Reportazh nga Haxhi 2007 (Pjesa e parë)

 

 Në shoqërim të haxhinjve tanë

 

(I përgjigjem thirrjes Tënde O Zoti im, i përgjigjem

thirrjes Tënde, pa të përshkruar shok askënd.

Vërtetë, falënderimi, mirësia dhe pushteti të takojnë

vetëm Ty, e Ti nuk ke rival).

 

 

Haxhi

Haxhi është një ndër kushtet themelore të fesë islame, është ndër 5 themelet e fesë, me të cilin obligohet besimtari që ka mundësi materiale njëherë në jetë të kryej këtë obligim. Për dallim nga obligimet tjera, që mund të kryhen kudo që ndodhet besimtari, haxhi kryhet në kohë dhe vendet e caktuara.

Historia nuk njeh ndonjë ritual fetar më masiv se sahaxhi, i cili në kohë të caktuar, në vende të caktuara dhe me qëllim të caktuar, arrin që të tubojë besimtarë nga të gjitha anët e botës.

 

Tradita e Haxhit tek ne

Edhe ke ne Haxhi ka histori qindra vjeçare. Haxhiu në rrethin tonë ka qenë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë një njeri i respektuar, me të cilin identifikohet devotshmëria, sinqeriteti, drejtësia e përkushtimi ndaj fesë e Krijuesit të kësaj bote.

Dokumente të shumta e burime të ndryshme vërtetojnë se me fillimet e përhapjes së Islamit në trojet shqiptare edhe shqiptarët filluan të shkojnë në Haxh.

Gjatë shekujve XV-XIX, për arsye të kushteve të vështira të përgjithshme, haxhillëku zgjaste shumë muaj.

Dr. Muhamet Mufaku në librin “Shqiptarët në botën arabe” (Prishtine, 1990) thekson se haxhillëku zgjaste 10 muaj. Vetëm rruga Stamboll-Mekë zgjaste 8 muaj, ndërsa nga Damasku deri në Mekë- 2 muaj.

Që nga shekulli XVI, shqiptarët që kanë shkuar në Haxh, kanë lënë gjurmë fetare, materiale, politike dhe shoqërore. Duke filluar nga gjysma e dytë e atij shekulli, qëndroi në Mekë e në Medinë, arkitekti i njohur shqiptar Mimar Sinani për të ndërtuar një sërë objektesh shoqërore, arsimore dhe fetare.

Në këto qytete të shenjta për të kryer haxhin kanë qenë edhe figura të shumta ushtarake dhe politike, si: Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka etj., në vitin 1860 vdiq në Mekë edhe luftëtari i njohur shqiptar, Mustafa Pashë Bushati, që asokohe ishte vali i Mekës dhe i Medinës.

Si çdo vit edhe këtë që sa po e lamë pas, miliona haxhinjëve nga e mbarë bota iu bashkuan edhe një numër simbolik i haxhinjëve nga Kosova.

Disa fjalë për organizimin e Haxhit Organizimin për shkuarjen në Haxh e ka bërë Kryesia e BI-së të Kosovës, me këshillat e saj anekënd vendit.

Organizimin e Haxhit Kryesia e Bashkësisë islame të Kosovës e bën qe 30 vjet, e cila merr përsipër organizimin komplet të Haxhit, duke filluar që nga paraqitja e besimtarit për të shkuar në Haxh e që bëhet në këshillat vendor, pastaj Kryesia, respektivisht komisioni i Haxhit në bashkëpunim me këshillat vendor, bënë përgatitje në vend: si përpilimi i listave të hanxhinjëve, sigurimi i vizave, vakcionimi i haxhinjëve, caktimin e udhëheqësve të haxhinjëve, (1 udhëheqës ka së paku 20 haxhinjë), përzgjedhja e ekipit të mjekëve që do të kujdeset për gjendjen e haxhinjëve. Ndërsa në Arabinë Saudite, Kryesia në bashkëpunim me Ministrinë e Haxhit të Saudisë siguron lejet përkatëse të cilat i kërkohen për Haxh, pastaj në Saudi sigurohen edhe apartamentet për vendosjen e haxhinjve, si dhe transporti).

Organizatori si vite më parë edhe këtë vit shkuarjen për në haxh e kishte organizuar në dy mënyra: në atë tokësore dhe në atë ajrore.

 

Nisja e haxhinjve

Sipas traditës së kamotshme tek ne që nga dita kur besimtari e bën publike vendimin për të shkuar në Haxh, e deri atë ditë që niset, miq të afërm nga farefisi e kolegë, në shenjë nderimi e respekti shkojnë për ta përgëzuar, e për ta uruar dhe për t’ia bërë për hajr shkuarjen në Haxh.

Kështu ishte edhe më 3 dhjetor 2007 në Prishtinë kur u nisën haxhinjtë në vijë tokësore, ku për t’i përcjell ata kishin dal një numër i konsiderueshëm i të afërmëve e miqve të tyre. Ndërsa zyrtarët e Bashkësisë Islame në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” të Prishtinës, organizuan ceremoni tashmë tradicionale dhe bënë duan e nisjes së haxhinjëve. Duan e bëri imami nga Prishtina Hakif ef. Hoti.

Haxhinjtë që niseshin dukeshin të entuziazmuar për rrugën që po mernin. Dy ditë më vonë 25 dhjetor, në orët e para të mëngjesit, kur në Prishtinë bënte të ftohtë, në aeroport kishin dal numër i konsiderueshëm i besimtarëve për t’i përcjell haxhinjtë që udhëtonin për në Medinë.

Pas procedurave të aeroportit, haxhinjë zunë vendet e tyre në aeroplanin “Boing 757” të kompanisë angleze “FLYMONARCH”, dhe pikërisht në ora 8, aeroplani me haxhinjë nisi fluturimin e tij drejtë Medinës Që nga hyrja në aeroplan, haxhinjtë në vete me zë të ultë bënin lutje e këndonin duan e udhëtimit, me të vetmin qëllim që të mbërrinin mirë në Medinë. Gjatë udhëtimit në fytyrat e haxhinvjve shihej një entuziazëm i paparë, bisedonin me njëri-tjetrin dhe vështronin përmes dritareve pamjet magjepse që shiheshin mbi Mesdhe e mbi Egjipt e posaçërisht mbi metropolin afrikan me përmasa botërore, Kajron.

Derisa aeroplani fluturonte mbi detin e kuq, anëtarët e ekuipazhit na bënë me dije se jemi në prag të hyrjes në zonën ajrore të Arabisë Saudite, ndërsa pas pak na informuan se për 30 minuta do të zbresim në Aeroportin e Medinës.

 

Arritja në Medinë

Pas plotë 3 orë e 30 minuta udhëtim ateruam në Aeroportin e Medinës, për fatin tonë të mirë, në Aeroport nuk kishte haxhinjë të tjerë, dhe shumë shpejt i kryem të gjitha procedurat e hyrjes në këtë vend .

Me të dal nga dogana, takuam përgjegjësit e haxhinjëve, Bahri ef. Simnicën e Ahmet Ramën, të cilët kishin dal për të na pritur. Ata, pasi na dëshiruan mirëseardhje dhe u interesuan se si kemi kaluar gjatë udhëtimit na drejtuan për tek autobusët që ishin duke na pritur.

Shumë shpejt haxhilerët u sistemuan nëpër autobus dhe u nisëm drejt qendrës së Medinës së ndritshme.

Pas pak arritëm në qendër të Medinës krejt pranë Xhamisë së Pejgamberit a.s., para hotelit “Taiba” ku zbarkuam dhe u vendosëm aty.

 

Disa fjalë për Medinën

Medina pas qytetit të Mekës është qendra më e rëndësishme për myslimanët, madje tashme dihet se pikërisht Medina është kryeqendra e parë e myslimanëve.

Ishin banorët e Medinës ata që i ofruan mikpritje Pejgamberit a.s. kur ai u detyrua të largohet nga Meka.

Medina si vend përmendet edhe në Kuran, në suren mekase përmendet si apelativ në shumës “Medain” ndërsa në ato medinase si El- Medina. Në qytetin e Medinës Muhamedi a.s. migroi më 622, nga ku edhe filloi të predikoi haptas fenë islame, e të përhapte shumë shpejtë misionin e tij, kështu Medina u bë qendra nga ku lindi një fe, një qytetërim me përmasa të mëdha, që për një kohë të shkurt do të përfshinte tërë botën, më shumë, e më shpejt se çdo fe e çdo qytetërim tjetër.

Megjithëqë vizita në Medinë nuk është nga farzet e Haxhit, qëndrimi në këtë qytet është i një vlere të veçantë, ngase siç e potencuam është vendi nga ku u perhaps feja islame, është vendi ku jetoi Pejgamberi a.s., është vendi ku u themeluan institucionet e para të shoqërisë islame, është vendi ku u ndërtuan xhamitë e para me nismën dhe pjesëmarrjen e vete Muhamedit a.s. Andaj haxhiu gjatë qëndrimit në Medine ka rastin që të vizitojë disa vende e objekte të rëndësishme të fesë, të historisë, të kulturës e të qytetërimit islam, që janë të lidhura ngushtë me të kaluarën e ndritshme islame, siç janë: Xhamia e Pejgamberit a.s., Varri i Pejgamberit, xhennetul – beki (varrezat e as’habve), vendi ku u zhvillua beteja e Uhudit, pastaj vendi ku u zhvillua beteja e Hendekut, si dhe xhaminë Kibletejen dhe xhaminë Kuba. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Medinë është me interes të vizitohen edhe institucionet arsimore të Medinës, siç është Universiteti Islamik i Medinës dhe shtypshkronja e Kuranit të Madhëruar.

 

Xhamia e Pejgamberit a.s.

Haxhinjtë në përgjithësi e sidomos ata që janë në Medinë për herë të parë, i mahnit bukuria e xhamisë së Pejgamberit, e cila si për kah ndërtimi, ashtu edhe për kah stili e harmonia është unikate. Kjo xhami është ndër më të mëdhatë në botë dhe për shumë gjëra është e veçantë.

Xhamia për herë të parë është ndërtuar më 622 me të migruar të Pejgamberit në Medinë. Kronikët thonë se në hartimin e planit po edhe në ndërtimin e saj, ka marrë pjesë aktive edhe vetë Muhamedi a.s .. Xhamia gjatë historisë është zgjeruar e ndërtuar disa herë, ndërsa objekti i tashëm është zgjeruar për herë të fundit në vitet e 90 të shekullit të shkuar.

Sipas të dhënave tani xhamia ka një sipërfaqe prej 135. 000 metra katrore. Në kohën e faljeve normale xhamia ka vend për 700 000 vete, ndërsa në kohën e Haxhit ose te Umres brenda një kohe mund të falin namaz mbi 1 milion vetë.

Xhamia ka 81 hyrje, 10 minare, 6 prej të cilave arrijnë lartësinë 104 metra. Në këtë xhami madhështore për here të parë në historinë e arkitekturës së xhamive janë vendosur disa kupola elektronike të lëvizshme të cilat janë zbukuruar me më tepër se 68 kg. ari. Në xhami mbizotëron një pastërti absolute, një rend e rregull me të gjitha kushtet që i mundësojnë haxhiut të ndihet komod në kryerjen e namazeve.

Edhe vlera e namazit në këtë xhami është dukshëm më e rëndësishme se në xhamitë tjera, një namaz i falur në këtë xhami ka vlerën e 1000 namazeve që falë besimtari në xhamitë tjera. Haxhinjtë tanë patën rast të falin një numër të konsiderueshëm, mbi 40 namaze në këtë xhami, madje për fatin tonë të mirë na ra që t’i falim edhe dy namaze të xhumasë.

Është madhështore pamja kur në kohët e namazeve sheh besimtarë nga e gjithë bota që nisen në drejtim të xhamisë së Pejgamberit a.s. për të falur namazin dhe atë në vendin ku një kohë të gjatë u fal edhe vetë Pejgamberi, Muhamedi a.s.

Xhamia e Pejgamberit a.s. ka një bibliotekë të pasur me libra e shkrime nga më të ndryshmet, e cila gjendet në pjesën veriore të xhamisë. Në bibliotekë ruhen edhe botime e dorëshkrime me kaliografi të rralIë të Kuranit. Ndërsa në sallën e lutjeve të xhamisë janë të vendosur shumë rafte me Kuran të përshtatur në të gjitha gjuhet, ku normalisht dominojnë ata në gjuhën arabe, por duhet cekur se thuajse në të gjithë raftet e Kuranit gjendej edhe përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe, e të cilët kanë mundësi me i shfrytëzuar besimtarët kryesisht gjatë kohëve në mes namazeve. Xhamia ka teknologji bashkëkohore për ajrosje si dhe një sistem të organizuar mirë të ujit ku gjatë gjithë kohës haxhileret kanë mundësi të shërbehen me ujë të ftohtë nga burimi i zem-zemit. Në xhaminë e Pejgamberit gjendet edhe Varri i Pejgamberit a.s., ndërsa afër xhamisë janë varrezat e ashabëve.

 

Udhëhqësit e Haxhit

Me qëlIim të organizimit dhe sistemimit më të mirë të haxhinjëve, përgjegjësit e Haxhit gjatë tërë kohës bashkëpunonin ngushtë me udhëheqësit e hanxhinjëve, madje herë pas here konsultoheshin për bashkërendimin e veprimeve që duhet kryer në ditët sa do të qëndrojmë në Medinë.

 

Kodra e Uhudit

Në mënyrë të organizuar haxhinjët që qëndrojnë në Medinë vizitojnë Kodrën e Uhudit e cila gjendet 5 kilometra në veri të Medinës. Në historinë islame Kodra e Uhudit njihet si një vend ku myslimanët zhvilluan një betejë të fuqishme kundër forcave të mekasëve politeist. Për betejën e Uhudit, haxhinjëve tanë madje edhe duke iu treguar pozicionet që aso kohe mbanin forcat e myslimanëve në njërën anë dhe forcat e mekasëve në anën tjetër, apo thënë ndryshe nga vendi i ngjarjes u folën udhëheqësit e grupeve. Në Betejën e Uhudit në anën e myslimanëve ranë 70 dëshmorë në mesin e të cilëve edhe xhaxhai i Pejgamberit a.s. Hamza i njohur si një luftëtar i shkathtë, që është i varrosur me të gjithë dëshmorët që ranë në këtë beteje.

 

Plisi i identifikonte haxhinjtë tanë

Haxhinjët tanë megjithëqë të pakt në numër krahasuar me hanxhinjtë (këtë vit në organizim të Kryesisë së BI të Kosovës në Haxh kanë qenë 592 haxhinjë) nga vendet tjera, gjatë qëndrimit në Medinë binin në sy me dy elemente, një disa nga haxhinjtë tanë mbanin në kokë me shumë krenari plisin e bardhë, që i identifikonte qartë se janë nga viset shqiptare, ndërsa element tjetër dallues ishte se shumica e haxhinjëve tanë mbanin të veshur jelek ku shkruan në shqip, anglisht e arabisht Haxhi Kosova, si dhe mbishkrimi i organizatorit Bashkësia Islame e Kosovës.

Këta jelek që i bartnin haxhinjët tanë paraqiste një lloj uniforme dhe një shenjë identifikuese për ne, kështu që haxhinjtë nga vendet tjera shpesh i ndalnin haxhinjë tanë me interesim që të pyesin për gjendjen në Kosovë, për zhvillimin e Kosovës, e mbi të gjitha u interesonte çështja e statusit të Kosovës. Haxhnjet nga vendet e ndryshme luteshin që sa më parë të zgjidhej statusi i Kosovës. Kështu haxhilerët tanë në vende të shenjta qenë edhe ambasadorë e prezantues të denjtë të vlerave të popullit tonë.

 

Hendeku (shtatë xhamitë)

Ndër vendet e rëndësishme në Medine që e vizituam në menyrë të organizuar është edhe vendi ku u zhvillua beteja që në historinë islame njihet me emrin Beteja e hendekut. Vend ky i cili gjendet diku 2 kilometra në veriperendim të xhamisë së Pejgamberit a.s.. Në këtë vend 5 vjet pas migrimit të Pejgamberit mekasit i shpallin luftë myslimanëve në Medine madje mekasit asokohe kishin për qëIlim që definitivisht të depërtojnë në Medinë për të shpartalluar shoqërinë medinase e cila nën udhëheqjen e Muhamedit a.s. veç kishte krijuar një rend e rregull dhe një identitet të një shoqërie shumëdimensionale e bazuar në mësimet kuranore.

Por pikërisht ishte strategjia e myslimanëve në veçanti e Selman Ferasiut që në këtë vend asokohe të hapeshin hendeqe për t’i penguar politeistët mekas që mos të arrinin të depërtojnë në Medinë edhe pse e mbajtën të rrethuar për 1 vit. Afër vendit ku është zhvilluar Beteja e Hendekut janë edhe gjurmët e shtatë xhamive nga koha e Pejgamberit a.s., ku duhet veçuar “Mesxhidul Fethin”, e cila simbolizon vendin ku Pejgamberi a.s është Iutur për të korr fitore në Betejen e Hendekut.

 

Xhamia Kibletejn

Një ndër xhamitë më të njohura në Medinë është xhamia Kibletenj (xhamia e dy kibleve), e cila ka një vlerë të posaçme historike. Kjo xhami gjendet në perëndim të Medinës, 3.5 kilometra larg xhamisë së Pejgamberit a.s. Në kohën e Pejgamberit a.s. xhamia qe ndërtuar me material të dobët, por gjatë historisë xhamia disa here është rindërtuar, ndërsa objekti i tashëm i xhamisë është ndërtuar me 1988 nga mbreti Fehd. Quhet xhami e dy kibleve, ngase pas migrimit të Pejgamberit nga Meka në Medine, me tepër se një vit e gjysmë myslimanët janë falur në drejtim të xhamisë Al- Aksa, të Kudsit, Jerusalemit të sotëm, derisa Muhamedi a.s. ishte duke falur namazin e drekës në këtë xhami i kthyer kah Kudsi, i erdhi ajeti kuranor nga Allahu xh.sh. për ndërrimin e kiblës, kështu që dy reqatet e pare i fail në drejtim të Kudsit, në dy reqatet e fundit u kthye në drejtim të Qabës në Mekë, nga kjo ngjarje kjo xhami merr emrin xhamia e dy kibleve Nga kjo kohë të gjithë mysimanët kur falin namaz drejtohen me fytyrë nga Qabeje në Mekë. Për rëndësinë dhe historinë së kësaj xhamie haxhilerëve tanë u foli imami Muhamed ef. Hoxha.

 

Xhamia Kuba

Secili besimtar që shkel tokën e Medinës është e preferuar të vizojë xhaminë e Kubas. Ështe kjo xhamia e parë e ndërtuar nga myslimanët, ndërtimin e së cilës e filloi vetë Muhamedi a.s. derisa ishte duke u shpërngulur nga Meka për në Medinë. Në këtë vend Pejgamberi a.s. arriti më 12 rebiulevel të vitit 622, këtu Pejgamberi qëndroi 4 ditë ku pushoi pas një udhëtimi të gjatë e me plotë sfida e rreziqe Dhe pikërisht këtu Muhamedi a.s. aksionin e parë që ndërmori qe fillimi i ndërtimit të xhamisë. Xhamia e mori emrin sipas vendit-lagjes në të cilën u ndërtua-Kuba. Sot, Kubaja është një ndër lagjet më të mëdha të Medinës, e cila është përball rrugës që të shpie për në Mekë. Xhamia është rindërtuar disa herë, ndërsa objekti i tashëm i xhamisë është ndërtua më 1988.

Vlera e vizitës së kësaj xhamie është e madhe, kjo më së miri kuptohen nga thënia e Pejgamberit a.s.: “Kush pastrohet në shtëpinë e tij, dhe merr rrugën për tu falur në këtë xhami, do të këtë sevap sikur ta kryente një umre”, transmetohet se Pejgamberi kësaj xhamie i kushtoi një kujdes të veçantë thuajse çdo javë dilte për të fal namaz në këtë xhami.

 

Ekipi mjekësor

Organizatori i Haxhit Bashkësia Islame e Kosovës, për haxhilerët tanë kishe angazhuar ekipin mjekësor i cili në mënyrë sistematike përcillte gjendjen shëndetësore të haxhinjëve tanë.

Ajo që duhet theksuar; se megjithëqë disa haxhinjë tanë ishin të shtyrë në moshë, gjendja e tyre shëndetësore ka qenë e qëndrueshme dhe e mirë, kjo gjithsesi edhe falë angazhimit të ekipit të mjekëve tanë që me shumë përkushtim kryen misionin e tyre. Universiteti islamik i Medinës Universiteti i Medinës është një ndër qendrat më të rëndësishme të shkollimit në fushën e fesë islame të Arabisë Saudite po edhe të Botes Islame.

Gjatë qëndrimit tonë në Medinë megjithëqë kohë pushimi për Universitetin, falë angazhimit dhe shoqërimit që na bëri studenti nga Prizreni Enes Mazllami që në këtë fakultet studionte sheriatin për disa çaste qëndruam në hapësirat e këtij universiteti Në këtë universitet ndjekin studimet, studentë nga e gjithë bota. Edhe nga Kosova po edhe nga viset tjera shqiptare që nga vitet e 60 të shekulli të shkuar vazhdimisht kanë studiuar student shqiptarë, nga ku dolën kuadro të dëshmuara.

 

Shtypshkronja e Kuranit

Pas universitetit të Medinës vizituam edhe Shtypshkronjën e Kuranit, shtypshkronjë kjo që merret ekskluzivisht vetëm me përgatitjen dhe shtypjen e Kuranit në gjuhët e botës. Shtypshkronja është themeluar më 1986 dhe deri më tash ka shtypur me miliona kopje të Kuranit në gjuhë të ndryshme. Kjo shtypshkronjë ka botuar edhe përkthimin e Kuranit të alimit tonë të njohur haxhi Sherif Ahmetit në 1 milion kopje. Qyteti i Medinës tani paraqet një qendër të rëndësishme islame, që në të njëjtën kohë njeh trendet e zhvillimit të hovshëm në të gjitha fushat e jetës, duke ngërthyer në vete të kaluaren e lavdishme dhe njëkohësisht duke premtuar të ardhmen e ndritshme.

 

(vijon)

Leave a comment

Filed under 1

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s