Përvjetor

Ramadan Shkodra

H. SHERIF AHMETI (1920-1997)
Një jetë në shërbim të fjalës së shkruar islame

– I –

Më 14 prill bëhen 4 vjet që kur ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare,

– njëri ndër veteranët e parë të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovës;

– myderrizi e alimi i njohur i shumë gjenera­tave në Medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës;

– vaizi i njohur i xhamive kryesore të Prishti­nës dhe të Kosovës;

– pishtari e themeluesi i publicistikës islame në gjuhën shqipe pas Luftës së Dytë Botë­rore;

H. Sherif Ahmeti
(1920-1987)

– kryeredaktori i parë i revistës “Edukata Islame”;

– hartues i teksteve shkollore;

– përkthyesi e komentatori i Kur’anit në gjuhën shqipe;

– autor i shumë temave islame;

– ligjëruesi i parë i lëndës së Apologjetikës (Akaidit) në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës;

– dhe udhëheqësi i shumë institucioneve kosovare, H. Sherif Ahmeti.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur trojet shqiptare u administruan dhunshëm nga sistemi socialist si promotor i ateizmit zyrtar, sidomos në Shqiprinë enveriane, ndërsa trojet e tjera shqiptare u ripushtuan nga komunistët jugosllavë, s’ka dyshim se h. Sherif Ahmeti u bë figu­ra më markante në qarqet islame në Kosovë, që arriti të artikulo­nte me sukses kërkesat e besimtarëve për arsimin e shtypin fetar dhe zhvillimin e gjithanshëm të fesë e të kulturës islame në këto troje.

Me punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm, h. Sherifi për koh­ën sa jetoi, veproi e punoi të kujton alimët e dijetarët e njohur të Ri­lindjes Kombëtare, si hfz. Ibrahim Dalliu, Hfz. Ali Korça, Hfz. Ali Kraja, Sadik Bega, Hoxhë Voka, Ferid Vokopola e shumë të tjerë, që në kohë të vështira për kombin shqiptar bartën mbi vete synimet dhe angazhimet e popullit shqiptar për edukimin në frymë fetare e kombë­tare. Një mision të tillë mund të themi lirisht e krey me sukses edhe H. Sherifi me alimët e tjerë të kohës në vitet 60-80 të shekullit që shkoi.

– II –
Jeta

H. Sherifi u lind në 1920 në fashatin Gumnasellë të komunës së Lypjanit, në një familje me traditë fetare e kombëtare. Gjyshët e tij në Gumnasellë ishin shpërngulur dhunshëm në vitin 1878 nga fshati Prekopucë i rrethit të Toplicës.

Katër klasat e para të shkollës fillore, h. Sherifi i kreu në gjuhën serbe në shkollën fillore të fshatit Banullë. Këtu, në atë kohë, mësohej edhe lënda fetare dhe njohuritë e para për mësimet islame i mori në këtë shkollë nga mulla Azizi, për të cilin h. Sherifi thoshte: “Dy herë në javë na jepte mësim hoxha, mulla Azizi, prej të cilit i mora mësi­met fillestare të fesë islame” (shih: “Qëndruam të fortë kundër stuhisë ateiste-komuniste”, intervistë eksluzive e H. Sherif Ahmetit për “Di­turia Islame” nr. 36, prill 1992, f. 11). Për ti vazhduar edhe në mejte­pin e fshatit.

Më vonë h. Sherifi vazhdoi mësimet në medresenë e Ferizajt, ku mësoi morfologjinë e gjuhës arabe (sarfin) te muderri i njohur Azem ef. Gremja, ndësa sintaksën (avamil) në medresenë e Prizrenit te hfz. Abdullah Efendiu.

Më 1934 regjistrohet në Medresenë e njohurë “Pirinaz” të Pri­shtinës, ku pati fatin të merrte njohuri nga myderrizët e njohur të asaj kohe-Ahmet ef Mardoqi dhe haxhi Hamdi ef. Ibrahimi, që të dy ali­më, me përgatitje të lartë në shkencat islame, që shquheshin edhe për atdhedashuri, nga të cilët h. Sherifi do t’i merrte që të dyja.

Medresenë “Pirinaz” h. Sherifi e mbaroi me sukses në maj 1944, kur mori Ixhazetnamenë (Diplomë e medresesë) nga muderrizi Ahmet ef. Mardoqi.

Pas mbarimit të Luftës ë Dytë Botërore, intelektualët shqiptarë u organizuan në kuadër të “Pushtetit popullor” dhe filluan hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Me kërkesën e kompetentëve të arsimit të atëhershëm në Kosovë, në mungesë të kuadrit, h. Sherifi më 19 dhjet­or 1944, nga Zekerija Rexha, merr vendimin për mësues në fshatin Banullë.

Detyrën e mësuesit më vonë h. Sherifi e kreu edhe në Gadime dhe Sllovi, dhe aty krahas  detyrës si mësues ishte edhe drejtor. Në fshatin Sllovi për vajzat mbajti edhe kursin e shëndetësisë, që asokohe ishte i detyrueshëm.

Më 1945, në Prishtinë, h. Sherifi me qëllim të ngitjes profesionale për detyrën që kishte marrë (mësues) u regjistrua në Kursin pedago­gjik, për ta vazhduar më 1949 në Prizren, e për ta kryer me sukse në Pejë më 1950.

Gjatë kohës sa punoi mësues, h. Sherifi dha kontribut të madh në arsimimin e brezit të ri në gjuhën shqipe. Asaj kohe ai bashkëpunoi ngushtë me pishtarët e arsimit shqip në Kosovë-Mehmet Gjevori e Shefqet Veliu, nga të cilët përfitojë metodologjinë e punës pedagogji­ke me filloristë, të cilën h. Sherifi e zbatoi me sukses.

Më 1956, h. Sherif Ahmeti i kthehet profesionit të njëmendtë të tij-teologut- hoxhës (imamit) në xhaminë e fshatit Gllogoc të Lypja­nit, dhe në të njëjtën kohë zgjidhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lypjanit, detyra që h. Sherifi i kreu me ndërgjegje e përku­shtim të lartë deri në vitin 1965, kur nga Lypjani kaloi mësimdhënës në Medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës.

Në medrese, punoi deri në vitin 1985, dhe aty dha kontribut të madh në edukimin e arsimimin e brezave të rinj.

Këtu h. Sherifi ligjëroi rregullisht lëndët: Akaid (Apologjetikë) e Filozofi islame dhe sipas nevojës, edhe lëndën e Usuli Fikhut. Krahas detyrës së mësimdhënësit, h. Sherifi për 14 vjet rresht (1970-1984) ka qenë drejtor i medresesë, një detyrë që e kreu me shumë sukses.

Një mandat ka qenë kryeredaktor i “Buletinit Informativ/ Informa­tivni Bilten”, ndësa revistën e parë fetare pas Luftës së Dytë Botërore në gjuhën shqipe në të gjitha trojet shqiptare, që filloj të botohej më 1971 në Prishtinë “Edukata Islame”, e udhëhoqi në cilësinë e kryere­daktorit që nga numri i 1/1971 deri në nr. 48-49/1987.

Tri mandate (1969-1982) ka qenë kryetar i Shoqatës së Ylemave të, ku edhe mori iniciativën për botimin e periodikut në gjuhën shqi­pe.

H. Sherifi ka qenë edhe një ndër bashkëpunëtorët më të rregullt të “Takvimit/Kalendari”, më vonë edhe të “Diturisë Islame”.

Ai është i pari që për nevojat e nxënësëve të medresesë, hartoi dis­pensatë për tri vitet e para për lëndën e Akaidit që më 1969. Përktheu edhe literaturën bazë për njohuritë islame si Ilmihalin, Jasinin etj. H. Shrefi në vitin 1988 botoi, të përkthyer e të komentuar Kur’anin në gjuhën shqipe.

Më 1985, h. Sherifi, u zgjedh myfti i Prishtinës me rrethinë, detyrë të cilën e kreu deri në pension, më 1990.

Megjithëqë në pension e në moshë të shyrë, më 1992 iu përgjigj kërkesës së Dekanatit të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës që u themelua atë vit, për të ligjëruar lëndën e Akaidit.

H. Sherifi ndërroi jetë në Prishtinë në moshën 78 vjeçare, më 14 maj 1998.

– III –
Veprat e h. Sherif Ahmetit

H. Sherif Ahmeti, përpos mësues, mësimdhënës, e alim i njohur, është edhe një ndër themeluesit e publicistikës islame në gjuhën shqi­pe në Kosovë. Fillimisht punimet e tij i botoi në “Buletinin Informa­tiv”, pastaj në “Takvim”, nga viti 1971 në revistën “Edukata Isalme”, e më vonë edhe në “Dituria Islame”.

Fakti që h. Sherifi në rini ndoqi Kursin pedagogjik në gjuhën shqi­pe, ushtrimi i detyrës së mësuesit, pastaj përkushtimi, zelli e pedantë­ria, si vyrtyte të tij dhe po ti shtojmë edhe prirjen dhe pasionin për punë- përbënin premisat themelore që ai të fomohej jo vetëm si mësu­es, hoxhë, profesor e alim, por edhe si nismëtar dhe bartës me sukses i fjalës së shkuar islame në gjuhën shqipe tek ne.

Pos publicistikës, së cilës h. Sherifi i vuri themelet dhe i priu afër dy dekada, kontribut të madh dha edhe në përgatitjen e literaturës fillestare për njohurit e fesë islame. Kështu në vitin 1969 përktheu nga boshnjakishtja Ilmihalin, më vonë përktheu dhe transkiptoi Jasini she­rifin, pastaj përgatiti botimin Mevludit me shkronja shqipe, dhe në vi­tin 1988 botoi përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe të shoqëruar, me një koment të shkurtër, që mund të konsiderohet edhe si kurorëzi­mi i veprimtarisë së tij. Përkthimi i Kur’anit nga h. Sherifi, është për­kthimi më i botuar në gjuhën shqipe (vetëm në Medinë më 1993 është shtypur në 1 miljon ekzemplarë), është botuar dy herë në Kajro, pastaj në Romë, në Riad, në Londër, në Prishtinë dhe, s’ka dyshim, është vepra më e përhapur në të gjitha tro­jet shqiptare dhe në Diasporë.

Kuntributi i h. Sherifit në periodikun islam është i një game të gje­rë ai botoi afro 200 tema (njësi bibliografike) në fusha të ndryshme si tema profesionale të disiplinave islame nga akaidi, tefsiri, filozofia, pastaj tema të kulturës islame, komente, vështrime e informata të ndryshme. Kjo veprimtari na bën të kuptojmë horizontin e gjerë të di­jes që posedonte ai.

Për kontributin e dhënë në fushën e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe, h. Sherif Ahmeti, më 1997 është nderuar me mirënjoh­jen “Pena e Artë Islame” për vepër jetësore, të cilën ia dha Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Puna dhe kontributi i tij në një periudhë tejet të vështirë, duhet të jetë udhërrefyese për brezat e tashme dhe të më vonshme.

– IV –
Pasqyra e botimeve të veçanta të h. Sherifit

– Fejzullah Haxhibajriq: ILMIHAL-themelet e fesë islame; (për­kthim nga boshnjakishtja), Prishtinë 1974. (është ribotuar disa herë);

– H. Sulejman Kemura: Rregulla dhe lutje (për ibadetet trupore) Jasini (në tekst dhe në përkthim); (e redaktoi), Prishtinë (është ribotu­ar disa herë)

– Akaid, dispensë për klasën I të Medresesë së mesme “Alauddin”; Prishtinë 1981;

– Akaid, dispensë për klasën II të Medresesë së mesme “Alaud­din”; Prishtinë 1981;

– Ilmul Kelam, dispensë për klasën  III të Medresesë së mesme “Alauddin”; Prishtinë 1981;

– Tahir efendi Popova: Mevludi (e transkiptoi dhe e adaptoi pjesë­risht në gjuhën e njësuar shqipe); Prishtinë 1984; (është ribotuar disa herë)

– Kur’ani-përkthim me komentim; përktheu dhe komentoi, Prish­tinë 1988;

– Komente dhe mendime islame; Prishtinë 1995.

 

_____________

Literatura:

Qemajl Morina & Elez Osmani: Intervistë eksluzive me h. Sherif Ahmetin; “Dituria Islame” nr. 36, Prishtinë 1992, f. 11-14.

Tahir Berisha: Emra që nuk harrohen (arsimtarët veteran (1941-1951) dhe arsimi shqip në Kosovë; Prishtinë 1994, f. 181.

Qemajl Morina: Mulla Sherif Ahmeti; “Edukata Islame” nr. 63-64, Prishtinë 1998, f. 135-141.

Elez Osmani: Edukator i shumë brezave në frymën kombëtare e fetare; “Dituria Islame” nr. 101, f. 71-73.

R. Shkodra & A. Pireva: Bibliografi e botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovë 1957-1997; Prishtinë 1998.

Ramadan Shkodra: Bibliografi e punimeve të botuara të h. Sherif Ahmetit; “Stu­dime Orientale” nr. 1, Prishtinë 2001, fq. 225-237.

Leave a comment

Filed under Portrete

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s