Reportazh nga Haxhi 2007 (Pjesa e Dytë)

Në shoqërim të haxhinjve tanë

Ramadan Shkodra

(I përgjigjem thirrjes Tënde O Zoti im, i përgjigjem thirrjes Tënde, pa të përshkruar shok askënd. Vërtetë, falënderimi, mirësia dhe pushteti të takojnë vetëm Ty, e Ti nuk ke rival).

Nisja për Mekë

Rrugën për në Mekë, për të përjetuar madhështinë e kryerjes së Haxhit, e morëm, pas qëndrimit 10-ditësh në qytetin e Medinës.

Haxhinjtë tanë, pas namazit të ikindisë, në dhomat e hotelit “Taiba”, praktikisht filluan të bëheshin gati për t’u nisur në drejtim të Mekës. Udhëheqësit jepnin udhëzime për haxhinjtë se si duhej të vishnin ihramin e pas veshjes ua bën për hair ihramin dhe nisjen në rrugën për në Mekë.

Ihrami

Ihrami është veshje e posaçme e Haxhiut, që e vesh haxhiu para se të nisë Haxhin ose umren, në vendin e caktuar- Mikat. Ihrami përbëhet nga dy pjesë, pjesa e epërme dhe pjesa e poshtme.

Me veshjen e ihramit, haxhiut nuk i lejohet të ketë asnjë rrobë tjetër në trupin e tij. Ihrami zakonisht ka ngjyrën e bardhë dhe është rrobë e paqepur, që simbolizon barazinë, ndryshimin e pastrimin shpirtëror të besimtarit, në një anë, si dhe qëllimin e tij për t’i kryer me përkushtim e devotshmëri Urdhrat e Allahut xh.sh. Veshja e ihramit përveçqë është kusht, është një ndjenjë e veçantë për haxhiun, i cili, duke qenë i veshur me ihram, përveç përkushtimit ka edhe obligimet me të cilat detyrohet gjatë kohës sa është i veshur në ihram.

Nga tri llojet e haxhit, shumica e haxhinjve tanë u përcaktuan për të kryer Haxhin Temetu, që do të thotë që fillimisht gjatë muajve të Haxhit duhet kryer Umreja e pastaj Haxhi, si dhe për të prerë kurbanin e Haxhit.

Mikati

Rreth orës 21 haxhinjtë tanë u nisën nga Medina në drejtim të Mekës. Në të dalë të Medinës, haxhinjtë ndaluan në Mikat, në vendin e quajtur Dhul-Hulejfe, që është larg nga Meka 428 km; aty është xhamia që njihet sipas emrit të vendit.

Mikati është vendi i caktuar ku haxhiu duhet që të jetë i veshur me ihram. Ne pasi, meqë kishim veshur ihramet në hotel, në Dhul-Hulejfe ndaluam për t’i falur dy reqate namaz, synet të ihramit, dhe këtu bashkërisht me udhëzimet e udhëheqësve, e bëmë nijetin për umre. Para se të niseshim, udhëheqësit u përkujtuan haxhinjve gjërat që i kanë të ndaluara derisa janë të veshur në ihram.

Pak para mesnatës, nga Dhul-hulejfja vazhduam rrugën në drejtim të Mekës. Gjatë rrugës për në Mekë haxhinjtë, të ngazëllyer, bashkërisht këndonin telbijen.

Në prag të Mekës

Udhëtimin Medinë-Mekë e bëmë, në autostradën moderne me katër korsi, një udhëtim pa ndonjë vështirësi e i këndshëm.

Edhe më i bukur ishte udhëtimi pas agut të mëngjesit, kur kishim mundësi të shihnim ambientin e shkretëtirës dhe një numër të autobusëve e automjeteve të tjera me haxhinj, që shkonin drejt Mekës. Në kufirin e Mekës arritëm afro orës 8 të mëngjesit, e prej aty u drejtuam në zyrën e pranimit të haxhinjve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Haxhit të Arabisë Saudite, e më pas drejt Mekës së bekuar.

Në Mekë

Arritja në Mekë për haxhiun është shumë domethënëse, dhe për shumëkënd është një çast i pritur, edhe më shumë sepse këtu vihet me qëllim të kryerjes së Haxhit, një ndër kushtet themelore të fesë islame.

Për ne arritja në Mekë, me gjithë lodhjen nga udhëtimi, ishte ndjenjë e veçantë e shumë domethënëse, ngase tashmë edhe fizikisht ishim në qytetin e bekuar të Mekës.

Drejt Haremit

Pas akomodimit në hotel, megjithëqë të lodhur, meqë gjendeshim vetëm pak kilometra larg Qabesë, shumica e haxhinjve ia mësynë Qabesë, për t’u falur aty, për të bërë dua dhe për të përjetuar madhështinë që ta ofron vetëm ky vend në të cilin të gjithë njerëzit janë të barabartë, me përkushtimin ndaj të Madhit Allah, dhe janë për të kryer një Urdhër të tij.

Është moment madhështor dhe krejt i veçantë për besimtarin kur për të parën herë është pranë Qabesë, madhështinë e së cilës e përjeton nga afër, rreth Qabesë së bekuar. Edhe më madhështore është pamja kur sheh besimtarë bëjnë tavaf që pandërprerë mbi mermerin e bardhë.

Tavafi

Edhe haxhinjtë kosovarë filluam tavafin për umre, kështu edhe ne iu bashkuam qindra mijëra haxhinjve nga mbarë bota në ecjen rreth Qabesë së bekuar. Për të kryer tavafin, haxhiu duhet të sillet shtatë here rreth Qabesë së bekuar, por, para se të nisë tavafin, duhet ta bëjë nijet duke shqiptuar: ”O Zoti ynë! Unë vendosa ta bëj tavafin rreth shtëpisë Sate të bekuar, prandaj ma lehtëso dhe pranoje atë prej meje”!

Pikënisje e tavafit është haxheru esvedi (guri i zi). Tavafi fillon duke i ngritur duar lart dhe duke thënë: “Bismillahi, All-llahu ekber” (Në Emër të Zotit, Allahu është më i Madhi).

Pika e nisjes së tavafit është e shënuar edhe në plato me një vijë të zezë në mermer, po edhe në ndërtesën e xhamisë djathtas, me një dritë të gjelbër, që dallohet nga dritat e tjera. Ndërsa gjatë ecjes është mirë të këndohet telbija, pastaj ndonjë sure a dua nga Kurani.

Sajji

Pas kryerjes së tavafit, haxhinjtë nisin sajjin – ecjen në mes kodrave Safa dhe Merva, që simbolizon ecjen e Haxheres për të kërkuar ujin për të birin e saj, Ismailin. Edhe haxhinjtë duhet të k alojnë këtë rrugë Saffa-Merva. Distanca në mes këtyre dy kodrave, që tash janë Brenda kompleksit të xhamisë madhështore të Qabesë,

është 375 metra.

Pas përfundimit të sajjit,haxhinjtë i shkurtojnë pak flokët dhe lirohen nga ihrami deri në momentin e nisjes për Arafat.

Disa të dhëna për Qabenë

Studiuesit dhe historianët thonë që Qabeja është rikonstruktuar pesë deri dymbëdhjetë herë. Ndërtimi i parë i Qabesë ishte bërë nga Ademi (a.s.), për se në Kuran thuhet që kjo ishte shtëpia e parë që ishte ndërtuar që njerëzit ta adhurojnë All-llahun xh.sh.. Pas këtij, Ibrahimi dhe Ismaili a.s. rindërtuan Qabenë. Përmasat e fondamentit të Qabesë të kohës së Ibrahimit a.s. kanë qenë: Muri lindor 48 pëllëmbë – ana e Hatemit 33 pëllëmbë, ana në mes të Gurit të zi dhe këndit Jemeni 30 pëllëmbë, dhe ana perëndimore 46 pëllëmbë.

Ka pasur edhe disa konstruksione para kohës së Muhamedit a.s. Muhammedi a.s. mori pjesë në një nga rindërtimet para se atij t’i vinte shpallja nga All-llahu xh.sh..

Qabeja gjatë historisë është rindërtuar disa herë. Tani, përveç Qabesë aty është ndërtuar një kompleks madhështor, që ka një sipërfaqe prej 365 000 metra katrorë. Në kohën e faljeve normale në të mund të sistemohen më shumë se 773 000 veta, ndërsa në kohën e Haxhit dhe të Umres, mund të falen mbi 1 milion veta në të njëjtën kohë. Kompleksi i Qabesë ka 9 minare dhe 41 hyrje. Tërë kompleksi është i furnizuar me ujë. Po ashtu është i instaluar një sistem i mirëfilltë i ventilimit të ajrit. Në kuadër të kompleksit të xhamisë së Qabesë janë 9000 banjo dhe vende për marrjen e abdesit. Edhe tani kompleksi i xhamisë madhështore të Qabesë vazhdon të zgjerohet me një ritëm të shpejtë, duke mos pushuar as gjatë kohës së Haxhit .

Meka qendër shpirtërore e myslimanëve

Meka është qyteti më i dashur i myslimanëve të mbarë botës. Në këtë qytet të bekuar, duke shijuar madhështinë që ofron, ne qëndruam disa ditë për të vizituar vende të ndryshme, aq sa na lejuan mundësitë. Por, gjithnjë duke falur namaz në harem dhe xhami të tjera deri ditën e Arafatit.

Meka është qytet i Qabesë, e cila është simbol i bashkimit shpirtëror të myslimanëve tnga e gjithë bota. Meka është vendi ku para 14 shekujve lindi feja islame, që solli një determinin të ri për rrjedhat e qytetërimit botëror.

Por historia e Mekës është edhe me e hershme. Sipas mësimeve fetare, në periferi të Mekës, respektivisht në Arafat janë takuar njerëzit e parë – Ademi a.s dhe hazreti Hava. Po Ademi a.s. në Mekë ndërtoi Qabenë për herë të parë, duke e bërë edhe faltoren e parë në botë. Përveç Ademit a.s. edhe Ibrahimi a.s. është i lidhur ngushtë me Mekën, ai e rindërtoi Qabenë. Gjithashtu nga koha e Ibrahimit a.s. kemi edhe një histori tjetër, atë të Haxheres me të birin e saj Ismailin, të cilët Ibrahimi a.s. i kishte lënë në shkretëtirën afër Qabesë dhe prej atëherë kemi mrekullinë e burimit të ujit zem-zem. Meka është vendlindja e Pejgamberit tonë, Muhamedita.s..

Meka, ky vend përmendet edhe në Kuran, për të cilin Allahu thotë: “Betohem në këtë qytet, në të cilin banon ti. (Kuran, 90: 1-2).

Qyteti i Mekës është në qendër të Hixhazit, në luginën Bufer, 48 km larg Detit të Kuq. Në Mekë gjendet edhe kodra e quajtur Xhebelu Nur, në të cilën gjendet shpella Hira, vendi ku Muhmedit a.s. i pati ardhur Shpallja hyjnore nga Allahu xh.sh.. Tani Meka është një qytet i ndërtuar me një infrastructure moderne. Përveçqë është kryeqendër shpirtërore e myslimanëve, Meka bashkon për çdo vit me miliona besimtarë, njëherësh është edhe qendër e rëndësishme e shkollimit dhe edukimit që nga ai fillor e deri tek ai universitar. Po ashtu Meka është një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore.  Arafati Ne në Mekë qëndruam deri ditën e Arfatit. Qëndrimi në Arafat është një nga tri farzet e Haxhit, pa zbatimin e të cilit Haxhi nuk konsiderohet i kryer. Kjo më së miri kuptohet nga thënia e Pejgamberit a.s.: “Haxhi është Arafat”. Me të arritur në kodrën e Arafatit, gjithandej gumëzhinte nga miliona haxhinjtë e mbarë botës. Sipas programit, e u sistemuam në distriktin 34, ku ishin vendosur haxhinjtë nga Evropa, Turqia, Amerika dhe Australia. Është impozante pamja kur i sheh të gjithë njerëzit të veshur me ihram e të barabartë, pa marrë parasysh pasurinë, pozitën, racën, gjininë a vendin prej nga vijnë. Rëndësia e qëndrimit në Arafat është edhe më e madhe dhe më kuptimplotë, sepse dihet që edhe Muhamedi a.s. qëndroi aty – në Arafat në Haxhin e fundit të tij. Aty mbajti edhe Hytben që në historinë islame njihet si Hytbja lamtumirëse. Në Arafat Pejgamberit i zbriti ajeti kuranor, më të cilin ai u komunikoj besimtarëve se kishte përfunduar kompletimi i fesë. Në këtë ajet kuranor thuhet qartë: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë time, zgjodha për ju Islamin fe….” (Kuran, Maide, 3).

Në çadrat ku ishim vendosur ne, haxhinjtë falën namazin e drekës e të iqindis, prirë nga përgjegjësi i haxhinjve, Bahri ef. Simnica, i cili pas namazit, hanxhinjve iu drejtua me një mesazh domethënës për Haxhin, rëndësinë e Arafatit si dhe për rolin e besimtarit në formimin e një shoqërie të shëndoshë. Arafati është vendi i duave, i lutjeve e i pendimit, ku mundësia e pranimit nga ana e Zotit është më e madhja, andaj pas namazit u bë një dua e përbashkët, së cilës i priu mr. Rrahim Aliu-profesor në medresenë “Alauddin” të Prishtinës. Pastaj haxhinjtë, për të shfrytëzuar edhe orët që kishin mbetur deri në mbarim të ditës, falnin namaz nafile, luteshin, këndonin kuran, me qëllim që të përfitonin sa më shumë nga vlerat dhe dhuntitë e kësaj dite të veçantë. Është shumë domethënëse se në Arafat këtë ditë qëndronin mbi 3 milionë njerëz të vendeve të ndryshme, të kulturave e racave të ndryshme, por të gjithë me një qëllim, me një ideal, të gjithë të veshur me ihrama të bardhë e të përkushtuar në lutje e ibadete, me përkushtim ndaj Krijuesit të tyre. Në Arafat qëndruam edhe në tendat e haxhinjve nga Shqipëria, ku takuam edhe përgjegjësin e tyre. Autoritetet e Saudisë për këtë ditë kishin marrë të gjitha masat e duhura. Këtu duhet përmendur se kishin bërë me kohë furnizimin me ujë të pijshëm, pastaj kishin instaluar një numër të konsiderueshëm ambulancash mobile, të shoqëruara me një numër të madh autoambuluncash. Gjithashtu kishin instaluar edhe njësi të veçanta të zjarrfikësve dhe forcave të rendit, të gjitha këto në shërbim të haxhinjve. Pastaj vizituam edhe haxhinjtë nga Mali i Zi, me të cilët ishte edhe reisi i Malit të Zi, Rifat ef. Fejziq dhe kryeimami i Ulqinit, Rexhep ef. Lika.

Ne për disa çaste qëndruam edhe në çadrat e haxhinjve nga Bosna e Hercegovina, por ajo që duhet theksuar, është se një pjesë konsiderueshme e Araftit ishte e rezervuar për haxhinjtë turq nga Turqia e diaspora turke. Haxhinjtë nga Turqia në Arafat përmes altoparlantëve mezë të lartë, këndonin Kuran, ilahi në turqisht e arabisht si dhe lutje të shumta. Kjo ishte e kuptueshme, sepse nga Turqia kishin ardhur më humë se 100 mijë haxhinj. Në Arafat haxhinjtë duhet të qëndrojnë deri në mbrëmje, respektivisht deri në kohën e namazit të akshamit

Në Myzdelife

Me të hyrë koha e akshamit, haxhinjtë nisën të linin Arafatin dhe u nisën në drejtim të Myzdelifes. Në Myzdelife haxhinjtë qëndrojnë për një pjesë të natës, dhe aty duhen falur akshami e jacia me një ezan e dy ikamete. Po në Myzdelife është e preferuar të mblidhen guralecët. Këtu duhen mbledhur 49 sish me madhësi sa një kokërr lajthie, për ta gjuajtur simbolikisht shejtanin në Mina.

Drejt Mines

Pas qëndrimin në Myzdelife, haxhinjtë, kush këmbë e kush me autobus, nisen në drejtim të Mines, ku bëjnë hedhjen e guralecëve. Gjuajtja e guralecëve ka filozofinë dhe urtësinë e vet, që e përjetojnë haxhinjtë para se të rikthehen në Mekë, ku pastaj është e preferueshme të qethin apo të nënqethin flokët. Qethjen a nënqethjen e flokëve haxhinjve duhet t’ua bëjë personi që nuk është i veshur në ihram.

Atmosferë feste

Pas kryerjes së obligimeve në Arafat, Myzdelife e Mina, haxhinjtë hoqën ihramin dhe filluan t’i uronin njëritjetrit festën e Kurban-Bajramit. Megjithëqë larg festimeve tradicionale, nuk mungoi atmosfera e ngrohtë e festës së Kurban- Bajramit, ngase tashmë haxhinjtë kishin krijuar një shoqëri të re midis tyre.

Në dy ditët në vijim haxhinjtë kryen tavafin, sajin dhe hedhjen e guralecëve, me se edhe praktikisht i përfunduan të gjitha ritualet e Haxhit. Është interesante të theksojmë se për çdo vit interesimi për të kryer Haxhin nga besimtarët tanë po rritet. Gëzon fakti që kemi besimtarë të moshave e strukturave të ndryshme. Këtë vit në Haxh pati edhe një numër të konsiderueshëm të të rinjve, shumë prej tyre studentë. Përveç kësaj, vitet e fundit në Haxh besimtarët tanë shkojnë të organizuar edhe familjarisht, kjo më së miri dëshmon përkushtimin e besimtarëve tanë. Këtë vit në Haxh takuam të riun nga Opoja Benjamin Ahmeti – me punë në Francë, i cili kishte ardhur në Haxh me nënën e tij, kurse për babanë e ndjerë kishte paguar bedel.

Kthimi për Kosovë

Haxhinjtë kryen me përkushtim e devotshmëri çdo rit që kërkohej. Pas ditës së tretë të Kurban-Bajramit, shumë nga haxhinjtë filluan të largoheshin nga Meka, disa niseshin drejt vendeve të tyre, ndërsa disa për Medinë. Edhe ne tani po bëheshim gati për t’u kthyer në Kosovë.

Së pari u nisën haxhinjtë në vijë tokësore, e pas dy ditësh, pasi kryem edhe tavafin lamtumirës, u nisëm nga Meka për në Xhide, e nga Xhida me avion për Prishtinë. Megjithëse në Prishtinë arritëm pas mesnate, për t’i pritur haxhinjtë kishin dalë një numër i konsiderueshëm i të afërmve.

Kjo ishte e kuptueshme, ngase kishin dalë për t’i pritur më të afërmit e tyre që po ktheheshin nga një udhëtim i veçantë, një udhëtim që është i obliguar për çdo besimtar që ka mundësi materiale. Haxhinjtë po ktheheshin nga vendet e bekuara, krenar e kokëlartë, që kishin kryer një nga Udhrat e Allahut xh.sh. – Haxhin, dhe kishin marrë ofiqin e merituar – Haxhi

Leave a comment

Filed under 1

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s