Kronikë

Nga 17 shkurti

Kosova shtet sovran dhe i pavarur

 

 

Ramadan Shkodra

 

E diela e 17 shkurtit është dita më e rëndësishme e

historisë më të re të gjysmës së shqiptarëve e posaçërisht

e Kosovës, ngase 96 vjet pas shpalljes së

pavarësisë së gjysmës së Shqipërisë (1912), 10

vjet pas rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari

(1998), ku jasharajtë në Prekaz të Drenicës sfiduan pushtetin

e Serbisë edhe me luftë të armatosur, dhe 9 vjet pas lirisë së

Kosovës (qershor 1999), përfaqësuesit e zgjedhur të populli të

Kosovës-delegatët e Kuvendit të Kosovës, pas thirrjes së

mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit nga ana e qeverisë

së Kosovës në bashkëpunim me presidentin e vendit, këtë

ditë pra më 17 shkurt 2008, në ora 15 u mblodhën me mision

të qartë e historik ku shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran

e demokratik.

Me këtë vendim Kuvendi i Kosovës realizoi synim thuajse

një shekullor të shqiptarëve për mvetësi e pavarësi të Kosovës.

Mirëpo ajo që duhet thënë në këtë rast, është se Institucionet

e Kosovës: Qeveria, Presidenca e parlamenti i Kosovës,

aktin më të lart bërjen e Kosovës shtet-Shpalljen e pavarësisë,

e realizuan në bashkëpunim dhe në koordinim të ngushtë me

qendrat e rëndësishme të botës demokratike, si Uashingtoni,

Brukseli, Londra, Parisi Ankaraja, Roma, Berlini etj, si dhe me

përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Tiranës zyrtare.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e pritshme që

prej kohësh, madje edhe liderët e institucioneve të Kosovës,

qenë shprehur qartë se aktin e pavarësisë së Kosovës do ta

bëjnë në koordinim të plotë me qendrat e vendosjes dhe se ky

vendim do të merret në kohën e duhur.

Megjithëqë liderët institucional nuk kishin bërë të ditur zyrtarisht

datën e shpalljes së pavarësisë, opinioni vendor dhe ai

ndërkombëtar kishin kuptuar se pavarësia e Kosovës do të

ndodh më 17 shkurt.

Popullata shqiptare në përgjithësi, por ajo e Kosovës në veçanti,

shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka pritur me dinjitet

dhe emocione të mëdha, por me një kulturë që mund të merret

shembull edhe nga të tjerët.

Festa e pavarësisë në Kosovë kishte filluar herët, ngase në

kryeqendrën tonë kishin arritur gazetarë nga shtëpitë më të rëndësishme

informative, nga e mbarë bota. Ndërsa qytetarë

anë e kënd Kosovës nga e premtja kishin zbukuruar ambientet

me flamuj kombëtar, dhe të aleatëve, ku dominonin të SHBAsë

dhe vendeve të BE.

Shumë domethënëse për qytetarët e Kosovës ishte vendosja

në Prishtinë, e më vonë në të gjitha qendrat e Kosovës, e

pankartës me portretin e komandantit legjendar Adem Jashari

në të cilin shkruante “Bac u kry”, e punuar nga dy të rinj kosovar.

Imazhi i Adem Jasharit dhe porosia që jepte kjo pankartë

ishte lajmi më i mirë se amaneti i dëshmorëve po bëhet realitet.

Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, liderët institucional

të Kosovës iu drejtuan popullit me mesazhe e apele

që kremtimin e pavarësisë ta bëjnë në mënyrë të qetë, e dinjitoze,

të gëzuar e krenar, por duke kujtuar dëshmorët, invalidët

e luftës, luftëtarët e lirisë si dhe të gjithë ata që kontribuuan për

Kosovën e pavarur.

Autoritetet e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve që shpalljen

e pavarësisë ta festojnë në atmosferë të qetë dhe dinjitoze, pa

provokime dhe ofendime për askë.

Në prag të shpalljes së pavarësisë me një apel popullit iu

drejtua edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Disa orë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Parlamenti

i Kosovës, në Prishtinë kishin ardhur qytetarë nga të

gjithat viset e Kosovës, si dhe nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina

e Preshevës, e viset shqiptare të Malit të Zi për të festuar

shpalljen e shtetit më të ri në botë.

Qytetarët e Kosovës festuan me dinjitet duke i treguar botës

demokratike se vërtet ky popull vlerëson dhe çmon idealet për

të cilat u luftua brez pas brezi thuajse një shekull. Po ashtu gjatë

manifestimeve popullata e Kosovës shprehu falënderimin

edhe shteteve që ndihmuan dhe përkrahën realizimin e pavarësisë

së Kosovës.

Atmosferë festive mbretëronte në gjithë vendin. Kudo në

rrugë qenë vendosur pllakata me mbishkrimet “Gëzuar Pavarësia”

si dhe flamuj kombëtarë, amerikanë e europianë.

Qytetarë të shumtë festuan në mënyra të ndyshme duke u

rënë borive të makinave të stolisura me flamurin kombëtar,

rrugëve e shesheve të Prishtinës festuan në mënyrë dinjitoze

duke mos bërë as më të voglin incident. Atmosferë e tillë ishte

edhe në qendrat tjera të Kosovës.

Festa e Pavarësisë së Kosovës pati jehonën e vet edhe në

të gjitha xhamitë e Kosovës, në momentin kur deputetët e Kuvendit

të Kosovës përfunduan seancën solemne të Kuvendit

në të cilin shpallen Pavarësinë e Kosovës nga minaret e të

gjitha xhamive u thirren ezane që jehuan fuqishëm anekënd

Kosovës, e më pas për 30 minuta u këndua Kuaran e ilahi.

Ndërsa Bashkësia Islame në të gjitha qytetet e Kosovës kishte

ngjitur pankarta ku shkruante Urime Pavarësia.

Pos Kosovës, në mënyrë madhështore u festua edhe në të

gjitha qytetet në Shqipri, dhe viset shqiptare të Maqedonisë.

Në të gjitha qendrat shqiptare u festuan deri në mesnatë.

 

Seanca e Kuvendit të Kosovës

Kosova shtet i pavarur shkëputet përfundimisht nga Serbia

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë absolute të

votave miratuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e cila e

shpallë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe e shkëput

atë përfundimisht nga Serbia.

Deklarata u votua nga 109 deputetë të pranishëm në Kuvend

të Kosovës, përveç atyre serbë, që nuk morën pjesë në

seancën e jashtëzakonshme dhe solemne të shpalljes së pavarësisë.

Në seancën solemne ishin të pranishëm edhe përfaqësues

diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit

Evropian si dhe personalitete të rëndësishme nga jeta politike,

kulturore, fetare, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve

si dhe shumë të ftuar të tjerë. Në këtë seancë qe i pranishëm

edhe Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava.

Pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë nga ana e kryeministrit

Hashim Thaçi dhe votimit nga ana e deputetëve ajo u

nënshkrua nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetari i

Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, si dhe të

gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës në fjalën e tij para deputetëve theksoi

se dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh: në epokat

para dhe pas pavarësisë.

“Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë me veprën

e tyre jetësore, me punë të palodhshme dhe me sakrificat

që kanë bërë”, tha Sejdiu.

Ai theksoi se pavarësinë po e shpallim para dhe me bekimin

e botës, në mes miqsh që ju gjetën Kosovës gjatë dekadave e

sidomos para një dekade kur e keqja kishte përfshirë këtë pjesë

të Ballkanit.

“Sot, kujtojmë shumë sakrifica që i kanë paraprirë kësaj dite

të jashtëzakonshme. I kujtojmë nënat dhe baballarët të cilët

përjetuan vështirësi të papërshkrueshme në mënyrë që bijtë

dhe bijat e tyre të mund të jetonin të lirë.

Sot, kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e

madh dhe themeltarin e shtetit tonë, i cili e nxorri Kosovën nga

kaosi në rend demokratik.

Sot, kujtojmë Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

që e çuan tutje vullnetin e popullit të Kosovës për të

qenë të lirë”, u është drejtuar Presidenti Sejdiu deputetëve.

Presidenti Sejdiu theksoi se vizioni i institucioneve të Kosovës

është shumë i qartë.

“Dëshirojmë që Kosovën ta ndërtojmë mbi parimet fundamentale

demokratike.

Kjo do të thotë se Kosova do të jetë një shtet demokratik,

shumetnik, i integruar në rajon, me marrëdhënie të mira fqinjësore

me shtetet përreth, një shtet që lëviz shpejt drejt anëtarësimit

të plotë në Bashkësinë Euro atlantike. Populli i Kosovës

është përcaktuar dhe dëshiron një të ardhme evropiane për

vendin e vet”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar Kosovën.

Ndërsa Kryeministri I Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova, në vitet e

ardhshme, do të përballet me shumë sfida. Por, sipas tij në asnjë sfidë

nuk do t’i zmbrapsë nga ecja përpara në një frymë të bashkuar të një

populli të bashkuar. “Sfidat tona, që nga ekonomia, arsimi dhe shëndetësia,

infrastruktura dhe integrimi evropian, janë sfida të

mëdha, por nuk mund t’u bëjnë ballë frymës së qytetarëve tanë

dhe fatit tonë”, theksoi Thaçi. Ai tha se Kosova, populli dhe

territori, janë bashkuar sot në një moment historik për t’i përmirësuar

jetën e çdo qytetari brenda kufijve tanë, pa marrë parasysh

përkatësinë e tyre etnike. “Shpresat tona nuk kanë qenë

asnjëherë më të mëdha. Ëndrrat tona janë të pakufishme.

Sfidat para nesh janë të mëdha por asgjë nuk mund të na

ndalë nga ecja jonë përpara drejt çasteve historike të cilat historia

i ka ndarë për ne”, tha kryeministri Thaçi para deputetëve.

“Deri tash kemi bërë shumë për të garantuar zotimin tonë para

komuniteteve.

Në këtë ditë historike dëshiroj ta konfirmoj gatishmërinë

tonë politike për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin

dhe mbrojtjen e komuniteteve dhe për të përmirësuar raportet

midis tyre në Kosovë”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Pavarësia e Kosovës shënon fundin e shpërbërjes së ish

Jugosllavisë, theksoi kryeministri Thaçi.

Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi si të dy liderët e tjerë,

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, ka dhënë mesazhe

konstruktive dhe garanci për shtetin demokratik e shumetnik të

Kosovës. Ai tha se Kosova është e interesuar të ketë raporte

shumë të mira më të gjitha shtetet fqinje, përfshirë edhe Serbinë.

Kryeparlamentari Krasniqi po ashtu dha garanci se Kosova

e pavarur nuk ka asnjë qëllim që të ketë synime grabitqare

ndaj shteteve fqinje. Ndërkaq, në vazhdim të seancës, deputetët

e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe flamurin e ri trengjyrësh

të Kosovës.

 

 

 

 

 

 

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

 

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në

Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor

dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve tësaj,

Të zotuar për t’u përballur me trashëgiminë edhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të

pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dherespektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruarplotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk ështëpresedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë, Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën

Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përfshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

 

 

Mesazhi i Myftiut të Kosovës

me Rastin e Shpalljes së Pavarësisë

 

Prishtinë, 15 shkurt 2008

Gjatë ditëve të ardhshme, siç na është bërë e njohur nga institucionet më të larta të Kosovës, Kuvendi i Kosovës pritet të shpallë pavarësinë aq shumë të pritur. Prandaj, ky brez, të cilin e nderoi Allahu që ta presë këtë ditë të madhe historike, duhet të ndihet i privilegjuar.

Kjo datë historike është rezultat i sakrificave dhe i flijimit të shumë gjeneratave para nesh

gjatë periudhës njëshekullore. Ky popull ka derdhur shumë gjak, shumë lot, shumë mund dhe

shumë djersë për të realizuar këtë ideal, i cili ka jetuar në mendjen dhe shpirtin e çdo qytetari të

Kosovës dhe më gjerë. Falë Zotit, kësaj radhe nuk na ka munguar as përkrahja e miqve dhe

dashamirëve të popullit tonë anekënd botës. Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm se ky ideal yni

i kamotshëm, vështirë se do të arrihej pa një përkrahje të tillë, për se ne dhe brezat që do të

vijnë, do t’u jemi mirënjohës për ditë e mote.

Andaj, akti i shpalljes së pavarësisë nga përfaqësuesit legjitimë të popullit, sa na bën krenarë dhe na jep rast për të festuar, po aq na bën edhe përgjegjës për veprimet tona.

Kujtoj se një ditë si kjo e shpalljes së mëvetësisë, të cilën e kemi pritur me aq padurim, duhet të festohet në mënyrë të merituar. Ne si popull ditë më të madhe se kjo nuk kemi përjetuar në historinë tonë më të re. Kësaj duhet t’I gëzohet i madh e i vogël, plak e i ri, mashkull e femër, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë dhe Kosovën e ndiejnë për atdhe të tyre. Këtij gëzimi duhet t’i bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në këto momente, si dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që çmojnë paqen dhe lirinë e popujve. Për sa na takon neve, ne duhet të festojmë duke i treguar botës se ne dimë të festojmë në mënyrë të qytetëruar dhe dinjitoze, ashtu siç na mësojnë tradita dhe vlerat tona shpirtërore.

Do të ishte mirë që sikur shqiptarët po ashtu edhe të gjitha pakicat e tjera shpalljen e Pavarësisë ta llogarisin fitore të të gjithëve, sepse me këtë fitojnë të gjithë. Një Kosovë e pavarur, sovrane dhe demokratike, e integruar në familjen e madhe evropiane dhe në strukturat Veri-Atlantike, do të thotë një e nesërme më e mirë për çdo qytetar të Kosovës. Andaj, ky moment historik, është fitore për të gjithë dhe askush nuk humb.

Shumica shqiptare duhet t’u garantojë të gjitha pakicave të tjera jetë të qetë dhe të dinjitetshme, sepse kësisoj ne do të tregojmë për madhështinë e vlerave tona dhe për nivelin e lartë qytetar që kemi, dhe përgjegjësinë ndaj të tjerëve.

Duke ju uruar të gjithëve ditën e Pavarësisë, lus Allahun për mirëqenien e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës!

 

Myftiu i Kosovës

Mr. Naim Tërnava

 

Leave a comment

Filed under 1

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s