Ali efendi Jakupi*(1913-1988)

Ramadan Shkodra

Ali efendi Jakupi*(1913-1988)

një ndër alimët më të mëdhenj të shekullit XX

 

Ali efendi Jakupi*(1913-1988)

Ali efendiun, këtë shkencëtar, dijetar e poliglot të madh të shekulli të kaluar, i njohur e i çmuar në botë, po çuditërisht i lënë në harresë nga shqiptarët, me këtë shkrim duam të japim një kontribut të vogël për të ndriçuar e njohur këtë personalitet të shquar.

S’ka dyshim se ndër personalitetet shqiptare më të shquara të fesë islame në shekullin e kaluar, ka qenë Ali efendi Jakupi.

Me gjithë punën dhe angazhimin e tij prej alimi, profesori, shkencëtari e diplomati, opinioni ynë i gjerë nuk ka pasur rastin që të njihte personalitetin e tij dhe as të shijonte vlerën e punës së tij të palodhshme.

Kjo për faktin se Ali efendiu punën dhe aktivitetin e tij prej shkencëtari, alimi e diplomati e ushtroi jashtë atdheut, fillimisht në Egjipt, ku i mbaroi studimet, e më vonë në Stamboll, ku jetoi punoi dhe ndërroi jetë.

Ndër shkaqet kryesore pse Ali efendiu vendosi të jetonte e të punonte në mërgatë, ose, thënë më mirë, pse vendosi të mos kthe­hej më në vendlindjen e tij të dashur, pa dyshim ka qenë aneksimi i Kosovës nga serbët dhe ardhja në pushtet e komunistëve në Shqipërinë londineze pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ali efendiu i përket atij brezi të të rinjve që ndër të parët nga Kosova kishin marrë rrugën për të kërkuar dituri në universitetin më të vjetër në botë – në “Al-Az’harin” e famshëm të Kajros. Përpos Ali efendiut atë kohë në Kajro kanë qenë edhe këta studentë: Hysen Latifi e Muharrem Tahsini nga Gjilani (që më vonë jetuan e vepruan në Xhide të Arabisë Saudite), Hysni Hoxha, Feti Meka, Tefik Islami nga Gjakova, Vehbi Ismaili e Sulejman Gavoçi nga Shkodra[1] .

Pas përfundimit të studimeve në Kajro, shumë studentë të tjerë shqiptarë, po edhe Ali efendiu, meqenëse pushtetin në trojet shqiptare e kishin marrë komunistët, vendosën të mos ktheheshin, por të organizoheshin dhe kontributin e tyre ta jepnin në diasporë. Kësodore, me gjithë vështirësitë, ata morën mbi supet e tyre misionin për të cilin ishin shkolluar për vite të tëra.

Nga studentë shqiptarë që gjendeshin në Kajro, disa mbetën në Egjipt e të tjerët u shpërndanë në qendra të ndryshme të botës.

Biografi 

Ali Jakupi ka lindur më 1913 në fshatin Desivojcë të komunës së Kamenicës. Rrjedh nga një familje e njohur në këtë rreth e më gjerë. Të parët e tij kanë qenë hoxhallarë e alimë me nam, që kanë dhënë një kontribut të çmuar në lartësimin e mësimeve fetare, arsimore e edukative.

Familja 

Babai i Ali efendiut, Hysen efendiu, ka qenë hoxhë e hafëz i njohur, kurse gjyshi i tij haxhi Jakup efendiu ka qenë myfti i rrethinës së Gjilanit dhe njeri i respektuar e me ndikim.

Edhe xhaxhai i tij ka qenë hoxhë e hafëz.

Se sa rëndësi i kushtohej atë kohë dijes e shkollimit në familjen e Ali efendiut, më së miri flet edhe kjo e dhënë: të dy motrat e Ali efendiut patën përfunduar hifzin.

Gjithashtu edhe dy djemtë e xhaxhait kanë qenë hafëzë dhe myderrizë të njohur[2].

I pari i familjes së Ali efendiut, Omeri, që i përkiste brezit të tetë kishte dalë nga fshati Kolgec i Shkodrës dhe ishte vendosur në fshatin Desivojcë, që i përkiste kasabasë së atëhershme të Gjilanit dhe familja edhe sot e kësaj dite mban mbiemrin Shkodra.

Ali efendiu për familjen e tij thotë:

Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993.

“Nga familja jonë kanë dalë shumë hoxhallarë. Thonë se stërgjyshi, Haxhi Jakupi, ka qenë njeri i mbërrimë. Unë nuk e arrita dot. Edhe të krishterët e njihnin dhe e respektonin. Babai ishte hoxhë, dhe hafëz. Ai është edhe mësuesi im i parë i Kuranit. Unë e përfundova përvetësimin e këndimit të Kuranit në moshën 8 vjeç.”[3]

Shkollimi 

Ali Jakupi shkollën fillore e kreu në gjuhën serbe në Gjilan. Në të njëjtën kohë nga babai i tij ka mësuar Kur’ani Kerimin, të cilin e bëri hatme qysh në moshën 8-vjeçare.

Ali Jakupi mësimet e para mbi vlerat e botës dhe jetës i mori nga familjarët, ku u rritë e u edukua me virtytet më të larta islame e kombëtare.

Mësimet në shkollën fillore i ndiqte paradite, kurse pasdite mësonte turqishten. Në këtë moshë Ali efendiu mësoi përmendsh vjersha nga Mualim Naxhiu dhe Rexhaizade Ekremi.

Në medrese 

Pas përfundimit të shkollës fillore, Ali efendiu vazhdon rrugën e të parëve të tij- më 1924 regjistrohet në medresenë “ATIK” të Gjilanit, ku nga mulla Kadri efendiu dhe nga myderrizi Abdurrahman efendiu mori dituritë themelore deri më -1927.

I pasionuar pas dijes, krahas mësimeve në medrese tek Hasan Faik efendiu mësoi privatisht për krijimtarinë letrare turke dhe mori njohuritë fillestare të gjuhës frënge.

Në revistën prestigjioze të Stambollit “ALTINOLUK”, Ali efendiu jetën në medresenë e Gjilanit e përshkruan kështu:

“Më kujtohet, ngriheshim herët për të dëgjuar ezanin muhammedije. Një orë para namazit merrnim abdest dhe këndonim Kur’an. Edhe pas namazit këndonim një xhuz nga Kur’ani. Të gjitha këto nuk ishin të detyruara, ishin një traditë. Hoxha thirrej myderriz. Ai jepte mësim në klasën e parë e të dytë. Për çdo klasë, nxënësi merrte dëftesë dhe kalonte në klasën më të lartë.”[4]

Pas medresesë së Gjilanit, më 1927 Ali efendiu shkoi në Shkup dhe i vazhdon mësimet në medresenë “Meddah” tek dijeari i njohur Ataullah efendiu. Po gjatë qëndrimit në Shkup, mori mësime për retorikën dhe letërsinë turke nga myderriz Sejfedin efendiu.

Pas një viti qëndrimi në Shkup, më 1928, kthehet në Gjilan, ku për dy vjet (1928-1929) vazhdon mësimet në shkollën e mesme të qytetit.

Në Sarajevë

Në atë kohë, me propozimin e Shakir Mesihoviçit, anëtar i Mexhlisit të Ylemave në Sarajevë, më 1931 kalon provimin në “Mekteb-Nuvvab” dhe këtu vazhdon shkollimin tre vjet.

Në Sarajevë Ali efendiu mësoi në shkollën për gjykatës të Sheriatit, e cila qe themeluar nga Austro – Hungaria më 1887. Sipas Kasim Hadžić nga Kosova ishte vetëm një nxënës-haxhi Ali Jakupi nga Gjilani, i cili më 1934 kishte ndërprerë shkollimin[5] për shkak të vdekjes së babait, dhe qe detyruar të pushonte për një kohë.

 

Në Kajro

Pas Sarajevës, Ali efendiu më 1936, i etur për dije, vendosi që t’i vazhdonte studimet jashtë atdheut dhe pikërisht zgjodhi Kajron, respektivisht universitetin e njohur “Al-Az’har”, ku përfundoi studimet për Usuli din (Bazat e fesë).

Krahas studimeve që mori në universitetin “Al-az’har”, Ali efendiu mori mësime edhe nga dijetarë të njohur të asaj kohe, si ish-Shejhul islami i fundit i Perandorisë Osmane- Mustafa Sabri, pastaj nga Kevtherin Jozgalt, Ihsan Efendi etj.

Ali efendiu në Kajro qëndroi për 20 vjet, fillimisht si student e më vonë edhe si punonjës shkencor në bibliotekën e Universitetit të Kajros ndërsa dr. Rexhep Boja thotë se një kohë ka punuar edhe në bibliotekën e Aleksandrisë.

Pas përfundimit të studimeve 11 vjet (1946-1957) ka punuar si nëpunës i lartë në Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Kajros.

Ali efendiu gjatë shkollimit të tij, një kujdes të veçantë i kishte kushtuar mësimit të gjuhëve të huaja, përderisa në vendlindje, pos gjuhës amtare, dhe gjuhës serbe, turke e arabe, si i ri kishte mësuar edhe gjuhën frënge, e më vonë kishte mësuar edhe persishten, osmanishten dhe rusishten.

Pos studimeve që mbaroi në fushën e Usulid-dini-it, Ali efendiu, gjatë studimeve në Kajro, në mënyrë të veçantë merrej me specializimin për leximin e teksteve dhe dokumenteve të shkruara në gjuhët osmane, persiane, arabe dhe ruse.

Pa dyshim, jeta e Ali Jakupit në Egjipt nuk qe e rëndësishme vetëm nga veprimtaria e tij si student dhe shkencëtar. Po ajo edhe më shumë, fsheh një botë të tërë kujtimesh të lidhura me njerëz të rrallë që pati njohur nga veprat ose personalisht.

Në Kajro Ali efendiu u njoh me shumë personalitete nga më të njohurat të kohës në fushën e shkencave islame të Botës Islame.

Mjafton të përmendim bashkëpunimin e Ali efendiut me alimin e njohur Mustafa Sabri, nga i cili jo vetëm që mori mësime dhe u ndikua më së shumti, po më vonë qe edhe ndër bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët më të ngushtë të tij.

Për raportet dhe ndikimin e Mustafa Sabri, Ali efendiu shprehet:

“Pandeh se s’e teproj po t’ju them se askush s’takohej me të më shpesh se unë!”

“Rregullisht, një herë në javë i shkoja për vizitë në shtëpi. Nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Gjer në orën 11 të natës. Më konsideronte si pjesëtar të familjes. Po të shkonte diku, më merrte edhe mua me vete. Më njihte me të tjerët duke u thënë: “Është miku im – dosti im, adjutanti im![6]

Ali efendiu për Mustafa Sabridhe Hasan el-Benan

Për ta njohur figurën shumëdimensionale e poliedrike të Ali efendiut, mjafton të shohim mendimet e tij që jep për dy dijetarët e njohur Mustafa Sabri dhe Hasan el-Bena. Vetë njohja e shoqërimi si dhe bashkëpunimi me personalitete të tilla të Botës Islame, më së miri flasin për thellësinë e mendimit të Ali efendiut.

Ai thoshte: “Mustafa Sabri efendiu ishte një shkencëtar që pati kuptuar botën e sotme, që pati dalë kundër afetarizmit të sotëm, i aftë në gjykim dhe shprehje për t’iu përgjigjur problemeve të kohës! Ai ishte Gazaliu i kohës në emër të Allahut. Ishte një luftëtar!..”[7]

Ndërsa për Hasan el-Benan pati thënë:

“Hasan el-Benna ishte njeri i veprimit, tejet praktik. Ngrihej herët, punonte gjer në mesnatë ngrënë a pa ngrënë. Pinte një a dy kafe. Ja, një njeri i tillë. Kur i fliste tjetrit, ia tërhiqte zemrën si magnet. Ishte njeri që ia kishte kushtuar veten Allahut. Sikur Allahu ta kishte krijuar si udhëzues të rinisë së këtij shekulli! Ai e ringjalli rininë universitare. Ai formoi në Kajro një xhemat, bashkësi madhështore!”[8]

Pas Luftës së Dytë Botërore, Egjipti në përgjithësi, dhe posaçërisht Kajro e Aleksandria, qenë bërë strehë për shumë shqiptarë të ndjekur nga pushteti komunist i Tiranës zyrtare dhe pushteti sllav i instaluar në trojet etnike në ish-Federatën Jugosllave. Kjo për faktin se në Egjipt qeveriste Dinastia shqiptare e themeluar nga Valiu i famshëm shqiptar Mehmet Ali pasha, respektivisht Mbreti Faruk.

Derisa në pushtet ishte Mbreti Faruk, shumë patriotë e antikomunistë shqiptarë gjetën strehim në Kajro, mirëpo me ardhjen e Xhemal Abdul-Naserit në pushtet, gjendja e shqiptarëve në Egjipt vështirësohet, prandaj shumica e tyre detyrohen ta lëshojnë Egjiptin, ngase ndiqeshin nga pushteti i Abdul-Naserit si përkrahës të Mbretit Faruk. Kjo bëri që edhe Ali Jakupi ta linte Egjiptin.[9].

 

Në Ankara

Pas 20 vjetësh qëndrimi në Egjipt, respektivisht në Kajro, nga Biblioteka Qendrore e universitetit “Al-Az’har”, Ali efendiu në korrik 1957 mori detyrën e përkthyesit në Ambasadën e Egjiptit në Ankara. Si përkthyes në Ambasadë Ali efendiu punoi deri në nëntor 1959.

Ali efendi Jakupi, pasi heqë dorë nga detyra e përkthyesit në Ambasadën egjiptiane në Ankara, më 1960 vendoset në Stamboll, kur mori shtetësinë turke dhe, një vit më vonë, u martua.

Në Stamboll

Koha sa kaloi në Egjipt, për Ali efendiun ishte e ngjeshur me punë e aktivitete nga më të ndryshmet, por brenda vetes së tij rritej dëshira për t’u kthyer afër atdheut, familjes e farefist, mirëpo përderisa një gjë të till nuk ja lejonin rrethanat e krijuara në trojet shqiptare, në njërën anë, dhe në anën tjetër edhe në Egjipt pas ardhjes së Abul-Naserit, nuk pati mundësi që të jetonte me dinjitetin e mëparshëm, Ali efendiu zgjodhi Turqinë, respektivisht ish-kryeqendrën e Perandorisë Osmane Stambollin, për të jetuar familjarisht këtu.

Shih: Ekmeluddin Ishanoglu: Cenkçikler, Ali Yakup (1913-1988); Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993, sayfa 370-371.

Prandaj nënën dhe vëllezërit i solli në Turqi. Në atë mes, në Ambasadën e Egjiptit në Stamboll, pati dalë një punë dhe Ali Jakupi pati marrë rrugën e Turqisë, për se në ALTINOLUK është shprehur:

“Po ju them të drejtën! Unë isha i prirë më shumë për në Turqi sesa në Egjipt. Turqia ishte vatani im, or ti! Ç’t’ju them, Turqinë e kam parë dhe e shoh si mëmëdhe! Sikur të kisha lindur këtu! Kështu e ndiej. Për shembull, në Egjipt nuk u martova. Mustafa Sabri Efendiu nguli këmbë shumë, por nuk u martova. Madje, kur i shkova për vizitë një ditë para se të vdiste, më tha si me qortim: “Ah, ti, desha të të martoj, por s’u martove!” Sepse, e kisha mendjen të vija këtu, or ti!”[10].

Më 1960 alimi e dijetari i madh dhe njohësi i 7 gjuhëve të huaja, tani në rrethana të reja filloi të punonte në një fabrikë private në Zyrën e kontabi­litetit, por pa e lënë anash profesionin e tij, atë të hoxhës, kështu që, krahas punës në fabrikë, në xhamitë “Fatih Mesih Pasha” dhe “Emir Buharai” vazhdimisht ligjëronte për veprat, si: Ihya’u ‘ulumi’d-din, edebu’d-dunyya ve’d-din, Medariku’t Tenzil ve Di­vanu’l Mutenebbi[11].

Dr. Rexhep Boja, në kujtimet e tij për Ali efendiun, thotë:

“Ali efendiu në Stamboll qe vendosur me shtëpi afër xhamisë “Sulltan Mehmet-Fatih”.

Unë për herë të parë e kam njohur në vitet 1970, pastaj, sa herë që kam kaluar në Stamboll, jam kthyer tek Ali efendiu

E kam vizituar shpesh, ka pasur një banesë të vogël, ku kishte një bibliotekë të mirë me libra shumë të rëndësishëme, po por për fatin e bibliotekës së tij nuk di.

Ali efendiu ka pasur një xhami të vogël afër shtëpisë dhe aty u mbante ligjërata prej librit “Ihja ulumi din”. Ky libër është bazë për themelet e fesë islame, i shkruar në gjuhën arabe e i përkthyer në gjuhën osmane e Ali efendiu ua mësonte dhe komentonte studentëve.

Mua më priu fati që një verë të mbetesha në Stamboll. Aty pos që e takoja çdo ditë atë, pas namazit të iqindisë së bashku me studentët e Ali Jakupit dëgjoja ligjëratat e tij nga libri “Ihja ulumi din”[12].

Ndërsa për 4 vjet (1976-1980) ka ligjëruar tefsirin dhe akaidin (retorikën) në Haseki Egitim Merkezi, institucion i Dijanetit (Bashkësisë Fetare të Turqisë) (Diyanet Isleri Baskanligi).

Edhe në shtëpi të vet përgatiste shumë talebe, duke u dhënë mësime private të interesuarve për arsim të mesëm dhe të lartë[13].

Megjithëqë larg atdheut, Ali efendiu ndiqte me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në trojet shqiptare. Komunizmin e konsideronte si fatkeqësinë më të madhe të popullit shqiptar, “pa rënë komunizmi, nuk ka hajr për popullin tonë”.

“Komunizmi është e keqja më e madhe, shqiptarët duhet ta kuptojnë se komunizmi është kundër interesave të tyre”.

Vetëm pas rënies së komunizmit, për shqiptarët do të hapet një faqe e re, vetëm atëherë shqiptarët do të bëhen faktorë dhe të zotët e trojeve të tyre që ua kanë marrë fqinjët me dhunë [14].

Ali efendiun e mundonte shumë prapambeturia dhe izolimi i Shqipërisë. “Në kohën kur bota po ecën e po përparon në të gjitha fushat, si në ekonomi, teknikë e teknologji, në vendin tim mbretëron dhe përparim njeh doktrina komuniste, që është e keqja më e madhe e njerëzimit” – kujton Dr. Rexhep Boja shqetësimet e Ali efendiut për Shqipërinë.

Gjithashtu dr. Boja kujton se Ali efendiu, megjithëqë ishte i flaktë për Kosovën e Shqipërinë në përgjithësi, ka qenë kategorik: “Sa të jenë komunistët në pushtet, nuk kthehem, se nuk kam ku”.[15]

Ali efendiu në Turqi ka qenë i respektuar si në qarqet shke­ncore ashtu edhe fetare. E donin dhe respektonin shumë ulemaja e kohës. Ai konsiderohej alimi e dijetari më i madh i kohës jo vetëm në Turqi, po në tërë Botën Islame[16].

Se sa rëndësi i kushtohej personalitetit të Ali efendiut në Botën Islame, më së miri flet njësia bibliografike e punuar nga profesori e dijetari i madh turk, i njohur në përmasa ndërkombëtare prof. Dr. Ekmeludin Ihsanogu për “Islam Ansiklopedisi”[17]

“Ali efendiu gëzonte respekt të madh nga studentët. Unë i kam parë kur studentët e tij pritnin në rend për t’ia puthur dorën, këtë e bënin në shenjë respekti dhe thoshin se dora e alimit e hoxhës, siç është Ali efendiu, ka bereqet[18].

Ekmeludin Ihsanoglu në Enciklopedinë Islame thotë “Librit të Muhamed Kutubit (Xhahiljet kornil ishirn) “Injoranca e shekullit të XX”, në dy vëllime, poezinë me titull “Fatih Cami” që është në librin e parë të sefahateve (botim komplet i krijim­tarisë poetike të poetit të njohur turk me prejardhje shqiptare Mehmet Akif Ersoi) Ali efendi Jakupi e kishte përkthyer në arbishte kur ishte në Kajro dhe përkthimi ishte botuar në revistën “Muccelletu’l-Edeb”.

Në maj 1983 Ali efendi Jakupi qe paralizuar dhe i paralizuar jetoi deri më 22 maj 1988, kur ndërroi jetë në Stamboll, larg vendlindjes së tij.

Ali efendiu ndërroi jetë pa shijuar kënaqësinë e rënies së komunizmit në trojet shqiptare. Meqenëse ishte martuar në moshë të shtyrë, nuk ka lënë pasardhës. Është varrosur në varrezat Saki­zagoci në Edirnekapi.

Ali efendiun, këtë shkencëtar, dijetar e poliglot të madh të shekulli të kaluar, i njohur e i çmuar në botë, po çuditërisht i lënë në harresë nga shqiptarët, me këtë shkrim duam të japim një kontribut të vogël për të ndriçuar e njohur këtë personalitet të shquar.

Jam i vetëdijshëm që në këtë shkrim të shkurtër nuk mund të përmblidhet jeta dhe vepra e një figure kaq të madhe e shumë komplekse, ngase për këtë duhen studime e hulumtime në Stamboll, Ankara, Aleksandri e Kajro, por janë të rëndësishme si burime edhe këto pak të dhëna që na ofrojnë: Prof. Dr. Emeludin Ishanogu, në njësinë bibliografike në Enciklopedinë islame, pastaj Dr. Rexhep Boja, i cili pati fatin ta njihte nga afër, dhe biseda e zhvilluar nga revista ALTINOLUK me Ali efendiu në prill të vitit 1987. Këto të dhëna, na japin të kuptojmë sado pak për personalitetin prej shkencëtari, përkushtimin e tij ndaj fesë e atdheut, gamën e gjerë të dijës, thellësinë e mendimit, dashurinë e mallin për atdheun që kishte Ali efendiu.

Shpresoj që në të ardhmen institucionet tona kërkimore dhe studiuesit tanë, do të interesohen për personalitetin e Ali efendiut, ashtu siç e meriton, në bashkëpunim me institucionet kërkimore turke, dhe posaçërisht me shkencëtarët turq, disa prej të cilëve janë marrë me personalitetin e Ali efendiut, ndërsa disa të tjerë janë ish-studentë të tij, dhe për veprën e tij të organizohen sesione shkencore, ku të ndriçohej jeta, vepra dhe kontributi i Ali efendiut.

_______________________

* Ali efendiu në Turqi ka qenë i njohur me nofkën Cenkçiler, shih: Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993, sayfa 370-371.

Fusnonat:

[1] Bisedë me dr. Rexhep Bojën, e zhvilluar më 21 nëntor 2005, në Prishtinë.

[2] Shih: Ekmeluddin Ishanoglu: Cenkçikler, Ali Yakup (1913-1988); Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993, sayfa 370-371.

[3] Shih: Ali Yakup Hoca’nin Hayati (Devanin Asli Ihlas ve Ornek bir hayat); ALTINOLUK, Nisan 1987, Sayfa 13

[4] ALTINOLUK, Nisan 1987, Sayfa 13

[5] Kasim Hadžić: Stogodišnjica šeriatske sudačke škole (mektebi nuvvaba u Sarajevu); Glasnik, br. 5, Sarajevo 1987, st. 664.

[6] Po aty….

[7] Po aty…

[8] Po aty….

[9] Nga biseda me dr. Rexhep Bojën……

[10] ALTINOLUK, Nisan 1987, Sayfa 13

Ekmeluddin Ishanoglu: Cenkçikler, Ali Yakup (1913-1988); Islam Ansiklope­disi, Cild 7, Istanbul 1983, sayfa 370-371

[12] Nga biseda me dr. Rexhep Bojën……

[13] Shih: Ekmeluddin Ishanoglu: Cenkçikler, Ali Yakup (1913-1988); Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1983, sayfa 370-371.

[14] Nga biseda me dr. Rexhep Bojën……

[15] Nga biseda me dr. Rexhep Bojën……

[16] Nga biseda me dr. Rexhep Bojën……

[17] Shih: Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993, sayfa 370-371.

[18] Nga biseda me dr. Rexhep Bojën……

Comments Off on Ali efendi Jakupi*(1913-1988)

Filed under Punimet

Comments are closed.