Kumtesë

Ramadan Shkodra – (Prishtinë)

KONTRIBUTI I H. SHERIF AHMETIT NË PUBLICISTIKËN ISLAME
NË GJUHËN SHQIPE NË KOSOVË

Kur flitet për fillet dhe zhvillimin e publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, nuk ka dyshim se myderrizi H. Sherif Ahmeti[1] është figura më markante në këtë rrafsh.

Përpos që vuri themelet e publicistikës islame në gjuhën shqipe H. Sherifi për më shumë se dy dekada mbajti mbi vete barrën kryesore në drejtimin, zhvillimin, formimin dhe kanalizimin e publicistikës islame në gjuhën shqipe. Kontributi i haxhi Sherifit në publicistikën islame në gjuhën shqipe është i paçmuar sidomos nëse merren parasysh koha, rrethanat dhe sistemi, kur së bashku me shokë e morën përsipër këtë mision të shenjtë të fjalës së shkruar.

I vetëdijshëm për rëndësinë që ka fjala e shkruar për ngritjen intelektuale e kulturore të një populli, me gjithë vështirësitë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga mungesa e traditës dhe e kuadrit, dhe sidomos për shkak të rrethanave politike në ish-sistemin monist, i cili dihet se çfarë qëndrimi kishte ndaj fesë, ai, falë përgatitjes së tij pro­fesionale dhe pjekurisë intelektuale arriti të hapte me sukses një faqe të re në historinë e qytetërimit islam në trojet shqiptare në ish-fede­ra­tën jugosllave duke vënë bazat e shtypit islam shqip, e më vonë për të trasuar rrugën e suksesshme të publicistikës islame jo vetëm në Koso­vë, por edhe më gjerë në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze.

Këtë mision, sa të vështirë aq fisnik, por të domosdoshëm si ne­vojë e kohës, haxhi Sherifi e kreu me dinjitet, zell e pedanteri, ndonë­se në këtë kohë ishte i angazhuar si myderriz i akaidit në medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës, drejtor i së cilës ishte për shumë vjet.

Nuk mendoj që do të themi gjë të re a të panjohur për opinionin nëse H. Sherifin e quajmë themelues të publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, që më 1945 pa vullnetin e tyre mbetën nën federatën jugosllave të Titos, ngase këtë epitet ai ia siguroi vetes me punën e palodhur dhe kontributin e madh që dha në këtë rrafsh..

Veprimtarinë në fushën e fjalës së shkruar islame në shqip haxhi Sherifi e nisi në vitet ‘60 të shekullit të shkuar, atëherë kur zënë fill botimet islame në gjuhën shqipe.

Në Prishtinë më1968 u botua Ilmihali në gjuhën shqipe, i përkth­yer nga H. Sherif Ahmeti, ndërkaq një vit më vonë për nevojat e nxë­nësve të medresesë, për tri vitet e para ai botoi dispensën për lë­ndën e akaidit.

Që nga botimi i Buletinit Informativ[2], organ i shoqatës së Yle­ma­ve të Kosovës (Shoqata Ilmije) në vitin 1962, haxhi Sherifi ishte i pranishëm me kontribute në faqet e tij.

Buletini fillimisht qe paraparë të botohej në çdo tre muaj, në dy gjuhë -serbisht dhe shqip, e më vonë, për aq sa kemi të dhëna, nga te­tori i vitit 1966 vetëm në gjuhën shqipe.

Të theksojmë edhe këtë se në Buletin në vitet e para të botimit të tij jepeshin kryesisht të dhëna zyrtare informative rreth aktivitetit të kryesive, kuvendeve, shoqatave, madje edhe raporte financiare e të ngja­shme të BI në ish-Federatën jugosllave, nga kjo mund të përfu­ndo­jmë që Buletini kishte rolin e një lloj “gazete zyrtare” të Bashkë­sisë Islame.

Mungesa e një reviste islame bëri që më vonë në Buletin, pos të dhënave zyrtare, të botoheshin tema e trajtesa të ndryshme fetare, fillimisht të përkthyera nga boshnjakishtja .Tema me karakter fetar që botoheshin në Buletin merreshin nga revista “Glasnik[3]”, e cila botohej në gjuhën boshnjake dhe e përkthyer dilte edhe në gjuhën shqipe[4].

Mirëpo më vonë Buletini filloi të dal vetëm në gjuhën shqipe. Pje­sën më të madhe e zinin temat e karakterit fetar dhe në këtë kohë H. Sherifi qe edhe redaktor përgjegjës i tij[5].

Rëndësia e Buletit, qëndron në atë se këtu hasim për herë të parë tema origjinale në fushë të islamologjisë nga autorë vendës. Disa nga kontributet e haxhi Sherifit në Buletin[6]: janë:

-Muhamedi a.s. bota në periudhën e tij[7]

-Kur’ani dhe problemet e jetës[8],

-Muhamedi a.s,-bota në prizmën e tij,

dhe disa përkthime:

-Pse u quajt feja jonë islame[9];

-Feja islame dhe shkenca”[10] etj.

H. Sherifi kryeredaktor i Buletinit

Suksesi i Buletinit u dha kurajë ylemave shqiptarë që të mendonin për themelimin e një reviste islame në gjuhën shqipe. Këtë përgjegjësi e merr Shoqata e Ylemave e Kosovës, e cila më 1971 në Prishtinë arriti të botonte numrin e parë të revistës “Edukata Islame”.

Atë kohë shoqata drejtimin e revistës ia besoi H. Sherif Ahmetit.

Me fillimi e botimit të revistës “Edukata Islame”, në Kosovë zë fill një veprimtari e mirëfilltë në rrafshin e publicistikës islame (shty­pit periodik), ngase revista në fjalë popullatës shqiptare të besimit islam në Kosovë dhe në të gjithë hapësirën shqiptare në ish-Federatën jugosllave sadopak i plotësoi një zbrazëti gati gjysmëshekullore në rrafshin e fjalës së shkruar. Pos kësaj, Edukata Islame[11] nën drejtimin e haxhi Sherifit, arriti t’i tubonte ata pak dashamirës të fjalës së shkruar, duke hapur horizonte për bashkëpunëtorë të rinj, dhe për një kohë të shkurtër revista “Edukata Islame” u bë tribunë e mendimit dhe e zhvillimit të kulturës islame si dhe përhapëse e fjalës e mesazhit islam tek besimtarët.

Në “Edukata Islame” krahas H. Sherifit, hedhin hapat e parë disa nga penat e njohura të publicistikës islame në gjuhën shqipe, si Hajrullah Hoxha, Jashar Jashari, Bajrush Ahmeti, Jetish Bajrami, Avni Aliu, Qazim Qazimi, Ibrahim Spahija e pak më vonë-Resul Rexhepi, Emin Behrami, Nexhat Ibrahimi, Miftar Ajdini etj.

Kontributi i haxhi Sherifit në revistën “Edukata Islame”

Revista “Edukata Islame” lexuesve u ofroi tema të ndryshme nga njohuritë islame të ahlakut, fikhut, akaidit, historisë islame, tefsirit, si dhe në tema të ndryshme me karakter kulturor, social e shkencor, si dhe vështrime, komente e lajme të ndryshme.

Mirëpo për ne sot është me rëndësi që të vëmë në pah kontributin e haxhi Sherifit në këtë revistë, kreator i së cilës ishte.

Po qe se vështrojmë me kujdes, në revistën “Edukata Islame”, shohim se kontributi i tij është shumëdimensional dhe në fusha të ndryshme, siç janë shkrime e trajtesa të ndryshme .

1) Tefsir

Në fushën e tefsirit H. Sherifi ka botuar 32 punime, komentime tematike kryesish sureve të shkurtra a ajeteve të caktuara, nga të cilat veçojmë këto:

komentimi i sures “Vel Asri”[12],

komentimi i sures “El-Fatiha”[13],

komentimi i sures “Ihas”[14],

komentimi i sures “Kevther”[15],

komentimi i sures “Felek”[16],

komentimi i sures “El-Kadër”[17],

Komentimi i sures “Zilzal”[18] etj.

 

Nga komentimet e ajeteve do të përmendim:

 -komentimi i ajetit “Ineddine indall-llahi islam”[19],

-komentimi i ajeteve 56-58 të sures “Edh-dharijat”[20],

-komentimi i ajetit 183 të sures “Bekare” (obligimi ramazanit)[21] etj.

 

Akaid

Në revistën “Edukata Islame” haxhi Sherifi në fushën e akaidit ka botuar16 kontribute, nga të cilat po veçojmë:

– Prezantimi i Zotit xh. sh. në natyrë dhe procese”[22],

– Imani-Ibadetet dhe dobitë e tyre në sjelljet e besimtarit”[23],

– Mrekullitë e Kur’anit famëlartë”[24];

– Besimtarët e Zotit dhe të dërguarit e tij[25];

– Lexo, është çels i kulturës së lindjes dhe perëndimit, nuk është helm për njerëzimin[26];

– Feja ka lindë bashkë me njeriun[27];

– Kur’ani është libër i fesë[28];

– Kush je ti?[29]

Pos këtyre dy fushave, H. Sherifi dha një kontribut të çmuar me trajtesa të thukëta që u bënte fenomeneve me të cilat ballafaqoheshin besimtarët.

Kur të tjerët akuzonin fenë islame si shkaktare kryesore të prapa­mbetjes së shqiptarëve, që në numrin e parë të “Edukatës Islame” haxhi Sherif në trajtesën “Islami është dituri e kulturës”[30], në mënyrë të argumentuar, hedh poshtë këto pohime dhe vë në pah rëndësinë që Islami i jep dijes, shkollimit e kulturës.

Në numrin 2 të Edukatës hasim një trajtesë shumë domethënëse për kohën e botimit, kushtuar shkollimit të femrës[31], ku H. Sherifi, me gjuhën e argumenteve, vë në pah të drejtat e gruas në fenë islame. Në këto trajtesa dhe të tjera që nuk janë të pakta, haxhi Sherifi me një gjuhë të qartë e bindëse, me një stil të rrjedhshëm e të kuptueshëm, si për intelektualë ashtu edhe për masën e gjerë, vë në pah parimet e pastra të fesë islame.

Kontributi i haxhi Sherifit në Takvim/Kalendar

Pos në Edukatë Islame[32], H. Sherifi një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në Takvim[33] për tri dekada rresht, me tema e trajtesa të ndryshme, ndër të cilat po veçojmë:

– Edukimi islam[34];

– Mësimet të cilat lypset me i ditë mbi Kur’anin[35];

– Fe do të thotë: Besim dhe veprim[36];

– Feja mos është gjë e vjetruar[37];

– Veçoritë e fesë së vërtetë[38];

– Dynjaja (PO-JO) e Mallkuar[39],

– Legjislatura islame dhe drejtimet-sheriati islam dhe medhhebet[40].

Kontributi i haxhi Sherifit në revistën “Dituria Islame”

Një kontribut të çmuar, megjithëqë në moshë të shtyrë, H. Sherifi ka dhënë edhe në revistën “Dituria Islame”[41]. Edhe këtu H. Sherifin e gjejmë me kontribute në fusha të ndryshme, duke filluar nga temat pro­fesionale nga lënda e akaidit e deri tek trajtesa, kontribute e ko­me­nte të ndryshme. Me këtë rast do të veçojmë shkrimet:

– Çka dëshiron feja prej njeriut?;[42]

– Ramazani muaj i bekuar[43];

– Kur’ani famëlartë (synimet dhe shprehja e tij[44];

– Rruga e qëlluar dhe rruga e gabuar (hidajet dhe dalalet)[45];

– Ç’nevojë ka njeriu për besim të drejtë-për fe?;[46]

– Hixhreti datë vendimtare në historinë islame[47]

Siç shihet nga ky vështrim i shkurtër, kontributi i haxhi Sherifit për publicistikën islame në gjuhën shqipe është i gjithanshëm, shu­më­dimensional dhe në fusha të ndryshme. Nëse vështrojmë me kujdes publicistikën islame në vitet e para, hetojmë që H. Sherifi pati barrën kryesore si për organizimin në pozitën e kryeredaktorit fillimisht në “Buletin” e më vonë në revistën “Edukata Islame”, ashtu edhe si autor me kontributin e tij të drejtpërdrejtë intelektual në shumë fusha, si akaidi e tefsiri, ku hap horizonte për brezat e rinj.

Duhet theksuar se edhe përzgjedhja e temave nga haxhi Sherifi qe bërë në bazë të nevojave të kohës. Ai arriti të identifikonte kërkesat që kishin besimtarët, kështu që në kontributet e tij u mundua të plotësonte sa më mirë atë zbrazëti që kishin besimtarët për njohje të parimeve të fesë islame në gjuhën e tyre.

Shtjellimin e temave haxhi Sherifi e bënte në mënyrë analitike e organike, duke përdorur një gjuhë të pastër e të kuptuar për të gjitha shtresat e popullit.

Me punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm, H. Sherifi për ko­hën sa jetoi, veproi e punoi, të kujton alimët e dijetarët e njohur të Rili­ndjes Kombëtare, si Hfz. Ibrahim Dalliu, Hfz. Ali Korça, Hfz. Ali Kraja, Hfz. Ali Ulçinakun, Sadik Bega, Hoxhë Voka, Ferid Vokopola e shumë të tjerë, që në kohë të vështira për kombin shqiptar bartën mbi vete barrën kryesore me angazhimet e tyre për edukimin e po­pu­llatës në frymë fetare e kombëtare. Një mision të tillë, mund të themi lirisht, e kreu me sukses edhe H. Sherifi me alimët e tjerë të kohës në vitet 60-80 të shekullit që shkoi.

Kontributi i H. Sherifit në periodikun islam është i një game të gjerë, ai botoi afro 200 tema (njësi bibliografike)[48] në fusha të ndry­sh­me, si tema profesionale të disiplinave islame nga akaidi, tefsi­ri, fi­lo­zofia, pastaj tema të kulturës islame, komente, vështrime e infor­mata të ndryshme. Kjo veprimtari na bën të kuptojmë horizontin e gjerë të dijes që posedonte ai.

Për kontributin e dhënë në fushën e fjalës së shkruar islame, në gjuhën shqipe, h. Sherif Ahmeti, më 1997 është nderuar me mirënjo­hjen “Pena e Artë Islame” për vepër jetësore, të cilën ia dha Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Krejt në fund mund të themi edhe këtë së pas Luftës së Dytë Bo­tërore, kur trojet shqiptare u administruan dhunshëm nga sistemi so­cialist si promotor i ateizmit zyrtar, sidomos në Shqipërinë enveria­ne, ndërsa trojet e tjera shqiptare u ripushtuan nga komunistët jugosllavë, s’ka dyshim se H. Sherif Ahmeti ishte figura më kryesore në qarqet islame në Kosovë, që arriti të artikulonte me sukses kërkesat e besi­mtarëve fillimisht për arsimin dhe shtypin fetar, e më vonë edhe për zhvillimin e gjithanshëm të fesë e të kulturës islame në këto troje.

Puna dhe kontributi i tij në një periudhë tejet të vështirë, duhet të jetë udhërrëfyes për brezat e tashme dhe të mëvonshme.

 



[1] H. Sherifi u lind në 1920 në fshatin Gumnasellë të komunës së Lypjanit. Katër klasat e para të shkollës fillore i kreu në fshatit Banullë. Mësimet i vazhdoi në medresetë e Ferizajt e të Prizrenit.

Më 1934 regjistrohet në medresenë e njohur “Pirinaz” të Prishtinës, të cilën e mbaroi me sukses në maj 1944. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore (1944), në mungesë të kuadrit, filloi të ushtronte detyrën e mësuesit në fshatin Banullë. Detyrën e mësuesit më vonë e kreu edhe në Gadime dhe Sllovi, ku më pas u emërua drejtor. Më 1945, në Prishtinë h. Sherifi u regjistrua në Kursin pedagogjik, për ta vazhduar më 1949 në Prizren, të cilin e përfundoi në Pejë më 1950. Më 1956 h. Sherif Ahmeti i kthehet profesionit dhe u emërua imam në xhaminë e fshatit Gllogoc të Lypja­nit. Në këtë kohë zgjidhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lypjanit, detyrë që h. Sherifi e kreu deri në vitin 1965, kur nga Lypjani kaloi mësimdhënës në medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës.

Në medrese punoi deri në vitin 1985 aty ligjëroi rregullisht lëndët: Akaid (Apo­logjetikë) e Filozofi islame dhe, sipas nevojës, edhe lëndën e Usuli Fikhut. Kr­a­has detyrës së mësimdhënësit, në medrese h. Sherifi për 14 vjet (1970-1984) ka qenë drejtor. Një mandat ka qenë kryeredaktor i “Buletinit Informativ”, ndërsa revistën “Edukata Islame” e udhëhoqi në cilësinë e kryeredaktorit për 16 vjet (1971-1987), që nga numri i 1/1971 deri në nr. 48-49/1987.

Më 1985, h. Sherifi u zgjedh myfti i Prishtinës me rrethinë, detyrë të cilën e kreu derisa dual në pension, më 1990. Megjithëqë në pension e në moshë të shty­rë, më 1992 iu përgjigj kërkesës së Dekanit të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, të themeluar atë vit, Dr. Rexhep Boja për të ligjëruar lëndën e Akaidit.

H. Sherifi ndërroi jetë në Prishtinë në moshën 78-vjeçare, më 14 prill 1998.

[2] Informativin bilten/Buletini informativ ka qenë publikim i Shoqatës së Ylemave të Ko­sovës që atëherë është quajtur Shoqata e Ilmisë për RSS me seli në Prishtinë. Buletini është botuar deri më 1970.

[3] Revistë dymujore, organi i Kryesisë Supreme të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë me seli në Sarajevë

[4] Shih: Informativni bilten/Buletini informativ, 1-2 Prishtinë 1966.

[5] Shih: Buletin, prill-qershor 1970

[6] Por do theksuar se në Buletin krahas kontributeve të haxhi Sherifit gjejmë edhe kontribute të Hajrullah Hoxhës, haxhi Reshid Osmanit, Jetish Bajramit, Jashar Jasharit etj. të cilët me punën dhe angazhimin e tyre bënë që më vonë të dalë Takvimi më 1970 e më pastaj edhe revista “Edukata Islame” më 1971.

[7] Buletini prill qershor 1970, fq. 5-15.

[8] Buletini, korrik-shtator 1970, fq. 6-10.

[9] Buletini, korrik –shtator 1970, fq.1-5.

[10] Po aty, fq. 8-25.

[11] Revistë fetare tremujore, organ i Shoqatës së Ylemave, pasuese e Buletinit, filloi të dalë më 1971.

[12] Edukata Islame nr. 2/1971, fq. 3-9

[13] Edukata Islame nr. 3/ 1971, fq. 8-16

[14] Edukata Islame nr. 5/1972, fq. 3-9.

[15] Edukata Islame, nr. 15-16/1976, fq. 3-5.

[16] Edukata Islame, nr 22/1978, fq. 3-7.

[17] Edukata Islame, nr. 27/1980, fq. 3-9

[18] Edukata Islame, nr. 41-42/1985, fq. 3-11

[19] Edukata Islame, nr. 4/1972, fq. 3-8

[20] Edukata Islame, nr. 9-10/1974, fq. 3-8

[21] Edukata Islame, nr. 14/1975, fq. 7-10.

[22] Edukata Islame, nr. 1/1971, fq. 6-9

[23] Edukata Islame, nr. 7/1973, fq. 6-11

[24] Edukata Islame, nr. 8/1973, fq. 35-41

[25] Edukata Islame, nr. 14/1975, fq. 3-6

[26] Edukata Islame, nr. 19/1977, fq. 20-24

[27] Edukata Islame, nr. 20/1977, fq. 30-37

[28] Edukata Islame, nr. 46-47/1986, fq. 3-8

[29] Edukata Islame, nr. 48-49/1987, fq. 7-12

[30] Shih: Edukata Islame nr. 1/1971, fq. 14-18.

[31] Shih Edukata Islame nr. 2/1971, fq. 42-45

[32] Më gjerësisht për kontributin haxhi Sherifit në revistën “Edukata Islame”, shih: Ramadan Shkodra: Punimet e botuara në revistën “Edukata Islame” nr. [1/1971]-[63-64/1998], Edukata Islame nr. 65/2001, fq. 199-204

[33] Publikim vjetor i Shoqatës së Ylemave të Kosovës, që filloi të botohej në Prishtinë më 1970, pos pjesës kalendarike, që nga fillimi ka botuar edhe tema e trajtesa të ndryshme profesionale.

[34] Takvim për vitin 1972, hixhrij 1391/92, fq 43-45

[35] Takvim 1974-1393/94, fq. 68-71

[36]Takvim 1400/1980, fq. 73-83

[37] Takvim 1401/1981, fq. 63-74

[38] Takvim 1402/1982, fq. 92-96

[39] Takvim 1402/1982, fq. 56-76

[40] Takvim 1415-16/1999, fq. 33-44. Më gjerësisht për kontributin e haxhi Sherifit në Takvim shih Ramadan Shkodra: Botimet e botuara në Takvim 1423/24-Kalendar 1970-2002, Takvim-Kalendar 2003, fq. 281-283.

[41] Organ i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, numri i parë doli në qershor të vitit 1986 si tremujore, e nga viti 1990 del për çdo muaj.

[42] Dituria Islame nr. 4-5/ 1987, fq. 5-6

[43] Dituria Islame nr. 12/1989, fq. 3-5

[44] Dituria Islame nr. 13-14/1989, fq. 4-7

[45] Dituria Islame, nr. 22-23//1991, fq. 10-12

[46] Dituria Islame, nr. 24/1991, fq. 30-32

[47] Dituria Islame, nr. 50 1993, fq. 10-12,

[48] Me gjerësisht për kontributin e h. Sherif Ahmetit në publicistikën islame shih Ramadan Shkodra: Bibliografi e punimeve të botuara të Sherif ef. Ahmetit; Studime Orientale, nr. 1, Prishtinë 2001, fq. 225-237.

Leave a comment

Filed under Portrete

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s