Kumtesë

Ramadan Shkodra

BOTIMET ISLAME NË GJUHËN SHQIPE NË KOSOVË*
(tradita, sfidat dhe realiteti)

Hyrje

Kultura dhe tradita islame tek shqiptarët janë të pranishme që nga depërtimi i Perandorisë Osmane (shek. XV) në trojet shqiptare.

Siç dihet, Perandori Osmane për më shumë se 5 shekuj qe bartëse kryesore e kulturës, traditës, qytetërimit dhe fesë islame në të gjitha fushat, kështu që me ardhjen e osmanëve në këto anë, në trojet tona filloi të lëshonte rrënjë qytetërimi e më vonë edhe feja islame.

Vlerat e një qytetërimi shprehen më së miri  përmes veprave të artit, objekteve të kultit  dhe posaçërisht në  arkitekturë, infrastrukturë publike, në traditën gojore e sidomos nëpërmjet fjalës së shkruar.

Megjithëqë feja islame i kushton rëndësi të merituar fjalës së shk­ruar, në gjuhën shqipe tradita e kultivimit të saj është relativisht e re, ose, thënë më mirë, fillet e para të kësaj tradite i hasim vetëm në pe­riudhën e Rilindjes Kombëtare.

Për këtë ngecje në këtë segment të rëndësishëm, megjithëqë shqi­pt­arët që prej kohësh kishin pranuar fenë islame dhe atyre nuk u mu­nguan alimë e njerëz të penës, – ndikuan shumë faktorë, ndër më kryeso­rët qenë mungesa e traditës së kultivimit, mungesa e alfabetit të njësuar, si dhe mungesa e institucioneve përkatëse vendore, që do të merrnin mbi vete këtë veprimtari të rëndësishme.

Kjo gjendje bëri që shqiptarët të shkruanin në gjuhë të huaja ose edhe në gjuhën shqipe, po me alfabete të ndryshme. Kjo është arsyeja pse kontributi i tyre nuk ishte për masën e gjerë shqiptare, po vetëm për një pjesë të asaj popullate që gëzonte privilegjin të njihte atë gjuhë ose alfabetin a shkrimin që përdornin dijetarët e krijuesit shqiptarë.

Botime islame në gjuhën shqipe fillojnë të shfaqen në dekadën e fundit të shekullit 19, për t’u intensifikuar dhe për të fituar në peshë në vitet e para të shekullit 20, dhe sidomos pas Pavarësisë së Shqi­pë­risë, kurse në mënyrë institucionale pas pavarësimit të Komunitetit Mysli­man Shqiptar më 1921, i cili u zyrtarizua më 1923 në kongresin  ku u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i Komunitetit Mysliman të Shqipë­risë[1].

Pas pavarësimit dhe konstituimit institucional, Komuniteti Mysli­man Shqiptar, i vetëdijshëm për rëndësinë që ka fjala e shkruar në njërën anë, dhe i ndërgjegjshëm për ngecjen e madhe që kishte në kët fushë, në anën tjetër, botimeve islame u kushtoi një rëndësi të shtuar.

Me gjithë prioritetet e shumta që kishte para vetes, komuniteti dhe dijetarët e kohës filluan të hartonin broshura e libra me përmbajtje për njohuritë fillestare islame (Fe-rrëfeje a mësime muslimane nga Said Najdeni, botuar më 1909 në Elbasan; Myslimanësia nga Hfz. Ali Ko­rça, 1918; Besimet e Myslimanvet nga hfz. Ibrahim Dalliu, Tiranë, 1921; Ilmihal nga Shefqet Muka, Shkodër 1923)[2].

Jo rastësisht në ballë të kësaj nisme u gjendën figurat më eminente të asaj kohe, rilindësit tanë të shquar, si Hfz. Ibrahim Dalliu, Hfz. Ali Korça, Said Naiden, Sadik Bega, Haki Sharofi, pastaj haxhi Vehbi Dibra, hfz. Ali Kraja e shumë të tjerë.

Angazhimet e tyre qenë të shumanshme përpos në botimin e vep­ra­ve për njohuritë fillestare. Ata, si një nevojë kohe, do t’i hynin harti­mit dhe përkthimit të veprave profesionale nga fusha të islamologjisë: Texhvid, i përkthyer nga hfz. Ibrahim Dalliu, Tiranë (1921); Hytbe e dytë ose muhamedija, 1928; Këshillat e së premtes, 1928; Jeta e Hazre­tit Muhamedit sipas gojdhanave dhe shkrimtarëve të mëdhenj ara­bë, përkthyer nga italishtja më 1029; Bilbil i fesë i sheriatit mu­hamedija, përktheu hfz. Abdullah Sëmlaku, Korçë 1930 etj.

Do theksuar se në këtë periudhë pati iniciativa e projekte madhore, si fillimi i botimit të revistës “Zani i Naltë” më 1923 nga KMSH, si dhe fillimi i botimit të përkthimit të Kuranit po nga KMSH – “Ajka e kuptimeve të Kur’anit Qerim” 1929, përkthyer nga hfz. Ibrahim Da­lliu.

Këto flasin më së miri për interesimin, nivelin dhe rezultatet e arritura në fushën e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe asokohe, në kufijtë e Shqipërisë londineze.

Kjo veprimtari vazhdoi me sukses deri në vitet e para të vendosjes së pushtetit socialist në Shqipëri, kur, siç dihet, pushtetarët e ndaluan me ligj zbatimin e fesë, me se edhe praktikisht u ndërpre tradita isla­me në gjuhën shqipe.

BOTIME NË GJUHËN SHQIPE NË KOSOVË
Tradita

Botimet islame në gjuhën shqipe në Kosovë, për shkak të rretha­na­ve që u krijuan këtu pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, – do të fillonin të shihnin dritë vetëm pas Luftës II Botërore. Edhe botimet islame në gjuhën shqipe, pësuan po fatin e fjalës së shkruar shqip në përgjithësi dhe fatin e popullit shqiptar nën okupimin serb.

Varësisht se çfarë ishte zhvillimi i ngjarjeve në rrafshin politik, në atë shkallë qe edhe zhvillimi i ngjarjeve edhe në rrafshin e identitetit kombëtar, përfshirë këtu edhe rrafshin fetar.

Pra, fati i zhvillimit dhe rritës së botimeve islame në gjuhën shqi­pe, përveç faktorëve të tjerë, varej edhe nga mungesa e kuadrit, mu­ngesa e traditës dhe inferioriteti ndaj kulturës islame në përgjithësi e botimeve islame në veçanti.

Po t’i shtojmë kësaj edhe sfidat e vështirësitë me të cilat u përball populli shqiptar gjatë ndërrimeve të sistemeve, ndërrime këto që ndi­kuan drejtpërdrejt në zhvillimin e jetës në Kosovë, del e qartë se as botimet islame në gjuhën shqipe në Kosovë nuk mund të kishin një zhvillim të mirëfilltë.

Me qëllim që të japim një pasqyrë sa më reale lidhur me këto, vështrimi ynë përmbledh tri periudha:

Periudha e parë

Periudha e parë përfshin botimet islame në gjuhën shqipe gjatë sistemit socialist (në periudhën 1945-1999).

Për aq sa dihet deri më tash, botimi i parë islam në gjuhën shqipe në Kosovë është broshura 38 faqesh “Ilmihali i vogël, për shkencat fi­llestare të fesë islame[3], përkthyer nga gjuha serbokroate, botim i Shoqatës së Ylemave për RSS, siç quhej asokohe. Me këtë doracak, të cilit nuk i dihet as përpiluesi dhe as përkthyesi në gjuhën shqipe, zë fill veprimtaria botuese islame në Kosovë, për të vazhduar deri sot.

Bartëse e veprimtarisë botuese në këtë periudhë qe BI dhe institu­ci­onet e saj, si Shoqata e Ylemave, Medreseja dhe Shoqata e nxënësve e medresesë.

  

 

Botimet e veçanta

Botimet islame sidomos në dy dekadat e para të kësaj periudhe, kanë qenë kryesisht libra a broshura që u kushtoheshin njohurive ele­me­ntare të fesë islame, si ilmihale e broshura të ndryshme të këtij ka­r­akteri. Këtu po përmendim: Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Ja­sini Sherif, (1959, që u ribotua edhe në vitet 1964 e 1972); Fejzu­llah Ha­xhibajriqi: Ilmihal (Themelet e fesë islame – 1968, ribotuar disa herë);

Bajrush Ahmeti: Historia e Pejgamberëve;

Muhamed Seid Serdareviq: Fikhul Ibadat, rregullat dhe detyrat themelore islame (1978) etj..

Është për t’u theksuar se një vend të posaçëm në këtë mes zinin edhe dispensa të hartuara nga profesorët e medresesë së mesme “Ala­u­din” të Prishtinës, megjithëqë dedikoheshin për nevojat e nxënësve të medresesë.

Vitet ‘80 të shekullit XX janë vitet më të rëndësishme për botimet islame në gjuhën shqipe, madje jo vetëm për Kosovën, po për tërë ha­pësirat shqiptare. Kur e themi këtë, kemi parasysh faktin që më 1985 në Prishtinë u botua për të parën herë përkthimi i Kuranit[4] në gjuhën shqipe, me se edhe gjuha shqipe u bë gjuhë që njeh Kuranin, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, u realizua puna e nisur nga rilindësit Qafzezi, Korça e Dalliu, të cilët, megjithëqë me vullnet e dëshirë të madhe i kishin hyrë kësaj pune sa të vështirë aq edhe të rëndësishme e me vle­rë jo vetëm për kulturën islame po edhe për kulturën shqiptare, me­gj­ithatë, siç dihet, për shkaqe nga më të ndryshmet, projektet e tyre nuk arritën t’i realizonin në tërësi, dhe kështu, atë që nuk e arritën Qa­fzezi në Ploeshti të Rumanisë, Korça e Dalliu në Tiranë, – më 1985, pas një pune disavjetëshe, e realizoi profesori i gjuhës arabe në Fakultetin Fi­lozofik (tash – Fakulteti i Filologjisë) të Universitetit të Prishtinës, dr. Fetiu Mehdiu, përkthimin e të cilit e botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Vetëm tre vjet më vonë (në 1988) po në Prishtinë u botuan edhe dy përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, nga dy alimë të njohur: myderriz Hasan ef. Nahi[5] dhe myderriz Sherif ef. Ahmeti[6]. Madje përkthimi i myderriz Sherif Ahmetit u botua i shoqëruar edhe me një kome­ntim të shkurtër. Ky përkthim më vonë është botuar në shumë qendra, madje vetëm në Medinë më 1992 është botuar në 1 milion kopje.

Nga kjo periudhë duan veçuar edhe botime të tjera të Shoqatës së Ylemave të Kosovës, si: Imam Vehbi Ismaili: Muhamedi profet Islam, Prishtinë 1985; Dr. Mustafa Mahmud: Prej dyshimit deri në besim Prishtinë 1987; Dr. Abdullah Draz: Agjërimi i Ramazanit, Prishtinë 1988 etj..

Botimet e kësaj periudhe, megjithëqë përkthime, përbënin një ba­zë të shëndoshë për zhvillimin dhe rritën e botimeve islame në gju­hën shqipe në një të ardhme të afërt. Kjo më së miri u dëshmua në vitet ‘90 të shekullit të shkuar..

Periodiku (revistat):

Pos botimeve të veçanta, në këtë kohë nisën të botoheshin edhe revista islame në gjuhën shqipe. Kështu më 1962 Shoqata e Ylemave filloi botimin e “Buletinit informativ”, një publikim i përtremuajshëm, që botohej në gjuhët serbokroate e shqipe, ku paraqitej aktiviteti i Kry­esisë së BI-së të RSFJ-së (apo siç quhej, Rijaset) si dhe aktiviteti i Kryesive të Bashkësive Islame të Republikave, dhe posaçërisht i Kry­esisë së BI-së të RSS-së me seli në Prishtinë dhe organeve e institu­cioneve të saj.

Nga viti 1966 Buletini botohet vetëm në gjuhën shqipe, dhe që atëherë në këtë revistë, përpos të dhënave zyrtare, më 1969 e 1970 – gjejmë edhe tema të karakterit fetar[7].

Më 1970 në Prishtinë filloi botimi i Takvimit-publikim vjetor i Shoqatës së Ylemave, i cili, krahas pjesës kalendarike, që nga fillimi botoi edhe tema të ndryshme kryesisht nga ahlaku, fikhu, hadithi, tefsiri, akaidi etj[8].

Më 1971 në Prishtinë filloi botimi i revistës së përtremuajshme fetare “Edukata Islame”, me se zë fill një veprimtari e mirëfilltë në rrafshin e publicistikës islame në gjuhën shqipe jo vetëm në Kosovë po edhe më gjerë.

Revista “Edukata Islame”, nën drejtimin e myderriz Sherif ef. Ahmetit – që është edhe doajen i botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovë, tuboi rreth vetes një numër të mirë të bashkëpunëtorëve nga të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë dhe për një kohë të gjatë qe e vetmja që botohej shqip dhe ku kultivoheshin me devotshmëri vlerat e fesë e të qytetërimit islam[9].

Më 1975, nga Shoqata e nxënësve të Medresesë filloi të botohej fletushka “Nur-l-Kur’an”[10], ndërsa hapi më i rëndësishëm dhe më se­rioz në këtë fushë, u bë në vitin 1986 kur Kryesia e BI-së filloi të bo­tonte revistën “Dituria Islame”, e cila fillimisht dilte për çdo tre muaj, kurse më vonë për çdo muaj.

Botimi i një reviste të tillë ishte domosdoshmëri e kohës, ngase së pari shkollimi i nxënësve në Medrese dhe, së dyti, diplomimi i një nu­mri të konsiderueshëm të studentëve tanë në qendra të ndryshme të Botës Islame, dhe posaçërisht ngritja e nivelit arsimor tek popullata, – e bënë të nevojshme të botohej një revistë e tillë.

Fillimi i botimit të kësaj reviste ka luajtur një rol do të thoshim pë­rcaktues, ngase kjo u bë sensibilizuese për përhapjen, afirmimin dhe zgjerimin e vlerave islame në qarqet e lexuesve shqiptarë[11].

 

 

Periudha e dytë

Periudha e dytë e botimeve islame fillon pas rënies së sistemit socialist (1999), një kohë kur Kosova dhe populli i saj, përpos thyerj­es së këtij sistemi dhe hyrjes në fazën e transicionit, sikur dihet, pësoi një formë okupimi klasik nga Serbia, gjë që e vështirësoi edhe më shumë gjendjen e shqiptarëve dhe institucioneve të tyre.

Siç u theksua, në periudhën e parë (1957-1990), bartës të boti­meve islame në gjuhën shqipe qenë institucionet e Bashkësisë  Islame, ndërkaq që nga fillimi i kësaj periudhe (të dytë), përpos organeve të BI-së, bartës të kësaj veprimtarie u bënë edhe shoqata të ndryshme, grupe nga shoqëria civile dhe intelektualë të njohur.

Duhet theksuar fakti se në qoftë se në periudhën e parë botimet is­lame bëheshin kryesisht në Prishtinë, tashti, në periudhën e dytë, kra­has Prishtinës, botimet islame do të shohin dritë edhe në qendra të tje­ra të Kosovës, si në Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan e gjetiu.

Në këtë fazë botimet islame njohin një rritje të ndjeshme, por do theksuar se tek disa kemi moszbatimin e kritereve të duhura për bo­tim. Këtu kam parasysh nivelin e dobët të përkthimit, dhe një shk­allë të ulët të zbatimit të normës standarde të shqipes, si dhe përzgjedhjen e botuesve dhe mosrespektimin e së drejtës së autorit dhe së drejtës së botuesit të parë.

Në këtë periudhë, përpos botimeve që kanë të bëjnë me njohuritë themelore të fesë islame dhe botimeve nga disiplina islame, kemi edhe botime të dijetarëve e strategëve të mëdhenj të Botës Islame, si manifesti i Alia Izetbegoviqit “Deklarata Islame” (Prizren, 1990); pa­staj monografia po e Izetbegoviqit “Islami mes Lindjes e Perëndimit” (Prizren, 1992); vepra e Karçiqit: Historia e së Drejtës së Sheriatit (Prizren, 1994); vepra e dr. Ali Muhamed Nakvit: Islami dhe Nacion­alizmi (Prishtinë, 1997); veprat e dijetarit të njohur Jusuf Kardavi: Ri­zgjimi islam, (Prishtinë, 1997); Monografia për jetën e Muhamedit a.s. nga Sylejman Gavoçi, (Prishtinë, 1997), gjithnjë pa harruar boti­min e dy kompleteve shumë të rëndësishme për kulturën islame: Për­k­thi­mi në shtatë vëllime i Sahihul Buhariut, që u realizua nga profe­sorët e degës së Orientalistikës të FF, si dhe Përkthimi i veprës së Abdurrahman Rafet Basha: Fragmente nga jeta e sahabëve, gjitha­shtu në 7 vëllime, nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Për­mbledhja e kumtesave nga simpoziumi ndërkombëtar “Feja kultu­ra dhe tradita islame ndër shqiptarët” (Prishtinë, 1995).

Një vend të veçantë në këtë periudhë zënë botimet e medresesë së mesme “Aluaddin” të Prishtinës, që pas vitit 1990 nuk janë pak dhe ja­në të fushave të ndryshme, si në histori, akaid, ahlak, hadith  e filo­logji. Si të tilla ato paraqesin një hap shumë të rëndësishëm, ngase, përpos që përmbushin nevojat e nxësëve, përbëjnë edhe një burim të mirë e modest për të gjithë të interesuarit në fushat përkatse.  Këtu do të përmendim: Qazim Qazimi: Hyrje në shkencat kuranore, Prishtinë 1993; Naim Tërnava: Morali islam/ahlaku-1, Prshtinë 1993; Naim Tërnava: Pasqyrë e Filozofisë Islame, Prishtinë 1995; Bajrush Ahm­eti: Historia islame 1, Prishtinë 1995; Resul Rexhepi: E drejta mar­tesore islame, Prishtinë 1996 etj[12]

Revistat:

Më 1992 në Prishtinë filloi të dilte revista “Bashkimi Paqësor”, revistë edukative, arsimore e kulturore, botim i Shoqatës “Bashkimi”, ndërkaq vetëm një vit më vonë (në 1993) po kjo shoqatë nisi botimin e gazetës periodike “Itifak”, ndërkaq më 1995 në Gjilan filloi të bo­tohej revista “Drita”, organ i shoqatës “Drita”.

Me gjithë ambiciet e mëdha, revistat në fjalë pas një kohe të shku­rtër të botimit, nuk arritën të përballonin detyrimet financiare, prandaj u detyruan të ndërprisnin botimin e mëtutjeshëm[13].

 

 

 

Periudha e tretë

Periudha e tretë zuri fill që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë fazë kemi një vërshim të botimeve islame, kur shtohen shumë botimet e shumta të shoqatave islame që veprojnë me mision në Kosovë, të cilat ose janë botues vetë, ose janë financues të ndonjë institucioni vendor.

Këtu duhet theksuar se pos botimeve shumë të rëndësishme e të nevojshme për masën e gjerë islame, kemi edhe disa botime që nuk janë të nevojshme për ne.

Fjalën e kam për botime që sjellin huti tek besimtarët, sepse me­rr­en me çështje medhhebesh, një gjë që e gjykojmë të panevojshme për hapësirën tonë.

Duhet theksuar po ashtu se bëhen edhe botime pa kriter: i njëjti bo­tim në të njëjtën kohë dhe për të njëjti lexues, botohet nga disa bo­tues!

Megjithatë, vlen të përmendet botimi i Bibliotekës Familjare nga SJRC, një botim prestigjioz dhe i nevojshëm, si dhe botimi i veprave të Kardavit nga Shoqata Bamirëse e Katarit.

Megjithëse qe dëmtuar rëndë në luftë, Kryesia e Bashkësisë Isla­me të Kosovës, respektivisht edicioni botues “Dituria Islame” u ko­ns­olidua shpejt dhe vazhdoi traditën 40-vjeçare të botimeve. Kështu, pë­rpos daljes me rregull të revistës “Dituria Islame” dhe të Takvimit, riaktivizoi revistën e përtremuajshme “Edukata Islame”, e cila u riko­nstruktua në formë dhe në përmbajtje. Pos këtyre, menjëherë pas luft­ës ky edicion botoi edhe këto vepra me interes për kulturën dhe artin islam:

Si ta njohim artin Islam” Prishtinë 2000; Dr. Muhamed Mufaku: “Xhamitë dhe mesxhidet e Beogradit”, Prishtinë 2000; Prof. Dr. Ibra­him Emiroglu: “Pesë kryeveprat e Ebu Hanifes”, Prishtinë 2000; Mu­ha­med Ashik ilahi el Bureni: “Çështje të fikut sipas Kuduriut”, Prishtinë 2002 etj.

Më këtë rast duhet përmendur botimi i monografisë për shkatë­rri­min e xhamive ”Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (shkurt ’98-qershor ‘99”), Prishtinë 2000. Në këtë botim, në tri gjuhë është paraqitur shkatërrimi i xhamive dhe objekteve të tjera islame gjatë luftës së fundit nga forcat serbe.

Përfundim

Botime islame në gjuhën shqipe për çdo ditë e më shumë shtohen, si nga cilësia, edhe më shumë nga sasia.

Mirëpo periudha prej vitit 1990 e deri sot, për sa i përket litera­tu­r­ës islame, ka nevojë të analizohet seriozisht nga botuesit tanë, naty­ri­sht duke bashkërenduar veprimtarinë e tyre, me të vetmin qëllim që lexuesit tonë t’i ofrojnë sa më shumë botime të nevojshme, ngase, me zemër në dorë, në fushën e botimeve islame në gjuhën shqipe, për shu­më arsye hetohet goxha një ngecje. Mirëpo kjo nuk arsyeton ka­o­s­in në fushën  e botimeve pa respektuar: prioritetet, traditën medhhe­bore, të drejtën e botuesve dhe të drejtën e autorëve. Gjithashtu është mjaft brengosës niveli i gjuhës së disa botimeve islame të kohës, se­pse shumë vepra botohen pa redaktor gjuhësor e mos të flasim për korrektor e redaktor teknik.

Megjithëkëtë, shpresojmë që këto vështirësi do të tejkalohen dhe me veprimtarinë botuese do të merren botues seriozë.

* Kumtesë e mbajtur në simpoziumin ndërkombëtar “Qytetrimi islam në Ballkan” në Ti­ranë nga 4-7 dhjetor 2003.

[1] Roberto Moroco dela Roka: Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë 1994, fq. 28.

[2] Më gjerësishtë për librat e botuara në këtë kohë shih: Maksim Gjinaj & Petrit Bezhani: Libra në gjuhën shqipe për Islamin (Bibliografi); Istanbul 2002.

[3] Shih: Ilmihal i vogël për shkencat fillestare Islame; Prishtinë 1957, apo R. Shkodra &A. Pireva: Bibliografi e botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovë !957-1997, Prishtinë 1998, fq. 17.

[4] Shih: Kur’ani; përkthe Feti Mehdiu, Prishtinë 1985.

[5] Shih: Kur’ani i Madhëruar; përktheu prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë 1998.

[6] Shih: Kur’ani Përkthim me Komentim; përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, Prishtinë 1998.

[7] Ramadan Shkodra &Aziz Pireva: Historiku i publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, Dituria Islame nr. 101 Prishtinë 1998, f. 61.

[8] Po aty…fq.. 61-62.

[9] Po aty… f. 62.

[10] Po aty… f. 62

[11] Po aty….f. 62-63.

[12] Më gjerësisht për botimet e medresesë shih: Ramadan Shkodra: Bibliografi e botimeve të medresesë së mesme “Alaudin” në Prishtinë (1969-1998), Edukata Islame nr. 63-64 Prishtinë 1998, fq. 163-167.

[13] Ramadan Shkodra &Aziz Pireva: Historiku i publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, Dituria Islame nr. 101 Prishtinë 1998, f. 61.


Leave a comment

Filed under Portrete

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s