MANIFESTIMI I MEVLUDIT NË KOSOVË

Ramadan Shkodra


 

 

MANIFESTIMI I MEVLUDIT NË KOSOVË

(dikur dhe sot)

S’ka dyshim se mevludet janë veprat më të përhapura në letërsinë islame dhe kjo është plotësisht e kuptueshme, ngase kemi të bëjmë me përkushtimin që poetët ia bënë Pejgamberit Muhamedit a.s.

Format e krijimtarisë kushtuar Pejgamberit a.s. në letërsinë islame janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga poezia, kasidja e deri tek veprat e posaçme që te ne njihen si mevlude, pa përmendur këtu veprat biografike që i janë kushtuar Muhamedit a.s.

Mevludi është ode heroike me elemente të poemës që i kushtohet jetës së Muhamedit a.s. Në të përshkruhet jeta e tij duke filluar që nga lindja e deri në vdekje[1].

Sa i përket fillimit të mevludit në Botën Islame dihet se si manifestim ai zë fillim në  shekullin X në Egjipt gjatë kohës së sundimit të Fatiminjve[2].

Ndërkaq, në Perandorinë Osmane mevludi merr një formë dhe trajtë tjetër, sidomos me Mevludin e Sulejman Çelebiut në shekullin XV, apo saktësisht më 1409.

Mirëpo, se kur ka filluar të këndohet mevludi te shqiptarët nuk kemi të dhënë që ta saktësojmë këtë fakt, sidomos nuk kemi ndonjë njohuri nëse është organizuar manifestimi i mevludit në trojet tona nga popullata shqiptare që e kishte pranuar fenë islame para se autorët tanë të shkruanin mevlude në shqip.

Sipas dr. Hasan Kaleshit, këndimi i mevludit nuk ka mundur të ndodhte para shekullit XVIII, kur dihet se pjesa më e madhe e shqiptarëve e ka pranuar fenë islame mu në shekullin XVIII[3].

Mevludi i parë si krijimtari artistike letrare te shqiptarët, për aq sa dihet, i shkruar ndër shqiptarë i takon shekullit XVIII, d.m.th. nga periudha e ndritur e Rilindjes Kombëtare, dhe është shkruar nga rilindësi ynë i shquar Hasan Zyko Kamberi[4].

Duhet theksuar se deri sot njihen mbi 20 mevlude të shkruara nga personalitete të njohura në fusha të ndryshme të fesë dhe të letërsisë, të cilët, me mjeshtërinë e tyre dhe në mënyrë artistike e shembullore thurën lavde e konsiderata, si për askënd tjetër, për të Dërguarin e Allahut xh.sh., Muhamedin a.s.. Ndër më të njohurit janë: Hasan Zyko Kamberi, Ismail Flloqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Tahir efendi Popova etj[5].

Është për t’u theksuar po ashtu se mevludet kanë pasur shtrirje dhe ndikim më të madh në vendet ku janë hartuar ato. Kështu, për shembull, Mevludi i Tahir efendi Popovës, i shkruar nga kosovari Tahir efendi Popova, ka pasur dhe ka shtrirje dhe ndikim më të madh në territorin e Kosovës[6] dhe në një pjesë të Maqedonisë.

Tahir efendiu e ka shkruar Mevludin e tij me grafi osmane, por me fjalë të renditura në bejte, duke respektuar në gjuhën shqipe rimën dhe metrikën e kësaj gjinie.

Mënyra e manifestimit të mevludit në Kosovë

E thamë edhe më lart se nuk ka të dhëna të sakta që flasin për kohën se kur ka filluar të manifestohet mevludi në territorin e Kosovës, por mund të themi se në Kosovë tash e më shumë se një shekull besimtarët e kanë shënuar solemnisht ditëlindjen e Pejgamberit me Mevludin e shkruar nga Tahir efendi Popova, i cili gjeti një shtrirje të gjerë në masën popullore, saqë një numër shumë i madh i besimtarëve e kishte zënë përmendsh, ndërsa ishin të paktë ata që nuk e dinin ndonjë pjesë të mevludit. Kjo flet vetvetiu se sa i pranishëm dhe sa i mishëruar ishe mevludi në masën e gjerë të popullit.

Gjithashtu, kam pasur rastin që të dëgjoj nga xhematlinjtë  e vjetër se, krahas mevludit të Tahir efendi Popovës, në Kosovë, respektivisht në trevën e Gollakut, ka qenë i njohur edhe një mevlud, të cilin ata e quanin “Mevludi elbasançe[7]”, e disa të tjerë më kanë folur edhe për “Mevludin e Shkodrës[8]”.

Mënyra e manifestimit të mevludit në Kosovë ka njohur ndryshime ndër vite. Fillimisht do ta bëjmë një përshkrim të manifestimit të mevludit në Kosovë gjatë viteve 1950-1990, ndërsa në fund do të vëmë në dukje disa tendenca që çojnë drejt zbehjes së kësaj tradite.

1. Manifestimi i mevludit në Kosovë gjatë viteve 1950-1990

Duhet thënë se gjatë kësaj kohe organizimin e mevludit e gjejmë në dy rrafshe: atë institucional dhe në ambiente familjare.

1.1. Manifestimi i mevludit në xhami

Në kuadrin e aktiviteteve të veta Bashkësia Islame ia kushtonte një kujdes të veçantë pritjes së muajit të lindjes së Pejgamberit a.s., muajit hixhrij (kalendarit hënor) Rebiul evel, që në popull njihet si Muaji – Hëna e Mevludit.

Ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është krejt e natyrshme që besimtarët t’i kushtonin vëmendje të posaçme. Për këtë arsye së pari Bashkësia Islame, përmes imamëve në vigjilje të 12 Rebiul evelit, nëpër xhami, në hytbe e qursi, pastaj në xhematë po edhe në  kontakte me besimtarët, derset e ligjëratat e tyre ia kushtonin kësaj ngjarjeje – lindjes së Pejgamberit a.s.. Në këtë mënyrë imamët, si të thuash, ua rikujtonin besimtarëve se janë në prag të një date të rëndësishëm për fenë, kulturën e qytetërimin islam. Imamët ua jepnin edhe këshillat e nevojshme se si duhet pritur e si duhet manifestuar ditëlindja e Pejgamberit a.s..

Ndërsa më 12 Rebiul evel që populli e njihte si Nata e Mevludit, apo Natë e Madhe,  institucionet e Bashkësisë Islame, respektivisht këshillat, organizonin manifestimin e mevludit. Manifestimi organizohej në xhamitë kryesore të qendrave të vendit, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan e kështu me radhë, e më pas edhe në xhamitë e tjera në vendbanime të ndryshme, zakonisht në xhematë më të mëdhenj. Manifestimi organizohej pas namazit të drekës apo të iqindisë. Para këndimit të mevludit, dikush nga hoxhallarët apo ulematë më të njohur mbanin derse, ku flisnin për historikun e jetës së Pejgamberit, madje kur jemi këtu duhet thënë se shumica e besimtarëve falë këtyre derseve të imamëve e ulemave të kohës, e njihnin mirë historinë e Pejgamberit dhe jo vetëm kaq,ngase mësonin edhe për të afërmit e Pejgamberit, si për gjyshin, babanë, nënën, xhaxhallarët, pastaj për shokët-ashabët e tij, por dhe për kundërshtarët e tij që identifikoheshin me Ebu Lehebin.

Në këto derse pastaj flitej edhe për sukseset që arriti Pejgamberi sa ishte gjallë, si dhe për përhapjen e furishëm të fesë islame pas vdekjes së tij. Derset e hoxhallarëve ilustroheshin, përpos me ajete e hadithe, edhe me shumë thënie të karakterit didaktik nga historia e fesë islame, p.sh. merreshin shembuj nga thëniet e Ebu Hanifes, merrej shembuj nga jeta dhe shembujt e Hulefai Rrashidinëve, pastaj shembuj nga heronjtë që përhapën islamin në tri kontinentet e kështu me radhë. Këto derse shquheshin për afërsi me xhematin i cili ndiente ngrohtësinë e anës shpirtërore.

Pas dersit imamët renditeshin në gjysmë harku pranë mihrabit të kthyer me fytyrë kah xhemati, ndërsa ata që kishin zërin më të bukur këndonin mevludin. Fillimisht si manifestim islam hapej me ashere nga Kurani Kerim, dhe salavate për Pejgamberin e pastaj këndohej Kasidja e Mevludit, që i kushtohet rëndësisë dhe vlerës së mevludit. Kasidja e Mevludit fillon kështu:

Pej Allahit xhithsa t’mirat kush i don

Tu mevludi i Resulullahit vjen [9]

Pas kasides këndoheshin falënderime e madhërime për Allahun xh.sh., bekime e urime për Pejgamberin dhe myslimanët:

Hamdi koft Allahit shum hiç pa të ndam[10]

Hem Resulit koft salati hem selam

Këndimi i Mevludit udhëhiqej nga hoxhallarët që këndonin me radhë, ndërsa xhematlinjtë e pranishëm e përcillnin me kujdes të ulur në gjunjë shumica prej tyre me tespih në duar dhe me terleme në kokë. Këndimi i Mevludit nis me këtë bejt:

Allah Emnin t’a përmendin daima

Me nis punen me To xhithkush borxh e ka[11]

Mevludi i Tahir efendi Popovës i ka 10 fasle të ndarë në bejte. Faslet janë të ndara në mënyre tematike e kuptimore. Në fund të çdo fasli këndohen salavate, ndërsa në faslin e parë autori – Tahir efendi Popova kërkon nga të pranishmin që marrin pjesë në mevlud, t’i këndohet nga një Fatiha për shpirt të tij:

Her kush do aj n’kët dua hazër me kan

Du pej tij ni “Fatiha” t’ma bojn ihsan[12]

Ndërsa në fund të faslit që flet për lindjen e Pejgamberit, respektivisht para se të këndohet bejti:

“Leu Sulltani dinit turqnis n’at zeman

Tok e Qill u mbushen me nur xhith sa jan”,

të gjithë pjesëmarrësit në manifestim ngriheshin në këmbë, ktheheshin kah Kibla dhe këndonin me zë salavate, ndërsa kjo bëhet për respekt të Pejgamberit dhe besimtarët në shenjë nderimi ngiheshin në këmbë.

Në fundin e mevludit thuhet:

Shum shyqyr Zotit hem Resulit selam

Ky Mevlud me izn’e Tij u bë temam[13]

 

Edhe përfundimi i Mevludit bëhej me lexim të Kuranit të madhëruar, pas së cilit bëhej duaja.

Kështu organizohej manifestimi i Mevludit në xhamitë e Kosovës gjatë viteve 1950-1990[14].

Në këtë mënyrë Bashkësia Islame e asaj kohe, imamët nëpër xhami e xhematë, besimtarët e devotshëm e të përkushtuar ndaj Zotit, në sistemin monist-komunist, i cili i kishte dhënë vetes për detyrë që nga besimtarët të çrrënjoste ndenjën fetare dhe ta kultivonte doktrinën e ateizmit. Në këto rrethana organizimi i manifestimeve madhështore kushtuar lindjes së Pejgamberit a.s. s’ka dyshim se ishte sfidues i drejtpërdrejtë i doktrinës dhe i filozofisë ateiste, në njërën anë, dhe në anën tjetër luante një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e ndenjës së fesë, madje të shprehur edhe në këtë mënyrë përmes një manifestimi shpirtëror.

Përpos sfidës së pushtetit ateist, xhemati, hoxhallarët dhe besimtarët u përballën edhe me atakimin që ua bënte e ashtuquajtura “klasë intelektuale” shqiptare e kohës, e cila gjithçka që ishte islame e shihte si prapambetje dhe të dëmshme, si sinonim i të keqes që duhej harruar sa më parë.

1.2. Manifestimi i mevludit në ambientet familjare

Më sipër përshkuam organizimin e manifestimit të mevludit në xhamitë e Kosovës, ndërsa tani me pak rreshta do të përpiqemi që të paraqesim edhe mënyrën e organizimit të manifestimit të mevludit nga ana e besimtarëve në ambiente familjare, respektivisht në shtëpitë e tyre. Ky manifestim ishte shumë madhështor dhe shumë dinjitoz, me ç’rast besimtarët për ta kujtuar me dinjitet ditëlindjen e Pejgamberit organizonin mevlud.

Besimtarët, për të pasur mundësi që të merrnin pjesë tek njëri-tjetri, këtë manifestim e organizonin në ditë të ndryshme, aq sa i tërë muaji Rebiul Evel kalonte në këtë atmosferë, madje në popull ky muaj ka qenë i njohur si Muaji i Mevludit.

Për manifestimin e mevludit, përpos hoxhallarëve që e udhëhiqnin dhe e këndonin atë, thirreshin edhe familjarët, fisi, miqtë, fqinjët e dashamirët, të cilët kur shkonin në mevlud visheshin në rroba solemne, ngase ishin të bindur se po shkonin në një manifestim ku kujtohet i Dërguari i Allahu xh.sh.

Në odën ku mbahej manifestimi i mevludit hoxhallarët zinin kryet e vendit dhe para këndimit të mevludit për të pranishmit mbanin ders kushtuar jetës së Pejgamberit, duke nisur që nga prindërit e tij, e posaçërisht për jetën e të Dërguarit nga lindja e deri në vdekje, pastaj flisnin për parimet e islamit dhe çështje të tjera që kishin të bënin me fenë.

Rrjedha e manifestimit të mevludit ishte e njëjtë me atë që e përshkuam për xhami, me të vetmin dallim që në ambientet familjare ndryshonte struktura e të pranishmëve. Përderisa në xhami, në manifestimin e mevludit shumica e të pranishmëve ishin xhematlinj, në ambientet familjare stukura ishte më hetorogjene si në moshë ashtu edhe në profesione. Po ashtu, një ndryshim tjetër ishte se pas këndimit të mevludit, për të pranishmit, nikoqiri shtronte drekë ose darkë të përgatitur enkas për këtë. E pas drekës apo darkës, të pranishmit kishin mundësi të bashkëbisedonin me hoxhallarët, ndërsa tema ishte krejtësisht me karakter fetar.

Në manifestimin e mevludit në ambientet familjare merrnin pjesë edhe femrat, të cilat dëgjonin dersin dhe këndimin e mevludit në dhomën  tjetër, apo në ambiente afër dhomës ku këndohej mevludi. Femrat që e dëgjonin mevludin, edhe ato të cilat në jetën e përditshme nuk mbanin shami në kokë, gjatë asaj dite derisa këndohej mevludi mbanin shami të bardhë në kokë.

Duhet thënë se mevludi ka pasur rëndësi të veçantë në të gjitha aspektet te popullata jonë, ngase përpos përgatitjes për mevludin, edhe veshja, pastaj përgatitja e sofrës, edhe përgatitja e ambientit ishte e veçantë dhe në harmoni të plotë me parimet islame, ndaj jo vetëm shtëpia ku këndohej mevludi por edhe lagjja mbushej me atmosferë mevludi.

1.3. Këndimi i mevludit në manifestime të tjera popullore

Përveç këndimit të mevludit gjatë muajit të Rebiul – Evelit apo muajit të mevludit që bëhej për hir të  respektit të lindjes së Pejgamberit, besimtarët organizonin mevlud edhe në  manifestime të tjera të karakterit fetar apo edhe në gëzime, përurime e madje edhe në  raste të qedereve po edhe në rastin e vdekjes së ndonjë familjari.

1.3.1. Mevludi në Kosovë ka qenë i përhapur si manifestim edhe gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit, kur xhematliu i cili e thërriste farefisin për iftar, organizonte edhe mevlud që këndohej pas faljes së namazit të iqindisë. Madje, në fshatrat e Gollakut për ta thirrur hoxhën në iftar e edhe për të kënduar mevlud gjatë Ramazanit kishte një rend, ngase kërkesa ishte e madhe, ndërsa tërë xhemati kishte vetëm një imam.

1.3.2. Besimtarët edhe gëzimet dhe arritjet e tyre i shënonin me mevlud. Kështu,  p.sh., me rastin e hyrjes në shtëpi të re pronari organizonte mevlud. Mevludi organizohej edhe me rastin e shënimit të ndonjë rezultati, p.sh. me rastin e diplomimit e të ngjashme. Besimtarët organizonin mevlud edhe kur kryhej ndonjë rit fetar, si bërja synet e fëmijëve, e të ngjashme.

1.3.3. Në qendrat urbane, në fillim të viteve  80 dhe fillim të viteve 90, në  Kosovë pati marrë përmasa edhe organizimi i mevludit vetëm nga femrat. Ky manifestim bëhej me rastin e lindjes së fëmijës dhe kjo kryesisht për fëmijën e parë. Ky manifestim bëhej kryesisht ditën e premte, pas namazit të iqindisë, ndërsa në Prishtinë e në Gjilan, po edhe në qendrat e tjera, njihej me emrin xhuma (kishte xhuma, po shkoj në  xhuma, isha në xhuma, po bante xhuma, etj). Në këto manifestime tërë ceremonia e mevludit udhëhiqej nga femrat.

1.3.4. Mevlude janë kënduar edhe në ato raste kur besimtari ka pësuar ndonjë qeder dhe ka shpëtuar si dhe në raste kur kanë pasur rast vdekjeje në familje. Mevlud për të vdekur është kënduar zakonisht në ditën kur është mbajtur edhe qelimja.

Nga këto pak të dhëna që ofruam mund të kuptohet se manifestimi i mevludit në Kosovë kishte një shtrirje të gjerë në masën e besimtarëve, madje ishte ndër manifestimet më popullore dhe kjo për faktin sepse pothuajse i tërë manifestimi mbahej në gjuhën shqipe dhe kur kësaj i shtohet fakti se mesazhi i mevludit në përgjithësi është fisnikërimi i njeriut mund të merret me mend pse një manifestim i tillë qe aq i përhapur te ne.

Manifestim i mevludit nga ulematë u shfrytëzua për depërtimin në masën e gjerë dhe për pasimin e mësimeve islame, ngase në manifestimin e mevludit xhemati kishte mundësi që të bashkëbisedonte me hoxhën për çështjet fetare.

Gjithashtu, mevludi si manifestim e ka luajtur edhe rolin mobilizues për mësimet dhe kulturën fetare të ne, megjithëqë popullata jonë pati fatin e keq të jetonte në sistemin socialist.

Mevludi gjatë sistemit monist kishte luajtur një rol të rëndësishëm edhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, ngase si krijimtari letrare ishte shkruar nga një ulema shqiptar, pastaj ishte krijimtari në gjuhën shqipe dhe i dedikuar për masën shqiptare. Kështu, në mevludin e Tahir efendisë përmendet gjuha shqipe:

Për ata qi arnautçe guhen e din

U marue ky Mevlud xhith le ta din[15]

 

1.4. Debati për mevludin

Më lart përshkruam se si organizohej manifestimi i mevludit në Kosovë, por në fund të viteve 80 dhe në fillim të viteve 90, me kthimin e një numri të konsiderueshëm të studentëve tanë që i kishin përfunduar studimet në botën arabe, e posaçërisht ata që kishin diplomuar në Arabinë Saudite, në xhematë hapën debatin për rëndësinë që ka mevludi në fe.

Jo ndoshta me qëllim të keq, por në mënyrë euforike, “ilmin” e tyre e treguan në shkatërrimin e traditës pozitive islame që kishte mbijetuar edhe stuhinë e ateizmit. Në derset e ligjëratat e tyre, madje pa i pyetur kush, e shpeshherë edhe kur ishin të thirrur në manifestimin e mevludit, këta u thoshin besimtarëve mevludi nuk është gjë; nuk fitohet xheneti me mevlud; mevludi është bidat; në Arabi nuk ka mevlud; nuk jam hoxhë i mevludit; Nuk mbahet feja me mevlud etj. Gjithë këtë fushatë kundër mevludit e bënë pa asnjë studim dhe nën ndikimin e doktrinës së vendit ku kishin studiuar. Ani pse edhe në botën arabe shënohet, edhe sot e kësaj dite, ditëlindja e Pejgamberit, por në formë të ndryshme nga ne.

Hapja e këtij debati në xhematë solli një konfuzion e hutim. Megjithëse te gjenerata e vjetër nuk pati ndonjë ndikim të madh, ndikimi negativ i këtij debati pati efekt te gjenerata e re, të cilët, të ndikuar nga ky debat, sikur e lanë anash organizimin e manifestimit tradicional të mevludit.

Një segment tjetër që ka luajtur rol negativ në zbehjen e manifestimit të mevludit është edhe një tentim për të bërë më bashkëkohore mënyrën e manifestimin e mevludit.

Në këtë kontekst do ta përmendja tendencën e organizimeve të manifestimeve fetare, madje edhe të mevludit jashtë xhamive dhe jashtë ambienteve familjare, si në salla sporti, amfiteatro, restorante etj., ku, në emër të modernizimit të manifestimit të mevludit, e humb atmosferën dhe ndikimin tradicional islam.

Këtu kisha për ta përmendur rastin kur më 12 Rebiul evel këshillat e BI-së, në vend që të vazhdonin traditën e vjetër që kishte funksionuar mirë, futën të ashtuquajturat tribuna me dy e tre ligjërues dhe me këndimin e disa pjesëve të mevludit e ndonjë ilahije. Mirëpo, duhet thënë se kjo formë e organizimit nuk është treguar e suksesshme, jo që nuk ka sjellë ndonjë rezultat, por e ka zbehur në masë të konsiderueshme këtë manifestim, i cili dikur ishte shumë popullor dhe kishte një histori të begatshme në mesin e besimtarëve tanë.

Organizimi i manifestimit të Mevludit në salla sporti nuk është zgjidhje e duhur, është ikje nga tradita, nga institucionet fetare dhe nga vetvetja. Kur e them këtë kam parasysh faktin se tani kemi mbetur edhe pa mevludin tradicional dhe atmosferën e tij fetare e popullore që mbushte një mozaik kulturor e shpirtëror, pasi që forma e re e manifestimit nuk i ka këto premisa.

Debati për rëndësinë e mevludit ka ndikuar shumë në zbehjen edhe të shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit në ambiente familjare. Tani më pak dëgjojmë për mevlude nga besimtarët. Kjo vlen edhe në raste të gëzimeve a përurimeve kur kemi më pak mevlude. Përderisa  ka ndryshuar forma e manifestimit të mevludit në organizimin institucional tek masa e gjerë kjo po zbehet e po braktiset dita–ditës.

1.5. Si t’i kthehen roli dhe ndikimi i mevludit?

1. Mendoj se institucionet fetare te ne, e në këtë rast Bashkësia Islame e Kosovës me të gjitha institucionet e saja, duhet të tregohen më fanatike në ruajtjen e trashëgimisë pozitive islame, siç është edhe organizimi i manifestimit të mevludit në xhamitë qendrore të qendrave kryesore.

2. Të ndalet debati i hoxhallarëve me xhematin për traditën pozitive dhe nëse paraqitet nevoja për një debat të tillë ai të bëhet nga njerëz kompetentë dhe të dëshmuar në fushat përkatëse.

3. Në institucionet arsimore, në medrese dhe në Fakultetin e Studimeve Islame t’i kushtohet rëndësi më e madhe lëndës së Qytetërimit islam, në të cilën duhet të vihet theksi në trashëgiminë pozitive islame, siç janë personalitetet e njohura të ulemave tanë, pastaj kultura materiale islame me të gjitha vlerat e saj, si dhe kultura e shkruar dhe ajo shpirtërore.

4. Në periodikun e bashkësive islame t’iu kushtohet më shumë hapësirë mevludeve si krijimtari artistike, letrare, pa harruar edhe vlerat fetare e kulturore.

5. Imamët t’i kushtojnë më shumë rëndësi sensibilizimit të besimtarëve për organizimin dhe manifestimin e mevludeve.

6. Të ruhet mënyra tradicionale e manifestimit dhe e këndimit të mevludit.


[1] Feti Mehdiu, Mevludet dhe shqiptarët, Bashkimi Paqësor, nr. 2-3,  Prishtinë  1992, fq. 9-10.

[2] Dr. Hasan Kaleshi, Mevludi te shqiptarët, Vepra -1, Logos –A, Shkup 1996, f. 63-64.

[3] Po aty, 64.

[4] Nehat Krasniqi, Mevludet në letërsinë shqiptare me alfabet arab, “Dituria Islame”, nr. 30-31, tetor-nëntor 1991, fq. 24.

[5] Më gjerësisht për mevludet në gjuhën shqipe shih: Faik Luli, Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, “Camaj- Pipaj” Shkodër 2002.

[6] Tahir ef. Popova, sipas Hasan Kaleshit, Mevludin e tij e ka shkruar në vitet e 80-ta të shek. XIX dhe mbetet i vetmi mevlud i shkruar dhe i botuar nga një kosovarë. Për këtë arsye edhe ka gjetur një shtrirje dhe ka dëpërtuar në masen e gjerë. Me sa dihet, janë edhe dy autorë nga Kosova që kanë shkruar mevlude, por që mevludet e tyre kanë ngelur në dorëshkrim dhe nuk janë aq të njohur për masën– Hafiz Islam Nekovci-Qelebiu dhe Mulla Mehmet ef. Salihu nga Opoja.

[7] Për mevludin “elbasançe” dhe atë Shkodrës më ka foluar Ruhan (Musli) Shkodra (1918-1996), në vitin 1993, kur në fshatin Desivojcë të Komunës së Kamincës, kam marr pjesë bashkë më të në disa manifsetime të mevludit. Rahmetiliu, Ruhan Shkodra kujtonte që mevludin “elbasançe” e kishte dëgjuar si i ri nga imami i xhamisë së Desivojcës, Mulla Smajli. Madje ai mbante mend disa pjese të atij mevludi, e që sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për Mevludin e Ali Ulqinakut.

[8] Sipas të gjitha gjasave është i njëjti mevlud, ai i Ali Ulqinakut.

[9] Tahir ef. Popova, Vargje mbi lindjen e qenies më të vlefshme në gjuhën shqipe, (Mevludi), Prishtinë 2007.

[10]Po aty, fq. 12.

[11] Po aty, fq. 14.

[12] Po aty, fq. 16.

[13] Po aty, fq. 38.

[14] Manifestimi i mevludit i ngjashëm si në Kosovë është bërë edhe në Sanxhak. Më ka rënë rasti që në  vitin 1991 të jem imam i Ramazanit në fshatin Pokrvenik të Tutinit, aty kam marrë pjesë në disa mevlude dhe i tërë manifestimi i mevludit ishte i njëjtë, me të vetmin dallim që  Mevludi këndohej në gjuhën boshnjake, por edhe mevludi në gjuhën boshnjake ishte adaptim që i qe bërë Mevludit të Sylejman Qelebiut, përgatitjen e të cilit e kishte bërë Arif Sarajlia.

[15] Tahir ef. Popova, Vargje mbi lindjen e qenies më të vlefshme në gjuhën shqipe, (Mevludi), Prishtinë 2007, fq. 16.

Leave a comment

Filed under Punimet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s