Portret

 

10 – vjet pa eruditin H. Sherif Ahmeti

 

(Më 14 prill u bënë 10 vjet që kur kaloi në jetën e amshueshme kolosi i dijes, i arsimit, themeluesi i publicistikës islame në Kosovë, përkthyesi i Kuranit shqip – H. Sherif Ahmeti)

 

 

Ramadan Shkodra

 

Populli ynë ndër shekuj nxori personalitete dhe figura të shquara, që me punën, veprën dhe dijen e tyre, lanë gjurmë të thella në historinë tonë, dhe jo vetëm që lane gjurmë, por ata edhe e bënë historinë. i tillë qe dhe do të mbetet myderrizi ynë i nderuar, Haxhi Sherif efendi Ahmeti, I cili, ndonëse jetoi dhe punoi në një kohë të vështirë e plot kthesa, la gjurmë të thella në historiografinë më të re të popullit tonë.

H. Sherif Ahmeti

H. Sherif Ahmeti

Të parët e familjes së tij u dëbuan dhunshëm gjatë kohës së spastrimit të territoreve shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, respektivisht nga Toplica, konkretisht nga fshati Prekopucë në fshatin Gumnasellë të komunës së Lypjanit, ku më 1920 lindi Sherifi nga babai Bahtiri e nëna Ajshja, në një familje me traditë fetare e kombëtare. Katër klasat e para të shkollës fillore, h. Sherifi i kreu në shkollën fillore të fshatit Banullë. Atë kohë, në shkolla mësohej edhe lënda fetare, dhe njohuritë e para për mësimet islame i mori në këtë shkollë nga mulla Azizi – një hoxhë i nrespektuar nga Banulla, për të vazhduar edhe në mejtepin e fshatit.

 

Më vonë h. Sherifi vazhdoi mësimet në medresenë e Ferizajt, ku mësoi morfologjinë e gjuhës arabe (sarfin) te myderrizi i njohur Azem ef. Gremja, ndërsa sintaksën (avamil) në medresenë e Prizrenit tek hfz. Abdullah Efendiu.

Më 1934, si 14-vjeçar, u regjistrua në medresenë e njohur “Pirinaz” të Prishtinës, ku pati fatin e mirë t’i ndiqte mësimet tek myderrizët e njohur të kësaj medreseje – Ahmet ef Mardoçi dhe haxhi Hamdi ef. Ibrahimi, të dy alimë, me përgatitje të lartë në shkencat islame, që shquheshin edhe për atdhedashuri, nga të cilët h. Sherifi do t’i merrte që të dyja. Në medresenë “Pirinaz” h. Sherifi mësoi plot 10 vjet, deri në maj 1944, kur e kreu dhe mori Ixhazetnamenë nga myderrizi Ahmet ef. Mardoçi.

 

Haxhi Sherifi, mësuesi I shkollave e i alfabetit shqip

Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, haxhi Sherifin e gjejmë të angazhuar në procesin e hapjes së shkollave shqipe në rrethinën e Lypjanit, si mësues i gjuhës dhe i alfabetit shqip. Ishte ajo koha kur intelektualët shqiptarë të kohës u organizuan në hapjen e shkollave në gjuhën amtare, e haxhi Sherifi qe ndër të parët që me shumë zell iu përkushtua misionit të mësuesit.

Kështu më 19 dhjetor 1949 emërohet mësues i parë i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Banullës.

Me qëllim të përgatitjes dhe ngritjes së mirëfilltë për profesionin që kishte marrë, haxhi Sherifi më 1950 regjistrohet në kursin pedagogjik në Pejë, të cilin e kreu me sukses. Menjëherë pas kryerjes së këtij kursi, haxhi Sherifi emërohet drejtor i Gjimnazit të ulët në Gadime të Lypjanit.

Më 1952, haxhi Sherifi emërohet drejtor i tetëvjeçares në Sllovi dhe aty, deri në vitin 1955, krahas detyrës së drejtorit, ushtroi edhe atë të mësuesit.

Në Sllovi, h. Sherifi mbajti edhe kursin e shëndetësisë për vajza, që asokohe ishte i detyrueshëm.

Gjatë kohës sa punoi mësues, h. Sherifi dha kontribut të madh në arsimimin e brezit të ri në gjuhën shqipe.

 

Haxhi sherifi në sy të komisarëve të pushtetit

Sikur e theksuam më sipër, haxhi Sherifi vinte nga një familje me traditë e orientim të pastër kombëtar, si dhe kishte marrë mësime nga myderrizët më në zë të kohës, që e kishin edukuar në frymën e atdhedashurisë. Ai, si i ri e entuziast, shumë shpejt bie ndesh me orientimin e pushtetit gjoja “popullor” të komunistëve e ateistëve, komisarët e të cilëve filluan të ushtroni presione nga më të ndryshmet ndaj tij, duke e quajtur si të papërshtatshëm për punë me nxënës dhe si një ish-ballist.

I gjendur nën presione, akuza e shantazhe, haxhi Sherifi më 1956 la detyrën e mësuesit për t’iu rikthyer misionit të imamit në xhaminë e fshatit Gllogoc të Lypjanit.

Si imam, haxhi Sherifi arriti të krijonte një imazh të një hoxhe të kohës, duke sjellë freski në mesin e xhamatit kudo që veproi.

Sa ishte imam, u zgjodh kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lypjanit, detyra që h. Sherifi i kreu me ndërgjegje e përkushtim të lartë deri në fillim të vitit 1965, kur nga Lypjani kaloi mësimdhënës në medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës.

 

Haxhi Sherifi Myderriz në medresenë e Prishtinës

 

Në medrese h. Sherifi punës së mësimdhënësit iu përkushtua me një zell e devotshmëri të veçantë. Ai shquhej për modesti, thjeshtësi e kreativitet.

Si arsimdashës, vërtet haxhi Sherifi në punën e tij me nxënës, kishte krijuar raporte të afërta, saqë për të gjithë nxënësit, përveçqë ata e donin dhe e respektonin si mësimdhënës e myderriz, metoda e tij e ligjërimit e kishte bërë të dashur edhe lëndën e tij – lëndën e Akaidit. Në medrese haxhi Sherifi ligjëroi lëndët Akaid (Apologjetikë) e Filozofi islame, ku dha një kontribut të paçmuar, mirëpo sipas nevojës haxhi Sherifi ligjëroi në medrese lëndën e Usuli Fikhut

dhe të Historisë islame.

Krahas detyrës së mësimdhënësit, h. Sherifi për 13 vjet rresht (1970-1983) ka

qenë drejtor i medresesë, një detyrë që e kreu me shumë sukses. Gjatë kohës sa haxhi Sherifi udhëhoqi medresenë, u shënuan rezultate të mira, ngase, në mungesë të teksteve shkollore për lëndët fetare, arsimtarëve të medresesë u ra barra që të përkujdeseshin vetë për përgatitjen e tyre. Pikërisht haxhi Sherifi bëri hapin e parë duke përgatitur dispensat e akaidit për tri vitet e para, dhe në këtë rrugë e ndoqën edhe mësimdhënësit e tjerë, për lëndët përkatëse.

Krahas angazhimit të tij në medrese, haxhi Sherifi një kontribut të madh dha edhe në udhëheqjen dhe drejtimin e institucioneve fetare të Bashkësisë Islame.

Kështu më 1969, haxhi Sherifi zgjidhet kryetar i Shoqatës së Ylemave. Edhe këtu haxhi Sherifi tregohet udhëheqës dhe vizionar i madh. Duke parë nevojën e besimtarëve për nxënien e njohurive fetare dhe mungesën e teksteve fetare në gjuhën shqipe, haxhi Sherifi me shokë, megjithëqë i përballur me shumë sfida e peripeci, vëmendje të posaçme i kushtoi pikërisht përgatitjes së literaturës Islame në gjuhën shqipe. Këtë mision të vështirë ai e mori me seriozitetin më të madh, kështu që më 1968 arriti të botonte, të përkthyer në gjuhën shqipe, Ilmihalin, ku besimtarët kishin mundësi të merrnin njohuritë elementare të fesë.

 

Haxhi Sherifi themelues i publicistikës Islame në gjuhën shqipe

Po në këtë kohë haxhi Sherifin e gjejmë kryeredaktor të Buletinit informativ, të cilin më 1971 e bëri revistë të parë në trojet shqiptare në ish-federatën Jugosllave në gjuhën shqipe, – “Edukata Islame”. “Edukata Islame” nën drejtimin e haxhi Sherifit, arriti t’i tubonte ata pak dashamirës të fjalës së shkruar, duke hapur horizonte për bashkëpunëtorë të rinj, dhe për një kohë të shkurtër ajo u bë tribune e mendimit dhe e zhvillimit të kulturës islame si dhe e përhapjes së fjalës e mesazhit islam tek besimtarët.

Puna dhe kontributi i haxhi Sherifit në publicistikën islame, e bën atë një erudit të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Me punimet e tij në periodikun e kohës, ai trasoi një rrugë të sigurt për brezat e rinj, dhe perspektivën e sigurt për të ngritur këtë fushë në themele të shëndosha.

Revista “Edukata Islame” dhe Takvimi, lexuesve u ofronin tema të ndryshme nga njohuritë islame (ahlaku, fikhu, akaidi, historia islame, tefsiri), si dhe në tema të ndryshme me karakter kulturor, e në shumë nga këto fusha, sidomos në Akaid e Tefsir, haxhi Sherifi vuri themelet e këtyre shkencave në periodikun e asaj kohe.

H. Sherif Ahmeti u shqua edhe si vaiz, sidomos pas emërimit të tij myfti i

Prishtinës në vitin 1985.

  

Haxhi Sherifi Myfti i Prishtinës

 Haxhi Sherifi si vaiz, me këshillat e tij ishte konkret dhe gjërat i ilustronte nga jeta e përditshme. Të gjithë ata që patën fatin t’i dëgjonin këshillat e tij, edhe sot e kësaj dite e përmendin me admirim të madh. Haxhi Sherifi, përveçqë ishte i respektuar e i nderuar nga nxënësit, kolegët e xhemati, për njohuritë që posedonte, respektohej edhe nga qarqe shkencore e nga personalitete eminente në fushën e dijes, me të cilët mbante kontakte e korrespodenca të rregullta.

 

Haxhi Sherifi përkthyes i Kuranit në shqip

Kontributi i haxhi Sherifit është shumëdimensional, përfshirë fusha të ndryshme, si arsimtar i gjuhës shqipe, drejtor shkolle, myderriz në medrese, themelues i publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë. Ai përgatiti Ilmihalin, Jasinin dhe Mevludin, por s’ka dyshim që kontributi më i madh i tij është përkthimi në gjuhën shqipe i Kuranit të madhëruar, që e botoi më 1988, që atë e ngriti në rangun e eruditëve të mëdhenj dhe emrin e tij e bëri të paharruar ndër breza.

Përkthimi i Kurani nga haxhi Sherif Ahmeti është ribotuar disa herë, vetëm në Medinë më 1992 është botuar në 1 milion copë dhe kështu është bërë i pranishëm në pothuaj çdo bibliotekë e shtëpi të shqiptarëve.

 

Haxhi Sherifi pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame

 

Haxhi Sherifi, megjithëqë në pension e në moshë të shtyrë, më 1992 iu përgjigj kërkesës së Dekanatit të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, që u themelua atë vit, për të ligjëruar lëndën e Akaidit. Themelimi i fakultetit të studimeve islame ishte një ëndërr e kamotshme e brezit të hoxhallarëve të haxhi Sherifit, andaj ëndrra e tyre u bë realitet dhe këtë realitet e shijoi edhe myderrizi haxhi Sherif Ahmeti, i cili për dy vjet ligjëroi lëndën e Akaidit. Segment tjetër i rëndësishëm në jetën e haxhi Sherifit është botimi i përmbledhjes së një pjese të punimeve të tij më 1995 nga shtëpia botuese Lidhja, redaktuar nga Nysret Simnica, në të cilën janë përfshirë një pjesë e kontributeve të haxhi Sherifit në periodikun e kohës. Haxhi Sherifi vdiq më 14 prill 1998, duke lënë një trashëgimi të pasur: medresenë e konsoliduar, rrugën e suksesshme të publicistikës, përkthimin e Kuranit, qindra artikuj të botuar, Fakultetin e Studimeve Islame në hapat e pare të tij.

Vdekja e haxhi Sherifit qe humbje e madhe për të gjithë ne, po, në të njëjtën kohë, vepra dhe kontributi i tij mbeten një kandil i pashuar.

 

Leave a comment

Filed under 1

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s