Përvjetor

Ramadan Shkodra

80-vjet të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, (1921- 2001)

Nisma e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Qafzezi – vepër monumentale e kulturës islamo-shqiptare

I

Kur’ani është bazë themelore i fesë, kulturës e qytetërimit islam dhe, si i tillë, është faktor themelor që bashkon Botën Isla­me në të gjitha fushat e jetës, andaj nuk është e rastit që pse popuj të ndryshëm interesoheshin ta përkthejnë në gjuhët e tyre.

Përderisa muslimanët Kur’anit iu qasën si libër i shenjtë i zbri­tur nga Allahu xh.sh., jomuslimanët Kur’anit iu qasën në mënyrë tendecioze, për qëllime të tyre antiislame[1].

Historikut të përkthimeve të Kur’anit në gjuhët e ndryshme botërore i është kushtuar kujdes i veçantë e meritor.

Për këtë qëllim janë përpiluar bibliografi të posaçme, ndër të cilët duhet të veçohet bibliografia e punuar nga shkenëctari turk, Prof. Dr. Ekmeleddin Ihsanoglu “Bibliografia Botërore mbi për­kthimet kuptimore të Kur’anit Kerim- Përkthimet e botuara 1515-1980”, botuar nga “Qendra për Hulumtimin e Historisë, Artit dhe Kulturës Islame”, Stamboll, 1986, e cila konsiderohet më e kompl­etuara ndër bibliografitë kushtuar përkthimeve të Kur’anit në gjuhët e popujve të ndryshëm nga e gjithë bota.

II

Sipas të dhënave të deritashme, përkthimi i parë Kur’anit në Evropë është bërë në gjuhën latine në shekullin XII në vitin 1143 përgatitur nga monaku, Robert Ketenenzis me iniciativën e Petre­us Venerablis- abat i Klunit, me urdhrin e të cilit ishte formuar një komision i posaçëm për përkthimin e veprave nga gjuha arabe në gjuhën latine[2]. Më vonë Kur’ani është përkthyer edhe në gjuhët e tjera të Evropës.

Më 1547 Kur’anin e përktheu humanisti italian ANDREA AR­RIVABENIT, ndërsa më pastaj edhe në gjerma­nisht (1623) dhe në holandisht (1641). Studiuesi francez Sieur Du Ryer, e përktheu Kur’anin në gjuhën frënge më 1647 në Pa­ris. Ndërsa më 1691 në Romë kemi edhe një përkthim në gjuhën latine, përcjellë me shu­më shënime, të titulluar “Prodomus ad refutationem Alcorani”, që e përgatiti Ludovico Marracci. Ky përkthim ishte bërë drejtpë­rdre­jtë me kërkesën e Papës Inoçentija ‑XI‑.

Përkthimet e para të Kur’anit në gjuhët e Evropës u dedi­ko­heshin ekskluzivisht misionarëve dhe teologëve të krishterë për propagandë kundër fesë islame. Madje më urdhër dhe beki­min e udhëheqësve më të lartë kishtarë.

Mirëpo, luftimi i katolicizmit zyrtar dhe ndarja e Kishës nga shteti në tërë Evropën, e me theks të veçantë së pari në Francë duke filluar nga shek. ‑XVIII‑, bëri që edhe në qarqet shkenc­ore evropiane në atë kohë të shfaqej një qëndrim më real si ndaj Islamit, ashtu edhe ndaj Kur’anit[3].

Më 1734 Georg Sale përktheu Kur’anin në gjuhën angleze. Këtij përkthimi i paraprin një studim mjaft objektiv si për po­pu­llin, ashtu edhe për kulturën arabe, por mbi të gjitha ai kishte një qasje konstruktive ndaj Islamit si fe. Si përkthimi, ashtu edhe stu­dimi hasën në mirëkuptim të plotë në opinionin evropi­an; këtë e dëshmon e dhëna se ky përkthim shërbeu si bazë për përkthimet e mëvonshme në gjuhët e tjera, si në gjermanisht (1746), frëngjisht (1770). Vetëm në Amerikë në periudhën 1833‑1880 pati pesë botime. Këtë përkthim e kishte marrë për bazë  edhe Ilo Mitko Qa­fëzezi, i cili është i pari ndër shqiptarët që iu rrek punës për për­kthimin e Kur’anit.

Më 1840 Ulmani përktheu Kur’anin në gjermanisht. Më 1949/50 në Paris, Kur’anin e përktheu në gjuhën frënge orie­ntalisti i njohur frëng, Bllachéret, i cili konsiderohet një ndër përkthimet më serioze të realizuara në Evropë nga orientalistët evropianë[4].

III

Kur’ani vazhdon të përkthehet edhe sot e kësaj dite në gjuhët e ndryshme të popujve anekënd botës, madje në disa gjuhë Kur’ani është përkthyer nga disa herë, si në gjuhë angleze, turke, perse, u­rde, gjermane, frenge, ndërsa në gjuhën shqipe tani kemi të botu­ara gjashtë versione të Kur’anit të përkthyer, nga përkthyes të ndryshëm.

Kur’ani deri më tani është përkthyer në më shumë se mbi 100 gjuhë të ndryshme, dhe krahas Biblës, Kur’ani është libri më i për­kthyer në botë.

Edhe në gjuhën shqipe Kur’ani ka historinë e përkthimiit, ma­dje për këtë histori në periodikun islam- në Kosovë, Maqe­doni e Shqipëri, është shkruar nga studiues të fushave të ndry­shme. Në vitin 1996 në Shkup është botuar monografia “Përkthimet e Kur’a­nit në gjuhën shqipe”, përgatitur nga dr. Feti Mehdiu.

Këtë vit u bënë 80 vjet nga botimi i përkthimit të pjesës së parë të “Kurani (Këndimi)” në gjuhën shqipe (1921) në Poeshti të Rumanisë nga rilindësi ynë i njohur Ilo Mitko Qafëzezi.

Nga emri i përkthyesit kuptohet se edhe në gjuhën shqipe për­kthyesi i parë i Kur’anit, është i besimit krishterë-riti ortodoks, edhe pse shumica e popullatës shqiptare në atë kohë ishte e besi­mit islam, dhe në gjiun e saj kishte dijetarë eminentë që i njihnin shkencat islame.

IV

Përderisa te popujt e tjerë të Evropës Kur’ani ishte përkthyer nga të krishterët, shumica e të cilëve ishin orientalistë specialistë për gjuhën e kulturën orientale në përgjithësi dhe atë arabe në ve­çanti, dhe përkthimit të Kur’anit i ishin qasur për çështje misionare me qëllime antiislame, Ilo Mitko Qafëzezi përkthimit të Kur’anit i hyri që t’u ofronte vëllezërve të tij të gjakut që i përkisnin fesë tje­tër-fesë islame.

Në faqen e brendshme të kopertinës është dhënë përkushtimi i përkthyesit: “Bashkatdhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkua­ra të Amerikës u dedikohet[5]”, ndërsa përkthimit i paraprin shënimi i Qafzezit i dhënë në formë të parathënies, ku ai lexuesit i jep disa informacione me rëndësi për historikun e përkthimi të Kur’anit në gjuhën shqipe. Shënimi mban titullin: “Shqipëtarëvet”.

Parathënia e Qafzezit është me interes të posaçëm, ngase aty mësojmë shumë gjëra, së pari, dëshirën dhe qëllimin e përkthyesit, që kishte vendosur ta përkthejë Kur’anin në shqipen, si dhe shka­qet e arsyet e një veprimi të tillë. Që në fillim ai thotë: I shtyjtur prej dëshirës që, tani pak së paku, është koha të dihet se cila është ajo “cipë qepe” misterioze që i ndan fetarisht Shqipëtarët Muha­medanë nga vëllezërit e tyre të Kërshterë, po jap të përkthyer Shqip Kuranin nga gjuha Inglize-përkthim nga Arabishtja prej z. Georg Sales, translator i shprovuar i Këndimit Hyjnor[6]

Në vazhdim të fjalës së tij, Qafzezi lexuesin e informon se pos përkthimit në gjuhën angleze të George Sales, që e ka pasur si ba­zë për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, ka ko­nsu­ltuar edhe përkthimin e Kur’anit në gjuhën frënge të M. Savary, për të cilin shprehet “…Prej këti adoptova më fort numurëlimin e verse­tave, mbasi z. Sales nuk e ka përdorur, gjë që i-a humbet, sa-do-mos, Librit të Shenjtë frymën poetike[7]”.

Qafzezi është i vetëdijshëm se përkthimi i tij nuk është në nivel të kënaqshëm e të dëshirueshëm, aq më tepër kur nuk është bërë nga origjinali, por nga anglishtja. Madje ai nga shqiptarët e mirë që nuk janë të ndikuar nga fanatizmi fetar, kërkon mirëkupt­im për lëshime eventuale në përkthimin e tij: “…..Po Shqipëtarët e mirë, atdhetarët që s’janë veshur trashë me fatatizm fetar, e-do-puna të m’i falin. Përkthimi im dë­shironj të jetë një fillesë e ati qëe dotë benet i sosur paskëndaj. Të jetë një ndihmë, sado e pakët për atë teollog që dotë ketë fatbardhësinë të përkthejë Kuranin nga Arabishtja”[8].

Siç shihet, në fund të këtij pasusi Qafzezi e kishte kuptuar mirë seriozitetin e përkthimt të Kur’anit nga origjinali, sepse ai thotë :Të jetë një ndihmë, sado e pakët për atë teollog që dotë ketë fatbardhësinë të përkthejë Kuranin nga Arabishtja”

Qafzezi punës për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe i hyri duke mos marrë parasysh mendimet e disave se për­k­thimi i Kur’anit është gjynah. Por, përkundrazi, ai përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe e shihte si një domosdoshmëri të kohës, aq më tepër sepsei: ”…Qysh mundim t’u vemë-vesh të tillave fjalë që-s’kanë-vënt, kur sot-për-sot Kurani gjendet i përkthyer afëro ndë një dyzinë gjuhë të tjera, edhe posa që na kemi aqë të madhe nevojë ta kemi të përkthyer ndë gjuhën amtare. Ungjilli ka afëro pesë-dhjetë vjetë që është kthyer Shqip”[9].

Në fund të këtij shënimi Qafzezi me një vetëdije të lartë iu drejtohet shqiptarëve me këtë porosi: “Muhamedanë dhe të Krë­shterë:

“Le të bëjmë nga librat fetare, çështje të kulluara kombëta­re. S’është nevoja të de(A) bëtojmë ndjenja të shpirtit. Nga këjo nuk’ e gjen fare dem Shqipërin’ e sotshme. Vetëm fanatizmi fet­ar duhet ndjekur edhe luftuar, gjer të shduket krejt nga zemrat e Shqipëta­rëvet që e duan Shqipërin’ e Lirë ndë radhë qytetë­rimi. Tjetrazi, jemi të humbur…”

Qafëzezi kishte kuptuar drejt edhe besimin e shqiptarëve në dy fetë -islame dhe të krishterë. Ndonëse disa këtë e shihnin si fatëkeqësi të shqiptarëve Qafëzezi dy fetë i sheh si procese të natyrshme dhe si begati të këtij populli që e ka dëshiruar edhe Zoti, për të cilën thotë:

…mbassi Perëndia deshi që Shqipëtarët të jenë ndë dy palë fe. Le që ka edhe të tjerë kombe që janë të ndarë ndë me shumë se dy palë fe..

Pavarësisht nga këto sfida Qafzezi para lexuesve del me këtë konstatim:

“Ballë-çelur edhe me ndërgjegjje të pastër dotë pranoj çdo-farësh kritikë të rreptë. Veç kësaj, çdo vërejtja (observata) përmbi përkthimin do-t’i pres me gëzim” [10].

Në vazhdim të fjalës së tij Qafëzezi thotë se përkthimi i tij do të shtypet në katër pjesë, madje ai lexuesit ia tërheq vërejtjen:

“Përandaj ata që do-t’u bjerë ndë dorë kjo fashikullë, janë të lutur ngullësisht t’a ruajnë me kujdes që t’a bashkojnë me fashiku­llat e tjera që kanë për te dalë rrjeshtazi”.

Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe fillon në faqen 5, me përkthimin e sures së parë Fatiha.

Ky përkthim nuk është i komentuar e as i shoqëruar me tekst origjinal, ndërsa çdo ajet fillon me kryerresht të ri, pasi para­prakisht ajetet janë të numëruara sipas versionit në frëngjisht të M. Savary-t, siç e ka shpjeguar përkthyesi në para­thënie.

Qafzezi, në fillim të sureve ka dhënë shënime të përgjith­sh­me të sures, si p.sh: Kaptinë I (Sura), Ndërhyrje (Fatihat), Shpë­rfaqur ndë Meqe[11], apo: Kaptinë VI, Shtazët, Shpërfaqur ndë Meqe[12]

Me qëllim që lexuesit të shohin stilin, metodën dhe gjuhën e përdorur nga Qafëzezi, po sjellim pa ndërhyrje përkthimin e su­res Fatiha:

Ndë Emër të fort Mëshirëplotit Përendi[13]

1. Lavdi i kjoftë Perëndisë; Zoti i gjithë Krijatyravet.

2. Fort mëshirëploti;

3. Mbreti i ditës së gjyqit.

4. Ty të adhurojmë, edhe prej teje lypim ndihmë

5. Udhë-hiqna ndë rrugën e drejtë.

6. Ndë rrugën e atyre mbë të cilët ke qënë hirëplot;

7. Jo ndë (rrugën) të atyre kundër të cilëvet ke marë mëri,
     as ndë të atyre që ecëjn jashtë-udhës
[14]

Para Fatihas në faqen 4, edhe pse nuk është dhënë ndonjë sqa­rim, është dhënë fotoja e qytetit të shenjtë të muslimanëve Mekës me pamje të Qabesë. Në faqen 6 fillon përkthimi i sures së dytë el-Bekare, që në dallim nga surja e parë el-Fatiha, emrin e së cilës pos në përkthim, përkthyesi është munduar ta japë edhe në origjinal, po këtu shënon vetëm përkthimin e emrit “Lopa”, kjo sure përfundon në faqen 42.

Në faqen 43 fillon përkthim i sures Ali-Imran, emrin e së cilës Qafzezi e ka përkthyer “Shtëpi e Imranit”. Ndërsa në faqen 65 fill­on përkthimi i sures “en-Nisa”, emri i së cilës është përkthyer “Gratë”.

Nga faqja 88 fillon surja Maide, të cilën ai e ka përkthyer “Pll­aka (Tabella). Ndërsa sureja e gjashtë dhe e fundit në këtë pje­së është surja El an’ am, emrin e së cilës Qafëzezi e ka përk­thyer “Shtazët”. Përkthimi i kësaj sureje, po edhe i Kur’anit për këtë pje­së, përfundon në faqen 126, ku shkruan “Fundi i Fashikullës së I-rë”, e menjëherë pastaj në faqen 127, është për­mbajtja e lëndës “Tabella e Kaptinavet të fashikullës së I-rë të Kuranit”, ajo që do përmendur në këtë rast, është se përkthyesi, me këtë rast, pos të dhënave të tjera, si numri rëndor, emri i sures dhe numri i faqes ku fillon surja ka dhënë edhe numrin e ajeteve të sures përkatëse, p.sh:

Ndërhyrje; (Fatihat) përmban 7 verseta ……………..5

Lopa; përmban 286 verseta………………..…………6

Në fund është dhënë lista e gabimeve të shtypit në të cilën janë përfshirë 31 gabime të përmirsuara.

V

Në këtë pjesë të përkthimi të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Qafzezi janë përkthyer 6 suret e para të Kur’anit.

Kjo pjesë e botimit ka 128 faqe dhe është e titulluar KUR­ANI(Këndimi), ndërsa nga të dhënat e tjera bibliografike janë dhënë edhe këto: Pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: I. M. Q, shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921. Ka gjithsej 128 faqe.

Në këtë shënim të shkurtër, me rastin e 80-vjetorit të botimit të kësaj vepre, që për kulturën islame ndër shqiptarë ka vlerë monumentale ngase flet për përpjekjen e parë ndër shqiptarët që Kur’anin, edhe pse me vonesë në krahasim me popujt e tjerë e kishin përkthyer më herët, ta kishin të për­kthyer në gjuhën e tyre.

Duke përfunduar, mund të konstatojmë se edhe tani pas 80-vjetësh, që kur Qafzezi arriti ta botonte këtë pjesë të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, vlera e tij (dhe pse tani më kemi Kur’anin në gjuhën shqipe është përkthyer nga dijetarë eminentë nga radhët e shqiptarëve muslimanë, nuk ka humbur nga pesha dhe rëndësia e tij, sidomos ka vlera his­torike, ngase:

– Qafzezi është i pari që në mënyrë serioze iu përvesh punës për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, edhe pse vetë nuk i përkiste fesë islame;

– Përkthimi i Kur’anit në Evropë nga jomuslimanët nuk është risi, por evropianët Kur’anit iu qasën për interesa misi­onare, ndë­rsa përkthyesit e Kur’anit përkthimin e bënin për popullatat e tyre gjithashtu joislame, ndërsa Qafëzezi përk­thimit të Kur’anit i hyri si një nevojë e kohës për shqiptarët që në këtë kohë ishin me shumicë absolute të besimit islam. Qafzezi nuk ishte as studiues i orientalistikës, por përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe e kuptoi si një ndihmesë të tij për vëllezërit e tij të gjakut, që i përkisnin fesë islame.

– Puna e Qafëzezit në përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe jep të kuptohet më së miri për tolerancën e ndërsjellë ndërfetare dhe vetëdijen e lartë që ka mbretëruar te shqiptarët gjatë Rili­ndjes Kombëtare.

– Është koha që edhe kjo vepër të zërë vendin e vet në hi­sto­rinë e kulturës sonë, ngase në shënimet e deritashme pos të atyre që janë botuar nga organet e institucioneve islame, nga qarqe të tjera kjo vepër është injoruar, madje edhe në ato shënime që fla­sin për jetën dhe veprën e Ilo Mitkë Qafëzezit, në shënimet për veprat e Qafëzezit, përkthimi i kësaj pjese të Kur’anit nuk për­mendet fare (shih: Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985; Hasan Hasani: Leksikoni i Shkrimtarëve shqiptarë 1501-1990, Prishtinë, 1994), që është një anakroni e llojit të vet!

 

[1] Shih: Dr. Hasan Kaleshi: Kur’ani kryevepër e letërsisë arabe, Edukata Islame nr 31-32/1981, Prishtinë, fq. 51

[2] Po aty, fq. 50

[3] Po aty, fq. 51

[4] Po aty, fq. 53

[5] Shih: KURANI (KËNDIMI), pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: I. M. Q., Shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921, fq. 3

[6] Po aty, fq. 3

[7] Po aty, fq. 3

[8] Po aty, fq. 3

[9] Po aty, fq. 4

[10] Po aty, fq. 4, pason nënshkrimi përkthyesit, vendi, qyteti dhe data : “I. M. Q ,RUMANI-Paulesti Prahova, më 10 Mars 1921”.

[11] Shih: KURANI (KËNDIMI), pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: I. M. Q, Shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921,fq.5

[12] Po aty fq. 106

[13] Kështu e përkthen Qafëzezi, Bismillahin, të cilin mundohet ta shënojë edhe në origjinal në fund të faqes “besm ellah elrohman elrahim”, shih. fq. 5 të përkthimit.

[14] Po aty fq. 5.


Leave a comment

Filed under Portrete

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s