ROLI I IMAMËVE DHE I ULEMASË NË LËVIZJEN NACIONAL-DEMOKRATIKE SHQIPTARE

Ramadan Shkodra

 

 

 

Rrethanat politike në të cilat u krijua LNDSH

Gjendja e rëndë që u krijua në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, bëri që të merrte hov rezistenca ndaj shtypjes dhe pushtuesit të ri jugosllav. Për organizimin e qëndresës popullore, për përpunimin e programit dhe kërkesave të popullit shqiptar në këto treva, u formuan dhe u riaktivizuan grupe dhe organizata politike që ishin pjesë përbërëse e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (LNDSH).

Ndër organizatat më të rëndësishme të asaj kohe ishin Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH) dhe “Besa Kombëtare” me degët e tyre në Kosovë dhe në trevat etnike shqiptare në ish-Jugosllavi. Nuk ka ndonjë rast tjetër ndokund në Evropën Lindore, që pikërisht atëkohë të jetë themeluar një lëvizje demokratike, natyrisht pa llogaritur këtu mbetjet e shkapërderdhura të lëvizjeve të rezistencës antikomuniste, që vinin nga ditët e para të luftës. Pra, fjala është për një lëvizje dhe organizatë me program të qartë e me aspirata po ashtu të qarta politike e kombëtare.

LNDSH bazohej në traditën e besëlidhjeve të moçme shqiptare, por hapat konkretë për riorganizimin e saj u bënë më 12 shtator 1943 në Pejë, nga prof. Ymer Berisha, Bernard Llupi, Kolë Parubi, Marie Shllaku, Gjergj Martini etj. Ndërkaq, dy javë më vonë Shefqet Shkupi, Rifat Krasniqi, Haki Taha, Ejup Binaku, Selman Riza, Ibrahim Fehmiu dhe veprimtarë të tjerë, formuan Komitetin Nacional-Demokratik Shqiptar në Gjakovë. Ky komitet do të punonte për çlirimin dhe për bashkimin e trojeve shqiptare, me përkrahjen e demokracive perë­ndimore.

Në fillim të vitit 1945, formohet ilegalisht Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare. Kjo organizatë hap një kaptinë të re në lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Mirëpo, pas vitit 1945, rrethanat dhe kushtet kishin ndryshuar, andaj imponohej një strategji e re veprimi. Themelues të kësaj organizate ilegale ishin: Prof. Ymer Berisha, ideolog i lëvizjes për ruajtjen e tërësisë etnike shqiptare dhe iniciues për formimin e organizatave ilegale në Kosovë e Maqedoni, pastaj profesorët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë: Luan Gashi, Hajdar Maloku-Planeja, Gjon Serreçi; agronomi Adem Gllavica, gjykatësi Limon Staneci, që të dy kryeshefa të rretheve, njëri në Ferizaj e tjetri në Gjilan; gjykatësi Ibrahim Lutfiu, Ukë Sadiku, kryeshef i Qarkut në Mitrovicë; Ejup Binaku, kryeshef i rrethit në Rahovec, me pro­fesion mësues; Ajet Gërguri, teknik i bujqësisë dhe shumë e shumë të tjerë.

 

Platforma programore e NDSH-së

Platforma programore e NDSH-së, për zgjidhjen e çështjes shqiptare  përmblidhet në pesë pika kryesore:

“Liri dhe pavarësi të plotë me të drejtë vetëqeverimi në bazë të vullnetit të popullit, të shfaqur lirisht.

– Nën tokat shqiptare kuptohen krejt vendet, ku banojnë shqiptarët, në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendi dhe nga kush është i pushtuar.

– Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinj, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore dhe me armë do të përpiqet t’i arrijë idealet shekullore të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetësundues në shtetin e vet me kufij etnikë.

– Mbasi të vendosen kufijtë etnikë, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve siç janë ato: strategjikë, ekonomikë, politikë etj… në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë.

– Në kohë paqeje, Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshme, ashtu edhe atyre të jashtme, ndërkombëtare tue organizue për regjim me të vërtetë demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanikë”.

 

Kontributi i ulemave për çështjen kombëtare

Roli dhe kontributi i ulemasë shqiptare për çështjen kombëtare dhe shtetformim gjatë historisë ka qenë i madh dhe përcaktues në ngjarjet e mëdha por popullin tonë dhe për mbrojtjen e trojeve tona, duke nisur që nga Lidhja e Prizrenit me myderrizin e njohur haxhi Ymer Prizrenin, Halim ef. Ramadanin-Gjergjizi, Ahmet ef. Korenicën, Hafiz Ymer Gutën, Hasan ef. Shllakun, Hafiz Myrteza Luzhën, Jusuf ef. Po­dgoricën dhe shumë ulema të tjerë nga të gjitha viset shqiptare; për të vijuar me Lidhjen e Pejës, ku shquhet Haxhi Zeka; Shpalljen e Pavarësisë me Vehbi e Ismet Dibrën, Daut Boriçin me ulemanë shkodranë si Hafiz Ali Korçën e Hafiz Ibrahim Dalliun e të tjerë; Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës me Hoxhë Kadri Prishtinën, Rrystem Shportën, Iljaz Brojën, Mulla Idriz Gjilanin e Haki Sermaxhajn, sheh Hysenin e Musa Shehzaden,… e shumë e shumë të tjerë me një kontinuitet deri në ditët tona.

Kontributi i ulemasë shqiptare ishte përcaktues si me marrjen pjesë aktive në kryengritje të shumta, madje edhe duke i udhëhequr ato, por edhe duke u dhënë kurajë luftëtarëve të lirisë me këshilla e vepra dhe me autoritetin që e gëzonin në masë. Ulemaja shqiptare ishte e motivuar nga mësimet kuranore dhe porositë e Muhamedit a.s. që të japin në vazhdimësi kontributin e tyre për liri e pavarësi.

Ulematë shqiptarë nuk ishin politikanë me profesion, por ishte vetëdija e tyre morale e politike si sintezë e dy komponentëve kryesorë: patriotizmit dhe besimit, që i vuri ata në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit, me të cilat jo vetëm se hynë në histori, por edhe e bënë historinë. Në këtë kontribut tonin shkurtimisht do të paraqesim kontributin e ulemasë shqiptare në radhët e NDSH-së.

 

Prania e imamëve në radhët e NDSH-së

Që nga fillimi në radhët e NDSH-së do të gjejmë në strukturat e saj shumë imamë e hoxhallarë që ndihmuan në drejtimin, në strukturimin, po edhe në masivizimin e kësaj lëvizjeje.

Angazhimi i imamëve dhe hoxhallarëve në radhët e NDSH-së është vazhdimësi e kontributit të ulemasë shqiptare në lëvizjet e mëdha për popullin tonë, që nga Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, pastaj kontributi i ulemasë gjatë Rilindjes Kombëtare si dhe përkrahja dhe mbështetja për formacionet patriotike që ishin në shërbim të filozofisë së kombformimit e shtetformimit.

NDSH-ja e zhvilloi aktivitetin e saj në trojet shqiptare që atëbotë rrezikonin të mbeteshin nën pushtimin jugosllav, në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni.

NDSH-ja, për shkaqe që i ishin imponuar, në nivelin qendror udhëhiqej nga komitetet e Prizrenit dhe Shkupit, ndërsa në nivel lokal udhëhiqej dhe organizohej nga komitetet e zonave apo të rretheve.

Meqenëse nuk është bërë ndonjë studim i hollësishëm për praninë e imamëve dhe ulemave në radhët e NDSH-së, – ndërsa them se në të ardhmen duhet të bëhet, – në këtë vështrim tonin, po paraqesim vetëm disa veprimtarë të shquar që e bënë historinë dhe lanë gjurmë në radhët e NDSH-së.

 

Hafez ymer shemsiu Hafiz Ymer Shemsiu (1895 – Sazli 1945) ishte pinjoll i një familjeje intelektuale hafizësh dhe haxhilerësh. Ymer Shemsiu i ndoqi mësimet e mesme fillimisht në Medresenë e Prishtinës e pastaj në atë të Shkupit. Mirëpo, për arsye madhore, nuk arriti t’i përfundonte. Me vullnet të patundur arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja, si: arabishten, persishten, turqishten, gjermanishten dhe serbishten. Krahas zotërimit të këtyre gjuhëve, ai u thellua edhe në studimet letrare, e në mënyrë të veçantë, në studimet filozofike, duke formuar kështu fiziono­minë e intelektualit të mirëfilltë islam. Ymer Shemsiu është një figurë poliedrike. Ai ishte imam, poet, luftëtar, veprimtar, mësues. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore Ymer Shemsiu hapi në fshatin Sazli një shkollë shqipe. Shkolla fatkeqësisht pati jetë të shkurtër. Pushtuesit bullgarë, kur hynë këtu, e mbyllën menjëherë këtë shkollë, ndërsa mësuesin e saj shqiptar, Hafiz.Ymerin, e lidhën me vargonj dhe e dërguan në burgun e Ferizajt.

I ngritur nga ana botëkuptimore islame, botëkuptim që e respekton lirinë dhe lufton për të, Hfz.Ymeri, gjithashtu i mbrujtur me dashuri për kombin, u aktivizua në shërbim të Komitetit për Çlirimin Kombëtar të Kosovës dhe bëri pjesë në partinë politike shqiptaro-myslimane “Bashkimi”, që kryesohej nga Ferhat Bej Draga. Në këtë kohë, Hfz. Ymeri shpërtheu me tërë personalitetin e tij, bashkëpunoi me lëvizjen kaçake kombëtare, këndoi me çifteli këngë për të kaluarën e lavdishme të kombit, shkroi ilahi dhe thuri poezi me metrikë të ndryshme, ku mbizotëron vargu popullor.

Një aspekt tjetër i veprimtarisë së Hfz. Ymer Shemsiut është edhe organizimi i mësimit të gjuhës shqipe fshehurazi. Në xhaminë e Talinocit, ku shërbente si imam, e ngriti Komitetin e Kosovës. Ai jepte mësimin e gjuhës shqipe fshehurazi dhe, në të njëjtën kohë, e mbante edhe mejtepin. Mësimin e nxënësve, në lokalin e ngritur nga vetë populli, e vazhdoi që nga viti 1934 deri më 1941. Hfz.Ymeri bëri punë pedagogjike përtej programit që zhvillohej në mejtep.

Përveç shkrim-leximit në gjuhët orientale, ai ua mësoi nxënësve dhe shkrim-leximin në gjuhën amtare shqipe dhe i pajisi me njohuri e aftësi të vlefshme për jetën e përditshme.

Në veprimtarinë e tij zë një vend të rëndësishëm edhe krijimtaria si rapsod i talentuar. Talenti i rapsodit kronikan shoqërohej nga virtuoziteti i tij si valltar i shkëlqyer. Ai i hartonte vetë këngët, i këndonte me çifteli dhe i kërcente me lëvizje karakteristike shqiptare. Protagonistë dhe tema të rapsodive e të këngëve të tij qenë heronjtë e kombit, betejat, bëmat e ndryshme, duke na dhënë kështu tablo realiste të kohës. Nga krijimtaria e tij spikat poema “Nazim Gafurri”. Për këto cilësi, Hfz.Ymer Shemsiu nga studiues u quajt “Bard i Kosovës”. “Ba­rdi i Kosovës” e sfidoi policinë serbe, duke i mësuar shqip nxënësit dhe popullin, duke shkruar shqip dhe duke botuar në shqip. Ai hartoi rreth 30 ilahi shqipe, që kapin rreth 1.000 vargje dhe përçoi te nxënësit e populli besimin islam. Ai kishte një qëndrim të prerë dhe një mendim të qartë për bashkimin e popullit, për luftën kundër përçarjes fetare dhe asaj kombëtare.”Të mbrosh fenë islame për kohën e poetit ishte luftë për kombin shqiptar, ta mbrosh gjuhën shqipe ishte heroizëm kombëtar, të përpiqesh për lirinë, ta ndihmosh rezistencën shqiptare kundër denacionalizimit të Kosovës, kundër shpërnguljes së shqiptarëve, ishte luftë patriotike, ishte sakrificë e heroizëm kombëtar”. Hfz.Ymeri ishte për një Shqipëri etnike. Ai mori pjesë aktive për realizimin e kësaj ideje, duke ngjallur armiqësinë e pushtetit serb ndaj tij. Vdiq në mënyrë të dhembshme, por të madhërishme, që konkretizohet në fjalët e fundit të tij: “Lamtumirë, o populli im! Për ty dhashë atë që mund ta jepja: pasurinë, familjen, veten. Për ty do të vijnë ditë më të mira”.

 

 

mulla idriz gjilaniIdriz Hajrullahu – Mulla Idriz Gjilani (1901-1949) u lind në Velekincë të Komunës së Gjilanit, më 4 qershor 1901. Mësimet fillestare i ndoqi në mejtepin e Cernicës, të cilat edhe i mbaroi në vitin 1911, për t’i vazhduar ato në medresenë e mesme “Atik” në Gjilan. Pas një ndërprerjeje të shkollës, më 1926 arriti të diplomonte. Shërbeu në detyrën e imamit në Karadak e në Hogosht (fshat në Komunën e Dardanës). Më 1941 u zgjodh në postin e Bashvajizit në Ulema-Mexhlisin e Kuvendit fetar-arsimor të Vakëfit të Shkupit.

Gjatë kohës si hoxhë dhe bashvaiz zhvilloi një veprimtari inte­nsive në fushën e edukimit fetar me frymë atdhetare. Hapi mejtepin e Pidiçit për mësimin e djemve dhe të vajzave, organizoi ilegalisht mësimin e shkrim-leximit me alfabetin e gjuhës shqipe, futi mësimin shqip në medresenë “Atik”, ushqeu mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazëror me bazë kombëtare shqiptare në popullsinë myslimane-katolike të zonës së Karadakut.

Nga prilli i vitit 1941, Mulla Idriz Velekinca iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Si hoxhë me forcën e Zotit, si mësues me forcën e fjalës, si luftëtar me forcën e armës, si komandant me besnikërinë e ushtarit, ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar, kundër komunizmit.

Në qershor 1944 drejtoi betejën e Kikës, në të cilën, shqiptarët të udhëhequr prej tij, dolën fitimtarë kundër ushtrisë serbo-komuniste. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949. E dogjën në natën e 25-26 nëntorit 1949.

Ishte intelektual i kohës, i cili zotëronte shumë gjuhë orientale, gjë që e mundësoi të njihej me arritjet shkencore të kohës, në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë, astronomisë, etj. Botoi punimet fetare “Lindja e Pejgamberit” dhe “Vllazëria Islame’, të cilat përshkoheshin nga mesazhi i paqes, vëllazërimit, bashkimit kombëtar etj.

Mulla Idriz Gjilani thoshte: “Liria e vatanit nuk fitohet me parti e me tarafe, me të pafe e me shkije të veshur shqiptarçe”.

 

Ibrahim (Hazër) Lutfiu nga Prizreni. Ishte sekretar i pёrgjithshёm i Rijasetit të Bashkësisë Islame të asaj kohe me seli në Sarajevë, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botёrore prefekt i Mitrovicёs. Nё nёntor tё vitit 1944 u arrestua nga OZN-ja, por rrugës për nё Prishtinë e liruan luftёtarёt shqiptarё, të cilët mё 2 dhjetor e kishin rrethuar Ferizajn. Pasi kaloi nё ilegalitet, veproi nё vise tё ndryshme tё Kosovёs, u lidh me KQ tё ONDSH-sё me qendёr nё Shkup; i bashkërendoi aksionet politike me Shtabin Suprem tё Kosovёs dhe me organizatën “Besa Kombёtare“ tё Ymer Berishёs. Nё vitin 1946 mori pjesё nё Kongresin e Lipovicёs dhe bashkёpunoi me udhёheqёs tё LNDSH-sё e tё njёsiteve guerile nё Drenicё, Shalё, Llap, Moravё etj. Ndërroi jetë në vitin 1950.

 

Haki_ef._SermaxhajHaki Taib Salihu (Myderriz Haki ef. Sermaxhaj) u lind më 14 tetor 1914, në Hogosht të Kamenicës, në një familje me tradita fetare e atdhetare, i edukuar dhe i formuar si intelektual i guximshëm për çështjen e besimit fetar, për kombin dhe atdheun.

Pasi e kreu shkollën fillore, në vendlindjen e tij më 1925/26, Hakiu regjistrohet në medresenë “Meddah” të Shkupit, në vitin 1927/28, ku u shkollua te myderrizi Ataullah ef. Kurtishi.

Pas kthimit nga medreseja “ Meddah” e Shkupit, ku e kishte marrë titullin Myderriz, në vitin 1940, Haki Efendiu fillon aktivitetin e tij fetar e patriotik, në medresenë “Atik” të Gjilanit, si myderriz dhe drejtor i saj. Gjatë kësaj kohe ai e reformon medresenë. Më e rëndësishmja është se ia doli të luante rol të rëndësishëm për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe bashkimit kombëtar, duke e futur gjuhën shqipe si lëndë mësimi në medrese.

Pas Luftës së Dytë Botërore inkuadrohet në përpjekjet e popullit shqiptar për liri e dinjitet kombëtar. Duke mos u pajtuar me ripushtimin serbo-komunist të viseve etnike shqiptare, Haki Sermaxhaj do të gjendet në vorbullën e LPLTSH-së (Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare), gjegjësisht ONDSH dhe “Besa Kombëtare”, si organizata legale politike të organizuara mirë dhe të krijuara në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me degët e shtrira në të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë, të cilat kishin program dhe aspirata politike kombëtare, qëllimi i të cilave ishte çlirimi dhe bashkimi i trojeve shqiptare. Këtu Haki Semaxhaj shquhet si udhëheqës dhe organizator i aftë, duke qëndruar në krye të Komitetit të Qarkut NDSH-së për Rrethin e Gjilanit, për shpëtim e bashkim kombëtar.

Pas zbulimit dhe burgosjes së KQ me qendër në Shkup, në gjysmën e dytë të muajit gusht të vitit 1946, burgoset edhe Haki Sermaxhaj në burgun e OZN-së të Qarkut të Shkupit, ndaj të cilit përdoren torturat nga më të tmerrshmet çnjerëzore. Si pasojë e tyre sëmuret rëndë dhe nuk i ofrohet kurrfarë ndihme mjekësore. Ishte kjo arsyeja që Haki efendiu të mos gjykohet së bashku me të tjerët në “Procesin e Gjilanit”, por për të do të organizohet gjykim veçantë në Gjyqin e Qarkut në Gjilan, ku dënohet me 20 vjet burgim të rëndë. Për vuajtje të dënimit dërgohet në Burgun e Mitrovicës së Sremit.

Myderrizi Haki ef. Sermaxhaj vdiq më 27 janar 1948, pas 9 muaj qëndrimi në spitalin e Burgut të Mitrovicës së Sremit. Disa shokë, me leje të drejtorisë së burgut, e varrosën në varrezat e burgut. Eshtrat e tij edhe sot prehen në tokën e huaj.

 

Mulla Iljaz BrojaMulla Iljaz (Hysen) Broja (1892-1946) u lind nё fshatin Kastriot. Kreu medresenë në Gjakovë, dhe shërbeu imam në Brojë dhe në disa vende të tjera të Drenicës. Veprimtar i ”Xhemijetit” (Bashkimit) dhe i Lё­vizjes Çlirimtare, u angazhua pёr ngritjen e vetёdijes kombёtare dhe kundёr shpёrnguljes sё shqiptarёve. Gjatё viteve 1941-1944 mori pjesё nё luftimet pёr mbrojtjen e trojeve etnike nga sulmet çetnike, ishte veprimtar i Lidhjes së Dytë tё Prizrenit dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë nё Tiranё (1943-1944). Nё nёntor tё vitit 1944 bashkёpunoi pёr ngritjen e kёshillave nё Skënderaj e mё gjerё dhe u inkuadrua nё Brigadёn e Drenicёs. Pas pёrfundimit tё Luftёs sё Drenicёs, u pёrfshi nё qёndresёn kundёr zgjedhës jugosllave. U arrestua mё 1946 dhe u ekzekutua nё Zllakuqan tё Klinёs.

 

 

 

 

 

 

 

 

Mulla Januz Abazi – Lubishta (1885-1951) u lind nё fshatin Lubishtё tё Vitisё, ku më vonë ishte edhe imam. Nё kohёn e Luftёs së Parë Botёrore u keqtrajtua dhe u ndoq nga forcat bullgare, tё cilat e mbanin tё okupuar kёtё pjesё tё Moravёs, ndёrsa gjatё viteve 1941-1944 u angazhua pёr bashkimin e kёtyre viseve me Shqipёrinё dhe pёr mbrojtjen e kufirit etnik nё Karadak e nё Kozjak dhe nё sektorët tjerë.

 

mulla-arif-shalaArif ef. Shala, është bir i Drenicës së Kosovës. U lind më 1909 dhe që në moshë të re, kur ishte ende nxënës në mejtepin e Mulla Rifatit, shquhej ndër shokët tjerë për zgjuarsinë e tij, shkathtësinë dhe karakterin e fortë. Duke qenë ende i ri, ai arriti të mësonte Kur’anin përmendsh dhe të dallohej për deklamimin e bukur që bënte. Më 1927, mbaroi medresenë e Gjakovës dhe në ato vite të rënda për Kosovën vazhdoi gjimnazin në Tiranë. Në fshatin Korroticë e Epërme, ku u caktua si imam, ai, së bashku me mësimet e fesë, ua mësoi nxë­nësve në mënyrë ilegale lexim-shkrimin e gjuhës amtare shqipe. I tronditur nga krimet që bënte xhandarmëria serbe mbi popullin shqiptar, i dërgoi më 1933 letër proteste krajlit serb, Pjetrit. Më 1935, me anë të një pamfleti, e ftoi popullin e Kosovës që t’i bojkotonte zgjedhjet. Mirëpo, ajo që e bëri popullor imam Arifin ishte kushtrimi i tij që kosovarët të mos shpërnguleshin për në Turqi, por të qëndronin në trojet e veta. Falë aktivitetit të tij, asnjë familje shqiptare nga Drenica nuk emigroi në Turqi.

Imam Arif Shala iu kundërvu fashizmit italian. Ai mori pjesë në çlirimin e Prishtinës dhe të Ferizajt. Arifi ishte njeri me karakter të fortë, me botëkuptim të qartë islamik, me devocion patriotik deri në vetëmohim, me një dashuri të papërshkrueshme për vendlindjen dhe për Kosovën. Ishte demokrat me ndjenjë dhe me zemër.

Arif efendiu nuk mund të pajtohej me politikën diskriminuese serbe antishqiptare dhe antikosovare. Ai doli ilegal, komit, për të luftuar për lirinë e popullit dhe lirinë e besimit islam. U ndesh disa herë me patrullat e UDB-së dhe më 1 janar 1947 policia serbe, pasi e diktoi, e rrethoi dhe e vrau në mënyrë barbare. Me gjithë kundërshtimet e policisë serbe, populli i Drenicës e varrosi me nderime imamin e tyre, Arif ef. Shalën.

 

 

 

Mulla zeke berdynajMulla Zekë Bërdynaj, u lind rreth vitit 1918, në fshatin Novosellë të Pejës.

Në vitin 1926 e fillon medresenë në Pejë, për ta vazhduar më tej te mësuesi Fahri Efendiu, i njohur për dijenitë e gjera. Kështu, Zeneli (Mulla Zeka i ardhshëm) u përgatit që t’u jepte mësim të tjerëve. Ishte koha kur shkollat shqipe ishin mbyllur nga ligjet e rrepta të pushtuesit, për asimilimin e breznive të reja. Mirëpo, pati edhe prej mësuesve të njohur për fusha të tjera të shkencave, si gjuha e letërsia shqipe, historia, matematika, gjeografia etj.

Një nga mësuesit, që e kreu shkëlqyeshëm këtë detyrë, ishte edhe Mulla Zeka, duke e ngritur një mejtep në fshatin Radafc, pikërisht më 1938, ku përveç lëndëve të besimit dhe të gjuhës amtare e shkencave shoqërore me karakter kombëtar u mësonte nxënësve edhe psikologji.

Prej vitit 1941 e deri në vitin 1944, Mulla Zeka ishte në frontin e Rozhajës dhe Novi Pazarit, duke iu kundërvënë çetave çetnike me çetat vullnetare. Në njërën prej këtyre betejave, në vitin 1943, në masakrën e Bihorit, plagoset rëndë edhe Mulla Zeka, i cili ishte në detyrën e komandantit të përgjithshëm të çetave vullnetare.

Në vitin 1948 burgoset dhe kalon nëpër burgjet e rënda të ish-Jugosllavisë të “Bella Kuçës” në Nish, ku kaloi katër vjet, dhe në Goli Otok nga vitet 1952-1960, i dënuar me motivacion të shpifur si prostalinian. Atje Mulla Zeka u qëndroi burrërisht torturave më të egra, duke mbetur i papërlyer dhe i nderuar. Në një rast, duke kujtuar momente nga Burgu i Goli Otokut, ai pati thënë: “Më e vështira për mua ishte të bartja gurë..!? Po të ishte për të ndërtuar diçka do ta bëja me dëshirë..! Por ne ishim të detyruar t’i bartnim gurët sa në njërën anë sa në anën tjetër”.

Mulla Zeka, pasi doli nga burgu, përveç si imam i fshatit Novosellë, ku organizonte edhe mësim besimin me nxënësit e fshatit, u angazhua sidomos për pajtimin e gjaqeve dhe konflikteve mes njerëzve. Prandaj, me të drejtë e quajtën edhe pionier i pajtimit të popullit në Podgor. Ato probleme, që nuk i zgjidhte ligji i shtetit të instaluar, i zgjidhte Mulla Zeka. Vdiq më 12 janar 1987.

 

hfz. Jakup MyzeqiuHaxhi hafiz Jakub Dukagjini – Muqeziu 1919-2006. U lind në Prizren në vitin 1919. Mejtepin e kreu pranë Xhamisë së Emin Pashës, ndërsa e vazhdoi edhe mësimin e hifzit (përmendsh) të Kur’anit te mentori i njohur i asaj kohe, muhafiz Beqir Kajserliu, i cili njëkohësisht ishte edhe imam i Xhamisë së Emin Pashës në Prizren, të cilin e kreu për 3 vjet, në vitin 1937, në moshën 18-vjeçare. Pas kësaj i vi­joi mësimet për disa vite në Medresenë e Gazi Mehmed pashës të Prizrenit te myderrizët e njohur të asaj kohe – hfz. Abdullah efendi Hizri, Hfz. Sylejman efendiu dhe, në fund, te Hasan ef. Nahi.

Pas ripushtimit serb të Kosovës dhe vendosjes së pushtetit komunist, ai u inkuadrua në celulën ilegale të Komitetit Nacional-Demokratik Shqiptar të Rrethit të Prizrenit, dhe veproi aktivisht në ilegalitet të plotë deri në vitin 1950.

Pas denoncimit të celulës së Komitetit Nacional-Demokrat Shqiptar në Prizren, hafiz Jakub Muqeziu ishte burgosur me shokët e vet dhe dënuar me vdekje. Ky dënim pastaj i qe kthyer në burgim prej 20 vjetësh, për të kaluar plot 12 vjet në kazamatet e Nishit, duke bërë punë të rëndë fizike. Mirëpo, Hafizi i nderuar nuk ndenji kot as në burg, veçse aty mësoi mjeshtërinë e xhamaprerësit, gjë që i ndihmoi shumë, sepse pas daljes nga burgu do të hapte një dyqan për të mbajtur gjallë familjen për vite me radhë. Pas daljes nga burgu, plot 7 vjet nuk iu lejua të punonte si predikues fetar dhe mezi në vitin 1969, u caktua për të punuar imam në Xhaminë e Emin Pashës, ku shërbeu plot 35 vjet, deri në vitin 2004, kur doli në pension. Për plot 35 vjet, me përkushtim të madh, punoi si imam dhe në dekada u mbajti shumë të rinjve e të rejave mësimbesim.

Ai ishte një burrë i rrallë shqiptar, i cili çmohej për idetë e tij antikomuniste dhe antiserbe, si dy faktorë me pasoja më tragjike për popullin shqiptar. Ai, në vepër, praktikoi thënien e njohur ”Pa iman, s’ka vatan”, që do të thotë – “Pa fe, s’ka as atdhe”. Të gjithë atdhetarët gjatë gjithë historisë, përveçse kanë qenë patriotë të çmuar, kanë qenë edhe besimtarë të devotshëm.

Pas rënies së sistemit komunist, Hafiz Jakub Muqeziu mori pjesë në shumë takime dhe aktivitete të Partisë Nacional-Demokrate Shqiptare e më vonë edhe të Ballit Kombëtar, si veteran i aktiviteteve të para antikomuniste dhe anti-serbe gjatë viteve 1945-1950. Hafiz Jakub Muqeziu vdiq më 13 dhjetor 2006.

 

Mulla Nuredin (Halit) Gjinovci (1895-1954) ishte kryetar i Komunës së Therandës dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941). Në vitin 1943 u zgjodh kryetar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet i Therandës në Kuvendin e Shqipërisë (1943-1944). Pas vitit 1944 ishte veprimtar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (LNDSH)-së dhe kryetar i Komitetit të Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH) të Therandës. U arrestua më 1947 dhe u dënua më 7 vjet burgim. E mbyti UDB-ja në Burgun e Nishit (1954), 6 muaj para afatit të lirimit.

 

Mulla hamid ByqyqiMulla Hamit Sllovia, u lind më 1919, në fshatin Sllovi të Lipjanit. Nё rininë e hershme ishte veprimtar i Lёvizjes Kombёtare, ndёrsa gjatё luftёs i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbas nëntorit të vitit 1944 dhe deri nё mars të vitit 1949, kur u arrestua, ishte pjesёtar i LNDSH-sё. U dёnua me 7 vjet burgim, tё cilat i vuajti nё Burgun e Nishit, ku u bё i njohur pёr qёndrimin e tij tё papёrkulur.

 

 

 

 

 

Mulla sadri prestreshiMyderriz Sadri Prestreshi, u lind më 17 tetor 1917, në katundin Mazgit, në rrethin e Prishtinës. Mësimet fillestare i kreu në Obiliq.

Si shumë bashkëkohës të tij të asaj ko­he, më 1930 u regjistrua në Medresenë “Pirinaz” të Prishtinës, ku mësoi te myderrizët e njohur, Mulla Hamdi ef. Gërçina dhe Mu­lla Ahmed ef. Mardoçi.

Pas përfundimit të Medresesë, në vitin 1944, caktohet imam në xhaminë e fshatit Dobrajë e Madhe në rrethin e Lipjanit, kurse më vonë shërbeu edhe si mësues po në të njëjtin fshat.

Në fillim të vitit 1946, kur forcat partizane-çetnike sapo e kishin konsoliduar pushtetin, ndër kohë që ndaj popullit shqiptar silleshin me egërsi, Mulla Sadriu u inkuadrua në organizatën ilegale NDSH, (Komiteti Nacional Demokratik-Shqiptar) që përpiqej për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.

Pasi u zbulua nga oficerët e OZN-ës jugosllave, më 15 prill të vitit 1947, Gjyqi Ushtarak i Divizionit të Prishtinës, pas hetimeve, maltretimeve, e dënoi mulla Sadriun, me katër vjet burgim.

Burgun e filloi në Prishtinë, për ta vazhduar në Mitrovicë, Nish dhe e përfundoi në Pozharevc.

Pasi lirohet nga burgu u ballafaqua me peripeci të shumta sa i përket punësimit, qoftë si hoxhë apo mësues.

Më vonë u angazhua si mësues në shkollat publike, imam në xhamitë e ndryshme e myderriz në Medrse, ku punoi deri në pension. Vdiq më 16 janar të vitit 2002.

 

 

Në vend të përfundimit

Pa dashur që të ndalem në paraqitjen e të dhënave biografike dhe komiteteve dhe organizatave ku kanë vepruar, në vazhdim po përmendim vetëm emrat e disa imamëve dhe ulemave tanë që ishin pjesë e NDSH-së, ndonëse numri i tyre është jashtëzakonisht i madh dhe është vështirë të përfshihet në një kontribut si ky i yni. Të këtillë ishin: Myderriz Asim Efendi Luzha, Mulla Maliq Baliu nga Prizreni, Mulla Bahtijar Sokol Boshnjaku, sekretar i Vakfit në Ferizaj nga Ferizaj,  Mulla Ismail Gashi, Rahovec, Ahmet Hasan Efendiu nga Ferizaj, Mulla Ismail Maksuti nga Kaçaniku, Mulla Ramë Muharremi nga fshati Herticë, Hafëz Hetem Tahiti nga Reçica e Madhe e Tetovës, Mulla Hajdari i Orizares,

Ahmet Efendiu nga Shtimja, mulla Adem Ibrahim Maloku nga Jezerci i Ferizajt, Mulla Rizah Selimi-Poliçka, Mulla Rexhep Hamzë Krasniqi (Arllat), mulla Asim Luzha nga Gjakova, Mulla Ilmi Ejup Shehu Kaçanik, Mulla Maliq Gashi-Therandë, Mulla Rrustem Statovci sekretar i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mulla Hysen Statovci dhe shumë e shumë të tjerë.

Si përfundim, mund të themi se numri i imamëve dhe ulemave në radhët e organizatave dhe lëvizjeve nacionale, pra edhe në NDSH, është jashtëzakonisht i madh. Ata jo vetëm që ishin përkrahës dhe anëtarë, por një numër sish ishin edhe ideatorë e themelues të këtyre lëvizjeve.

Dhe, në përmbyllje, duhet thënë se mbetet obligim i studiuesve dhe institucioneve tona përkatëse që të ndriçojnë drejt rolin e këtyre personaliteteve në kauzën tonë kombëtare.

 

 

 

 

_______________________

Literatura e konsultuar:

–     Dr. Muhamed Pirraku, “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombë­tare e Kosovës Lindore 1941-1951”, Prishtinë 1995.

–     Sabile Keçmezi – Basha, “Lëvizja Ilegale Patriotike Shqiptare në Kosovë 1945-1947”, Shkodër 1999.

–     dr. Daut Bislimi, “Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945”, Prishtinë 1997.

–     Ibrahim Grainca-Cërnilla, “Deri në vdekje për atdhe”, (përgatiti prof. dr. Muhamet Shatri), “Libri Shkollor”, Prishtinë 2006.

–     Emin Fazlija, Hamid Emini-Brunçaj (19.09.1909-16.10.1986) “Do­kto­ri” i maleve të lira të Drenicës dardane”, Prishtinë 2009.

–     Adem Ajvazi, “NDSH-ja në Llap (1945-1949)”, Podujevë 2005.

 

_______________________

Revistat:

–     Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Formimi dhe veprimtaria e organizatës nacional demokratike shqiptare 1945-1948, “Kosova” nr.18/19, Pri­shtinë 1996.

–     Dr. Muhamed Shatri, Mbi Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovës dhe në viset tjera shqiptare, “Kosova”, nr. 20-21, Prishti­në 1998/1990, fq. 185.

–     Besim Kajtazi, Gjurmë të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar, (X), “Ora”, 19, Prishtinë, 25.IX.1991, f. 50.

 

Leave a comment

Filed under Uncategorized

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s