Dy fjalë nga Botu­esi”, të nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i Shtëpisë Botuese dhe Shpërndarëse DARUSSALAM, Abdul Malik Muxhahid, pa­sojnë: “Kur’ani i lartë, një mrekulli nga Allahu, fq. 6-7, “Njo­huri për përkthyesit”, fq. 8-9[46]

Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe fillon në faqen 11, me suren el-Fatiha. Ajo që do përmendur që në fillim është se në kë­të botim përgatitja teknike është e standardeve bashkëkohore në çdo aspekt dhe si e tillë e pa praktikuar deri me tani në botimet e Kur’anit në gjuhën shqipe. Kjo mund të shihet që në fillim si me thyerjen ashtu edhe me faqëzimim e tekstit ku në anën e dja­th­të të faqes është dhënë teksti në origjinal (në gjuhën arabe) ndë­rsa për­ball tij në anën e majtë të faqes është dhënë përkthimi në gju­hën shqipe.

Përkthyesit në fillim kanë dhënë suren, e numëruar sipas nu­mrave rendor, emrin në origjinal, përkthim në gjuhën shqipe dhe xhuzin që në gjuhën shqipe është përkthyer si pjesa, psh: “Sure 1. Al-Fatiha. Hapja Pjesa e 1[47]”, apo “Sure 25. El-Furkan (Kriteri i së Vërtetës), Pjesa e 18”[48].

Kur’ani me përkthim në gjuhën shqipe zë plotë 901 faqe.

Ja përkthimi i sures fatiha:

Sureja 1 :Aal-Fatiha. Hapja

1. Me emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

2. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e Alemit (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe gjith­çkaje që gjinden në të, gjithçka që ka krijuar Allahu Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

3. I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

4. I vetmi Zotërues (dhe i Vetmi Gjithëgjykues Mbisundues) i ditës së Shpërblimit (Ditës së Ringjalljes).

5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë),

6. Drejtona në Rrugën e Drejtë.

7. Në Rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar Mirësinë Të­nde, jo (në rrugën) e atyre që merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugën e) atyre të cilët u hu­mbën.

(shih: Shpjegim i Kuptimeve të Kur’anit të Lartë në Gju­hën Shqipe, Riad 2000, fq. 11-12).

Përkthimi është i komentuar, edhe këtu kemi komentim sele­ktiv të ajeteve, teksti i komentit është dhënë në formë fusnotash i faqëzuar në fund të faqes.

Ja disa komente:

“Zot: fjala në Kur’an është Rabb dhe nuk ka asnjë fjalë të ba­rasvlershme. Ngërthen një hapësirë të gjerë kuptimore, do të thotë: Zoti Një dhe i Vetëm për mbarë gjithësinë, krijimin, Krijue­si i saj, Mbizotëruesi, Organizuesi, Furnizuesi, Sunduesi, Rregu­lluesi, Mbajtësi, Frymëzuesi, Mbrojtësi i saj e tjer. Rabb është emër nga Emrat e Allahut. Të gjitha përdorimet e fjalës Rabb të përkthyera Zot në përkthimin e kuptimeve të Kur’anit të Ma­dhë­rueshëm duhet të kuptohen në këtë hapësirë kuptimesh.[49]

 

Megjithëqë përkthimi është i komentuar në tekstin e përkthi­mit në shqip, përkthyesit kanë futur fjalë sqaruese, kuptohet në kllapa, madje më shumë se në të gjitha përkthimet e tjera në gju­hën shqipe. Shih:

“Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e Alemit (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe gjithçkaje që gjinden në të, gjithçka që ka krijuar Allahu Zoti i njerëzve dhe i xhindeve)” (sure Fatiha ajeti: 2)[50].

 

“I vetmi Zotërues (dhe i Vetmi Gjithëgjykues Mbisundues) i ditës së Shpërblimit (Ditës së Ringjalljes)”. (sure Fatiha ajeti: 4)[51]

 

“Fjala e vetme e besimtarëve të vërtetë, kur ata thirren tek Allahu (te fjala e Tij, Kur’ani) dhe i Dërguari i tij (a.s.) për të gjykuar mes tyre, është që të thonë: “Dëgjuam dhe u bi­ndëm.” Dhe mu këta janë ata që fitojnë lumturinë (Xhenetin e pasosur)”. (Sure En-Nur ajjeti: 51)[52]

 

Përkthimi dhe komentimi i Kur’anit përfundon në faqen 902, ndërkaq në faqen vijuese 903-930 është dhënë “Shtojca I” e nda­rë në disa nëntituj si: Teuhidi; Shahadeti; Isai dhe Muhamedi (paqja qoftë mbi ta) në Bibël; dhe Kur’an; Profecia Biblike mbi ardhjen e Muhamedit (a.s.); Përfundimi mbi provat për fabriki­min e ndodhisë së kryqit; shirku dhe kufri; en-Nifak , e cila mban firmë e Dr. Teki-ud-Din El-Hilali; dhe Dr. m. Muhsin Khan; Uni­versiteti Islamik në Medinë[53]

Në faqet 931-953 fillon “Shtojca II” që është titulluar “Thi­rrja Islame” (Vendosmëria për çështjen e Allahut në Kur’an), e nënshkruar nga Sheikh Abdullah bin Muhamed bin Humejd-kryegjykatës i Arabisë Saudite[54]

Në faqen 954 është dhënë shënimi i titulluar “Njoftim”, ku, përveç të tjerash, thuhet:

“Ky Kur’an i Madhërishëm është shpjegimi dhe paraqitja e kuptimeve të Kur’anit të Lavdishëm në bazë të Besimit të ahlus-Sunnah ëal-Jama’ah dhe është marrë nga tefsiret:

a) Ibn Xharir at-Tabari, i cili ka vdekur në vitin 310 hixhrij

b) Al Kurtubi, i cili ka vdekur në vitin 671 hixhrij

c) Ibn kethir, i cili ka vdekur në vitin 774 hixhrij.

 

Ndërsa në fund të këtij shënimi thuhet:

“Sa për dijeni, sot është e qartë për gjithkënd se nuk gjendet ndonjë libër me titullin “Tefsiri i Kur’anit” me autor Muhamed bin Abdul-Wahab. Për këtë arsye, deklerata e mësipërme ka që­llim shmangien e çdo keqkuptimi që mund të lindë. Allahu është vërtetuesi më I sigurt për të”[55]

Përkthimi përfundon me “Treguesin e sureve”, në të cilin ja­në dhënë emri i sures, numri rendor, numri i faqes ku fillon surja dhe vendi ku është zbritur, p.sh:

 

Sure

 

nr.

Faqe

 

Al-fatiha

1

11

Mekka

 

An-Nisa

4

126

Medina

 

El-Kijameh

75

845

Mekka[56]

 

Ky përkthim është botuar nga Shtëpia Botuese dhe Shpërnda­rëse “Darussalam” në Riad të Arabisë Saudite. Tek ne në Kosovë është shpërndarë falas nga shoqatat arabe-islame me mision hu­manitar në Kosovë.

Ajo që duhet theksuar në këtë përkthim, është se përveçqë nuk dihen përkthyesit, një gjë që nuk është në rregull, në këtë bo­tim janë të tepërt edhe të pavenda shënime e të dhëna si në fillim ashtu edhe në fund të këtij përkthimi. Këto të dhëna më tepër sjellin huti e konfuzion dhe, si të tilla, janë tendencioze. Mendoj që shënime të tilla nuk e kanë vendin në përkthimet dhe botimet e Kuranit, aq më tepër kur këtu kemi edhe të dhëna biografike të njerëzve, pavarësisht për kë është fjala, shih: (“Njohuri për për­kthyesit”, fq. 8-9, aq më tepër kur këta të dy nuk janë të njohur për opinionin shqipfolës. I pavend është edhe shënimi i dhënë në formë studimi “Shtojca I” e ndarë në disa nëntituj si: Teuhidi; Shahadeti; Isai dhe Muhamedi (paqja qoftë mbi ta) në Bibël; dhe Kur’an; Profecia Biblike mbi ardhjen e Muhamedit (a.s.); Për­fu­ndimi mbi provat për fabrikimin e ndodhisë së kryqit; shirku dhe kufri; en-Nifak, e cila mban firmë e Dr. Teki-ud-Din El-Hilali; dhe Dr.m. Muhsin Khan; Universiteti Islamik në Medinë, i cili, siç duket, ka për qëllim ndikimin medhhebist!

Përfundim

Përkthimi dhe botimi i Kuranit në tërësi për çdo popull dhe për çdo gjuhë sigurisht që paraqet një ngjarje të madhe, si në rra­fshin fetar ashtu edhe në atë kulturor e shkencor.

Me botimin e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, edhe populli shqiptar u bë me një vepër monumentale, dhe shqiptarëve iu dha mundësia që Kuranin ta lexonin e ta njihnin në gjuhën e tyre, dhe kështu të rrëzoheshin shumë hipoteka e paragjykime që ishin krijuar për këtë vepër madhore.

Botimi i Kuranit të shqipëruar hapi rrugë e horizonte të reja edhe për botimet e tjera në gjuhën shqipe në fushën e islamolo­gjisë, dhe qe një ndihmesë e madhe për studiuesit e tjerë fetarë e shkencorë.

Me përkthimin e Kuranit u kurorëzua nisma e personaliteteve të rëndësishme të kulturës sonë;

U hapën rrugë e shtigje të reja për punë në këtë drejtim, që më së miri e dëshmon fakti se tani, 20 vjet pas botimit të parë të Kuranit të shqipëruar, kemi disa përkthime të Kuranit në shqip, dhe

Përkthimi është një argument i mirë se edhe shqipja i njeh ve­prat e mëdha monumentale, që janë pronë e të gjithë popujve pa dallim kombi, race, vendi e kohe…

Ndërsa ribotimet e shumta të përkthimeve të Kuranit në gju­hën shqipe tregojnë qartë interesimin dhe etjen e popullatës sonë për Kuranin si dhe ngecjen në këtë drejtim të trashëguar, kështu që tani kjo mund të merret edhe si një lloj kompensimi i një mu­ngese të theksuar disashekullore.

* Kumtesë e lexuar në sesionin shkencor “Kurani tek shqiptarët” të organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës më 26-27 dhjetor 2005 në Prish­tinë.

[1] KURANI (KËNDIMI) pjesa e parë, përkthyer në shqip prej I.M.Q, shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921

[2] AJKA E KUPTIMEVE TË KUR-ANIT QERIMIT, botoi Këshilli i Naltë i Sheriatit, Tiranë, shtypur në shtypshkronjën “Ora e shkodrës” Shkodër 1929-1944

[3] -Sadik Bega: Hafiz Ali Korça pasqyrë atdhetarizme për brezin e ri; Kultura Is­la­me (organ i Komunitetit Musliman Shqiptar), viti III nanduer-dhetuer, Tira­në 1941, fq. 102-105.

[4] Ali Musa Basha: Përkthimet e hershme të Kur’anit dhe kritikat për to; Drita Islame, nr. 23-24, Tiranë 1996

[5] Naim Tërnava: Imam Vehbi Ismaili publicist dhe veprimtar i shquar; Dituria Islame nr. 29/1991

[6] Kurani, përktheu: Feti Mehdiu, botoi: Kryesia a Bashkësisë Islame për RSS, Prishtinë 1985, f. 29

[7] Po aty, fq. 244.

[8] Po aty, fq. 825, ky shënim -sqarues është dhënë për ajetin 1 e sures el-Bekare.

[9] Po aty, fq. 827, ky shënim sqarues është dhënë për ajetin 189 e sures el-Ba­kare.

[10] Përkthyes i Kur’anit në gjuhën boshnjake, përkthimi i tij konsiderohet si një ndër përkthimet më të mira në këtë gjuhë.

[11] Po aty, f. 865.

[12] Kur’ani dhe hija e tij në shqip, botoi: Logos-A, Shkup & IHH-Stamboll, 1999, fq. 2-1.

[13] Përmbajtja e temave të sureve që e jep përkthyesi, lexuesit i jep informacione të shkurta për temën, që shkoqitet në një sure apo në një pjesë të sures, dhe mu kjo e bënë këtë përkthim më të afërt me lexuesin.

[14] Kur’ani i Madhërur, përktheu: prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë 1988, f. 2.

[15] Po aty, fq. 128.

[16] Po aty, fq. 11

[17] Po aty, fq. 535

[18] Po aty, fq. 535

[19] Po aty, fq. 610

[20] Po aty, fq. 51

[21] Kështu e quan përkthyesi shenjën që sinjalizon komentin (shih: përkthimin në fjalë fq. 27.)

[22] Kur’ani përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës për RSS, Prishtinë 1988, f. 902

[23] Kur’an-i përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi h. Sherif Ahmeti, Prishtinë 1988, f. 27

[24] Po aty, f. 29

[25] Po aty, f. 185-186

[26] Kur’ani përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi h. Sherif Ahmeti, Prishtinë 1988, f. 26

[27] Po aty, fq. 27

[28] Kur’ani përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës për RSS, Prishtinë 1988, f. 70.

[29] Po aty fq. 351

[30] Po aty, fq. 902.

[31] Në të dhënat bibliografike nuk është dhënë numri se në sa copë është botuar, por përkthyesi (H. Sherif Ahmeti në intervistën dhënë të përmuajshmes “Di­turia Islame” nr. 36 prill 1992 në faqe 14, pohon se ky përkthim është botuar në 20.000 copë.

[32] Islam International Publicition, LTD

[33] Kurani i Shenjtë, (Fjala e përkthyesit pasuesi i dytë), Islamabad 1990.

[34] Po aty, (Parathënja, Fjala e përkthyesit dhe renditja e sureve nuk janë të faqë­zuara).

[35] Këtu fillon faqëzimi i veprës dhe këtë me nr.1.

[36] Kurani i Shenjtë, përktheu Muhammad Zakarija Khan, Islamabad 1990, f.1.

[37] Po aty fq. 1, këtë shënim e dhamë me qëllim që të shihet niveli i gjuhës së përkthyesit……..

[38] Po aty fq. 2-4.

[39] Kurani i Shenjtë, përktheu Muhammad Zakarija Khan, Islamabad 1990, f.1-4

[40] Më gjerësisht për mënyrën e radhitjes së përkthimit, tekstit origjinal dhe for­mën e komenteve shih përkthimin në fjalë.

[41] Kurani i Shenjtë, përktheu Muhammad Zakarija Khan, Islamabad 1990, f. 724.

[42] Kurani Kerim, përkthim e komentim në gjuhën shqipe, përkthimin e komenti­min e bëri Muhamed Zakarija Khan, 2003, faqe III.

[43] Po aty, fq. III

[44] Po aty, fq. 1.

[45] Shih: Shpjegim i Kuptimeve të Kur’anit të Lartë në Gjuhën Shqipe, versioni i përmbledhur i At-Tabari, Al-Kurtubi dhe Ibn-Kethir me komente nga Sahih Al-Bukhari, përmbledhur në një vëllim, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam, Rijad 2000.

[46] Në faqen 8 është dhënë një biografi e shkurtë për jetën e dr. Muhamed Teki-ud-Din El-Halil, ndërsa në faqen 9 për prof. dr. Muhamed Muhsin Khan.

[47] Shpjegim i Kuptimeve të Kur’anit të Lartë në Gjuhën Shqipe, versioni i për­mbledhur i At-Tabari, Al-Kurtubi dhe Ibn-Kethir me komente nga Sahih Al-Bukhari, përmbledhur në një vëllim, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam, Riad 2000, fq. 11.

[48] Po aty, fq. 519

[49] Po aty, fq. 11

[50] Po aty fq. 11

[51] Po aty fq. 11

[52] Po aty, fq. 515

[53] Shih: përkthimin në fjalë, kjo firmë është vendosur në faqen 925, pas së cilës pasojnë edhe dy shënime:Shirku dhe kufri (shih; f.926) dhe En-Nifak Hipo­krizia dhe format e ndryshme të shfaqjes së saj (shih: fq. 930)

[54] Shpjegim i Kuptimeve të Kur’anit të Lartë në Gjuhën Shqipe, versioni i përmbledhur i At-Tabari, Al-Kurtubi dhe Ibn-Kethir me komente nga Sahih Al-Bukhari, përmbledhur në një vëllim, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam, Rijad 2000, fq. 953

[55] Po aty, fq. 954

[56] Po aty, 955-956.


Leave a comment

Filed under Portrete

Leave a comment