Personaliteti i myderriz Hasan ef. Nahit në shtypin shqiptar

Kontributi im ka të bëjë me praninë e personalitetit të myderriz Hasan ef. Nahit në shtypin shqiptar. Dihet mirëfilli se shtypi është një ndër burimet kryesore për shënimin e ngjarjeve, dhe, si i tillë, paraqet një referencë mbi bazën e së cilës mbështetet dhe fitohet një pasqyrë për ngjarje dhe personalitetet të kohës. Fjala e shkruar-shtypi me “fa­natizëm” ruan origjinalitetin e një ngjarje, një ndodhie a veprimtarie qoftë kur këto kanë të bëjnë me individ, me një personalitet, apo edhe kur kanë të bëjnë me fatin e një populli po edhe më gjerë.

Mbi bazën e kronikave e ngjarjeve dhe ndodhive të cilat i ka re­gji­struar shtypi, janë bërë studime të shumat për ngjarjet e personalitete nga e kaluar, janë shkruar monografi e biografi, janë provokuar deba­te, që më vonë kanë marr trajtën e studimeve serioze shkencore e analiti­ke, që kanë ndriçuar shumë çështje dhe kanë dhënë sqarime e shpje­gime në funksion të historisë dhe shkencës në përgjithësi.

Pikërisht për këtë arsye dhe të tjera, në këtë kontribut tonin kemi paraqitur një pasqyrë të pranisë së Myderrizit tonë të njohur Hasan efendi Nahi në shtypin shqiptar, të bindur se këto shkrime do të ndi­hmojnë që të njohim më mirë personalitetin, përkushtimin, sakrifi­cën dhe angazhimin e Hasan Efendiut gjatë misionit të tij prej dijetari, arsimdashësi, e fetari, në kohët e thyerjeve të mëdha nëpër të cilat kaloi populli ynë në shekullin e kaluar.

  1. Reportazhi i "Kulturës Islame"

    Meqenëse Hasan ef. Nahi me punën dhe aktivitetin e tij ka qenë një prej figurave kryesore që ka lënë gjurmë në historikun e medresesë “Alaudin” dhe të institucioneve të tjera fetare islame (si sejar vaiz, imam, myderriz në medresenë “Mehmet Pasha”, krye­myfti i zonës së Dukagjinit etj.) në njërën anë dhe në anën tjetër me aktivitetin e tij prej përkrahësi dhe nxitës i arsimit dhe shkollës shqipe, e së fundmi edhe si përkthyes i Kuranit në gjuhën shqipe, megjithatë, nëse ia hedhim një vështrim shtypit shqiptar në kohën sa jetoi dhe veproi Hasan ef. Nahi, do të vërejmë se personalitetit dhe emrit të tij, nuk i është dhënë vendi që ka merituar, pa­va­rë­sisht se për personalite­tin e tij nga të dhënat që ke­mi ne, për të parën herë ka shkru­ar revista “Kultura Islame”[1]në një reportazh të gjatë të au­torit Sadik Bega, i cili përshkruan vizi­tën e kry­etarit të Ko­mu­nitet My­sliman Shqi­ptar, dr. Behxhet Shapati me ba­shkëpunëtorë në Kosovë, ndër të tjera, edhe në Gjakovë.

    Në kë­të repor­tazh është dhënë, përveç tjerash, diskutimi i Hasan ef. Nahit që ki­shte bërë përkitazi me fjalën që kishte mbajtur për unitetin dhe vëlla­zë­rimin, myftiu i zonës së Tiranës Muharrem Mu­llahi. Au­tori i reportazhit për përgjigjen e Hasan ef. Nahit shkruan: “Ky u shpreh qartësisht me një gjuhë thjeshtë shqiptare kundrejt kryemyftiut. Myderrizi djalosh na tre­goi një nga vuajtjet e popullit të Gjakovës që pati hequr prej ser­bëve torturonjës. Na tregoi se si malazezët kishin grabitur to­kat shqiptare, dhe sidomos në Gjakovë, qytet ky për të cilin folësi ishte mjaft kompetent[2]

  2. Po këtu, autori i reportazhit, Sadik Bega,[3] përmend faktin se ka qenë shok studimesh me Hasan efendiun në Universitetin “Al-Azhar” të Kajros.
  3. Përmendja e Hasan ef. Nahit në këtë reportazh mbetet i ve­t­mi shkrim për këtë perso­na­litet madje deri në vitin 1971, kur në gazetën e përditshme prish­ti­nase “Rilindja”[4]botohet një kronikë e shkurtër me ti­tull: “Hasan efendi

    "Rilindja" 2.10.1970

    Nahi dha 10 mi­jë dinarë për shkollat”. Kro­ni­ka ka të bëjë me një ak­sion të kohës për të ndi­hmuar për­ha­pjen e shkollave shqipe në­për Kosovë. Për këtë arsye, në kë­të kronikë shkruan: “Që në di­tën e parë të regji­stri­mit të huas për ndërtimin e objekteve shko­llore, Hasan ef. Nahi pro­fe­sor i gjuhës arabe në medresenë e me­sme “Alaudin” në Prishtinë i re­gjistroi 10.000 dinarë të rinj. Ha­sani që është shumë i nde­ruar, jo vetëm prej besimtarëve por edhe nga të gjithë ata që e njohin është i njohur si dashamir i flaktë i arsimit[5]. Më tutje, në kronikë, thuhet: “Qëllimi kryesor, thotë Hasan efendiu, ka qenë t’i këshilloj, ndihmoj dhe udhëzoj besi­m­ta­rët që fëmijët e tyre t’i shkollojnë, t’u japin dritë e dije”. Auto­ri i kronikës[6] nuk lë pa e përmendur faktin se Hasan efendiu i ka shkolluar të gjithë fëmijët e vet.

  4. Nga publikimi i kësaj kronike e deri më 1990, nuk kemi ndonjë paraqitje tjetër të personalitetit të Hasan efendiut në shtypin shqi­ptar. Duke pasur parasysh periudhën e vështirë nga viti 1945 e de­ri më 1990, nëpër të cilën ka kaluar Kosova, mbase mund të kuptohet mosprania e shkrimeve të tjera në shtypin shqiptar jo vetëm për Hasan ef. Nahin, por edhe për hoxhallarët e tjerë.

Mirëpo, kur më 1990 u krijuan rrethana të reja, revista “Dituria Is­la­me”[7], sjell tek lexuesit e saj një intervistë të gjatë që është, si të thu­ash, një si rrëfim jetësor i Hasan efendiut.

Në fillim të kësaj interviste është dhënë edhe një përshkrim i shku­rtër për Hasan efendiun. Madje, autori i intervistës, Elez Osmani, me pyetjet që i ka parashtruar bashkëbiseduesit, është munduar që të për­mbledhë tërë rrugëtimin jetësor të Hasan efendiut. Intervista sjell të dhëna edhe për familjen Nahi, shkollimin në Gjakovë dhe studimet e Hasan efendiut

Intervista e Hasan ef. Nahit në "Dituria Islame"

në Kajro. Pastaj autori i intervistës e orienton bise­dën te kthimi i Hasan efendiut në atdhe, kontributi në institucionet e Ba­shkë­sisë Islame si dhe sfidat e përballjet e tij me pushtetin. Në këtë in­tervistë janë dhënë edhe katër fotografi të Hasan efendiut, gjë që ia shtojnë vlerën dokumentare këtij shkrimi.

Për aq sa jemi në dijeni, kjo intervistë është e para dhe e fundit e Hasan ef. Nahit dhënë shtypit shqiptar. Dhe pikërisht kjo intervistë ka vlerën e veçantë dhe domethënien e saj, sepse pikërisht mbi bazën e kësaj interviste më pastaj janë bërë edhe disa shkrime të tjera për Ha­san ef. Nahin.

Shkrimet e sipërpërmendura, së bashku me artikullin me një titull domethënës e simbolik “Rahmet për së gjalli”[8], të autorit Elez Isma­i­lit, e të botuar në “El-Hilal”[9] të Shkupit, më 1990, mbesin të vetmet shkri­me për Hasan ef. Nahin të kohës sa ishte gjallë ai.

Më 1991 kemi pesë shkrime vetëm në një numër të revistës “Ditu­ria Islame”[10], por tanimë Hasan ef.Nahi më nuk ishte ndër të gjallët.

Po i përmendim këto shkrime:

  1. “Myderriz i nderuar” nga Resul Rexhepi,
  2. “Ndarje për t’u kujtuar gjithmonë” nga Elez Osmani,
  3. “Nuk ka fe pa atdhe” nga Zekerija Cana,
  4. “I nderuari Hasan efendi hoxhë dhe mësues i popullit tënd” nga Vehap Shita si dhe
  5. Poezia “U fik një jetë e madhe”, shkruar nga Rexhep Hoxha.

Për vdekjen e Hasan efendiut njoftonte edhe gazeta “El-Hilal” e Shkupit me një shkrim të gjatë e më shumë të dhëna biografike të autorit Elez Ismaili.[11]

Ndërkaq, në Podgoricë, Idriz Demiroviqi, në gazetën “Elif”[12], ia bën një përshkrim të shkurtër personalitetit të Hasan efendi Nahit.[13]

Në anën tjetër, në pesëvjetorin e vdekjes së Hasan ef. Nahit, Mehmet Halimi në revistën “Dituria Islame” në tri vazhdime shpalos kujtimet e tij për personalitetin e Hasan ef. Nahit.[14]

Po ashtu, Mehmet Halimi, në këtë kohë, boton edhe një shkrim me titull “Medreseja e Ferizajt fliste shqip”, në gazetën

Bujku 15 korrik 1996

“Bujku”.[15] Me këtë shkrim personalitetin e Hasan ef. Nahit, për herë të parë, e gjejmë në shtypin publik jashtë institucioneve të Bashkësisë Islame.

Të njëjtin shkrim, me pak ndryshime, e botoi edhe “Hëna e re” në Shkup më 5 shtator 1996[16].

Kurse një studim, të mbështetur në dokumente arkivore, historiani Hakif Bajrami jep të dhëna për planet sekrete të UDB-së për likui­di­min dhe shpërnguljen me dhunë të ulemave të Kosovës, ndër të tjerë edhe për Hasan ef. Nahin, ku thuhet: “Prej të gjithë ulemave, si ide­o­lo­gu më “i rrezikshëm”, që me mësimet e tij nuk do të lejonte që shqi­ptarët të shpërngulen në Anadolli, ishte cilësuar Hasan efendi Nahi (Hoxhë Xhehnemi). Pse të mos e themi se për likuidimin e tij ishte an­gazhuar krimineli Voja Vojvodiq, që punonte në Pejë, por që i kishte agjentët e vet kudo. Po mençuria e efendi Hasan Nahit do të triu­mfo­jë”[17].

Feti Mehdiu më 2001, në revistën “Dituria Islame”, nr. 136, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Hasan efendiut, boton një artikull me titull “I tillë ishte Hasan efendija”.

Për aq sa jemi në dijeni, këto janë shkrimet që në shtypin shqiptar i janë kushtuar personalitetit të Hasan efendi Nahit. Nga sa u tha, mund të konstatojmë se shumica e shkrimeve për Hasan efendiun janë bërë nga ish-nxënësit e tij, apo nga ish-bashkëpunëtorët e tij, përveç shkrimit të së përditshmes “Rilindja”, që i nënshkruar me iniciale e që për ne mbetet i panjohur.

"Dituria Islame" nr. 136

Përveçse në shtypin shqiptar, për Hasan efendiun gjejmë të dhëna edhe në disa monografi, siç janë p.sh.:

  • “Emra që nuk harrohen”, nga Tahir Berisha.
  • Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, Tira­në, 1997 nga Ramiz Zekaj.
  • Feti Mehdiu në monografinë për gjeneratën e parë të medresesë “Alaudin” dhe ndonjë autor tjetër.

Megjithëqë ne nuk kemi për objekt shkrimet që janë bërë për për­kthi­min e Kuranit nga Hasan efendiu, mund të themi se për këtë çështje ka shkrime të botuara në periodikun që botohet në Tiranë, Pri­shtinë, Shkup e Podgoricë. Madje, për këtë çështje janë shkruar edhe disa monografi, nga Feti Mehdiu, Qazim Qazimi dhe Emin Beh­rami.

Si përfundim, mund të themi se personaliteti i Hasan ef. Nahit në shtypin shqiptar nuk është pasqyruar sa duhet, sidomos kur kemi parasysh shumëdimensionalitetin e këtij dijetari e fetari të madh.

Shpresojmë se ky sesion do të shërbejë si një hap dhe mundësi e re për studiuesit fushash të ndryshme që t’i qasen personalitetit, jetës dhe veprës së Hasan efendi Nahit. Kështu që ajo që nuk është bërë deri sot, të bëhet në të ardhmen.

Dhe, në fund fare, të theksojmë edhe faktin se për Hasan efendi Na­hin të dhëna gjejmë edhe në shtypin boshnjak, si f.v. në “Glasnik”, ku janë botuar disa raporte nga forumet e Bashkësisë Islame të ish-Ju­gosllavisë.

Po ashtu, për Hasan efendi Nahin jemi në dijeni se është shkruar edhe në shtypin arab, në veçanti në atë egjiptian.


[1] Organ i Komunitet Mysliman Shqiptar, që botohej në Tiranë midis viteve 1939-1945.

[2] Sadik Bega, Reportazh mbi vizitën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Kosovë, “Kultura Islame”, viti i III, nëntor-dhjetor, Tiranë 1943, nr. 3-4, fq. 80.

[3] Drejtor përgjegjës i revistës “Kultura Islame”, i cili kishte qenë shok i studimeve me Hasan efendiun në Kajro.

[4] Shih, Rilindja 2. X. 1970, fq. 4.

[5] Po aty.

[6] Kronika është nënshkruar nga H. Jupa, siç shihet emri i autorit-gazetarit nuk është dhënë i plotë, shih, Rilindja 2. X. 1970.

[7] Elez Osmani, Puna suksesi dhe kuadrot e dhëna – ma zgjasin jetën, (intervistë), “Dituria Isla­me”, nr. 19, Prishtinë 1990, fq. 12-16.

[8] “El-Hilal”, qershor-korrik, Shkup, 1990, f.7.

[9] “El-Hilal“- organi I Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

[10] Shih: “Dituria islame”, nr. 22, Prishtinë 1991, fq. 14-17.

[11] Shih: Elez Ismaili, Ishte hoxhë dhe tribun i populli të vetë, “El-Hilal” prill 1991,Shkup, fq.8.

[12] “Elif” – organ i Bashkësisë Islame të Malit të Zi.

[13] Shih: I. D., Hasan efendi Nahi, “Elif”, janar-shkurt, Titograd, 1991, fq. 6.

[14] Shih: Mehmet Halimi, Shpalime kujtimesh për personalitetin e prof. Hasan ef. Nahi, “Ditu­ria Islame”, nr.81-82, Prishtinë 1996, fq. 20-21; Po aty, nr.83, f.36-37; Po aty, nr.84, f.26-27.

[15] Mehmet Halimi, Medreseja e Ferizajt fliste shqip…, ”Bujku”, Prishtinë, 15 korrik 1996, fq.6.

[16] Shih: Mehmet Halimi, Hasan efendi Nahi në shërbim të populli të vet, “Hëna e re”, Shkup 5 shtator 1996, fq. 20.

[17] Prof. Dr. Hakif Bajrami, Planet sekrete serbe për likuidimin e shqiptarëve nga Kosova 1950-1956, Dituria Islame nr. 85, fq. 26.

Leave a comment

Filed under Punimet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s