Mevludi tek shqiptarët

Libër i ri

Mevludi tek shqiptarët

(Përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtinë 22 prill 2009, botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 2010, f. 284)

 

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, respektivisht Shtëpia botuese “Dituria Islame”, këto ditë nxori në qarkullim përmbledhjen me kumtesa të sesionit shkencor “Mevludi tek shqiptarët” të mbajtur më 22 prill 2009 në Prishtinë.

Mevludet janë veprat më të përhapura në letërsinë islame dhe kjo është plotësisht e kuptueshme, ngase kemi të bëjmë me përkushtimin që poetët ia bënë Profetit Muhamedit a.s.

Format e krijimtarisë kushtuar Profetit Muhamed a.s. në letërsinë islame janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga poezia, kasideja e deri tek veprat e posaçme që te ne njihen si mevlude, pa përmendur këtu veprat biografike që i janë kushtuar Muhamedit a.s.

Mevludi është ode heroike me elemente të poemës që i kushtohet jetës së Muhamedit a.s. Në të përshkruhet jeta e tij duke filluar që nga lindja e deri në vdekje.

Sa i përket fillimit të mevludit në Botën Islame dihet se si manifestim ai zë fillim në  shekullin X në Egjipt gjatë kohës së sundimit të Fatiminjve.

Ndërkaq në Perandorinë Osmane, mevludi merr një formë dhe trajtë tjetër, sidomos me Mevludin e Sulejman Çelebiut në shekullin XV, apo saktësisht më 1409.

Mirëpo, se kur ka filluar të këndohet mevludi te shqiptarët nuk kemi të dhënë që ta saktësojmë këtë fakt, sidomos nuk është e njohur nëse është organizuar manifestimi i mevludit në trojet tona nga popullata shqiptare që e kishte pranuar fenë islame para se autorët tanë të shkruanin mevlude në shqip.

Mevludi i parë si krijimtari artistike letrare te shqiptarët, për aq sa dihet, i shkruar ndër shqiptarë i takon shekullit XVIII, d.m.th. nga periudha e ndritur e Rilindjes Kombëtare, dhe është shkruar nga rilindësi ynë i shquar Hasan Zyko Kamberi.

Duhet theksuar se deri sot njihen mbi 20 mevlude të shkruara nga personalitete të njohura në fusha të ndryshme të fesë dhe të letërsisë, të cilët, me mjeshtërinë e tyre dhe në mënyrë artistike e shembullore thurën lavde e konsiderata, si për askënd tjetër, për të Dërguarin e Zotit, Muhamedin a.s. Ndër më të njohurit janë: Hasan Zyko Kamberi, Ismail Flloqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Tahir efendi Popova etj.

Në këtë përmbledhje janë përfshirë 26 kontribute të studiuesve të fushave të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, e që kanë trajtuar mevludin në aspektet të ndryshme, duke filluar nga aspekti historik, pastaj ai fetar, letrar, gjuhësor, kulturor e social.

Po, ashtu një trajtesë të veçantë në këtë përmbledhje i është kushtuar edhe mënyrës së manifestimit të Mevludit në Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Rëndësia e këtij libri të botuar është se për herë të parë studiues e specialistë të fushave të ndryshme i qasen Mevludit, qoftë si krijimtari letrare qoftë si manifestim fetar e popullor.

Përmbledhja hapet me parathënien e redaksisë, pas së cilës është dhënë Fjala e hapjes së sesionit, që është mbajtur nga Resul Rexhepi. Ashtu si në sesion edhe në këtë botim kumtesat janë  dhënë të renditura sipas përmbajtjes e që fillon me kumtesën e Dr. Qazim Qazimi “Historiku dhe tradita e Mevludit në Islam”, Islam Dizdari “Historiku dhe tradita e mevludit tek shqiptaret”, Dr. Fahrush Rexhepi “Fillet e festimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s. dhe qëndrimi i dijetarëve islamë rreth tij”, Mr. Qemajl Morina “Mevludi në letërsinë arabe”, Hajrullah Hoxha “Qëndrimi i ulemave islamë për Mevludin”, Mr. Taxhedin Bislimi “Dispozita juridike islame mbi manifestimin e Mevludi”, Ramadan Shkodra “Manifestimi i Mevludit dikur dhe tani në Kosovë”, Dr. Ismail Ahmedi “Mevludi te shqiptarët manifestim apo ibadet”, Dr. Muhamet Pirraku “Mevludi shqip në themele të identitetit kombëtar shqiptar”, akad.. Feti Mehdiu “Roli i imamit në definimin e pozitës reale të Mevludit te shqiptarët”, Dr. Nehat Krasniqi “Dimensioni kulturor i Mevludit”, dr. Avzi Mustafa, “Dimensionet edukative dhe arsimore të mevludit”, Dr. Xhabir Hamiti “Mevludi si mjet për ruajtjen e vlerave fetare islame ndërshqiptare”, Dr. Abdullah Hamiti “Mevludi – vepër e dashurisë ndaj Pejgamberit a.s.”, Jusuf Zimeri “Ndikimi i manifestimit të Mevludit në fushën e Thirrjes islame në trevat tona”, Fitim Flugaj “Mevludi si mjet i Daves – me vështrim të veçantë në periudhën komuniste”, Mr. Elez Ismaili “Manifestimi i Mevludit dikur dhe sot në trevën e Pollogut”, Bahri Aliu “Evoluimi i manifestimit të Mevludit në Pollog”, Mr. Sadik Mehmeti “Tradita e Mevludit në trevën e Opojës”, Dr. Isa Memishi “Grafia arabe dhe transkriptimi i mevludeve në gjuhën shqipe”, dr. Zekerija Ibrahimi “Vlera stilistike e orientalizmave në “Mevludin” e Tair efendi Popovës”, Dr. Ragip Mulaku “Për disa mospërputhje të gjuhës së “Mevludit” të Tahir efendi Popovës me të folmen e vendlindjes së tij”, Ekrem Siminca “Pikëpamjet e H. Sherif ef. Ahmetit për Mevludin”, Mr. Naim Tërnava “Vështrim akaideologjik “Mevludit” të Tahir efendi Popovës”, Sabri Bajgora “Përshkrimi i muxhizeve të Pejgamberit a.s. në “Mevludin” e Islam Nekovcit” dhe Ahmet Sadriu “Fjalët me rrënjë arabe në mevludin e Tahir ef. Popovës”.

Përveç kumtesave, në këtë përmbledhje janë dhënë edhe dy albume, një me faksimile të ballinave të mevludeve të botuara në gjuhën shqipe, madje disa janë dhënë autograf, si dhe një album me foto nga sesioni shkencor, gjë që ja shton vlerën kësaj përmbledhje.

Megjithëse në këtë përmbledhje janë dhënë 26 kontribute nga autorë dhe studiues të ndryshëm, ato janë paraqitur në një tërësi  dhe të kompletuara në një vëllim të përgatitur në mënyrë shumë solide nga redaksia e këtij botimi.

R. Shkodra

Leave a comment

Filed under Uncategorized

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s